Evrokomisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle në profilin e tij në Twitter ka komentuar raportin e ri të “Reporterëve pa kufij” mbi gjendjen e lirisë së mediave në botë, përfshirë edhe Ballkanin.
Ai ka shprehur shqetësim se liria e medias mbetet një nga sfidat kryesore të vendeve partnere dhe aspirante në BE. “Liria e mediave është një sfidë edhe më e madhe për vendet tona partnere. Ata duhet të përmirësohen në këtë sferë. Mediat patjetër duhet të respektohen, kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fyle.
Sipas raportit të “Reporterëve pa Kufij”, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar hapa prapa sa i përket lirisë së medias. Shqipëria mban vendin e 102-të në botë për lirinë e shtypit. Sa i përket vendeve të rajonit, Kosova është renditur në vendin e 85-të, Serbia në të 63, Kroacia në vendin e 64-të, Bosnja në vendin e 68-të, Greqia në vendin e 84-të, Mali i Zi në vendin 113 dhe Maqedonia në të 116-in. (INA)