Dështuan bisedimet e sotme mes punëtorëve grevistë të repartit të ujësjellësit në kuadër të Ndërmarrjes Publike Tetova, dhe drejtorit të saj Ajet Muratit. Greva e punëtorëve vazhdon, dhe sipas tyre, ajo do të radikalizohet.
“Greva vazhdon, shkaku se katër muaj rroga s’kemi marrë, kanë qenë sot te drejtori, informatat janë se rrogë nuk do ketë, përgjegjësia do jetë e drejtorit, nga nesër vazhdojnë edhe njësitë tjera”, tha një punëtor
“Vazhdojmë se nuk kemi marrë rroga katër muaj kemi brenda, rrogat duam të na japin në rregull, patëm takim me drejtorin me përgjegjësit me krejt ama rroga nuk ka”, tha një punëtor.
“Unë punoj këtu prej 40 vjetësh. Kemi pasur edhe kohëra më të këqija krize, por si tani, nuk ka ndodhur asnjëherë, të jemi 4 muaj pa rrogë.”, tha një tjetër punëtor.
Punëtorët kanë paralajmëruar edhe bllokimin e hyrjes së komunës nëse çështja e tyre nuk zgjidhet me kohë.
“Ne do marrim masa do e lajmërojmë në polici, do e informojmë edhe kreun e Komunës, ka gjasa edhe të shkojmë ta bllokojmë komunën dhe ndërmarrjen te zyrat kryesore”, u shpreh një nga punëtorët.
“Do vazhdojmë edhe më tej, do e vazhdojmë protestën”, tha një punonjës.
“Ne nuk punojmë derisa të marrim rroga”, tha një punëtor.
Mos funksionimi i këtij reparti të Ndërmarrjes Publike Komunale, do i kushtojë qytetit. Pritet që së shpejti të shfaqen probleme me ujësjellësin dhe kanalizimin. Drejtuesi i NPK-së Tetova, Ajet Murati, në bisedën telefonike me ALSAT tha se po punohet intensivisht dhe se brenda javës punëtorëve grevistë do t’u lëshohen rrogat e papaguara. Bashkim Sulejmani