Poli i Qendrës, ende pa u zyrtarizuar në arenën politike, ka lëkundur pozitat e dy partive të mëdha, konkretisht Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilat ruajnë monopolin në politikën shqiptare prej 22 vitesh. Tratativat e kreut të LSI, Ilir Meta, kreut të FRD, Bamir Topi dhe kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, për një koalicion parazgjedhor të përbashkët, kanë shqetësuar Ramën dhe Berishën, pasi ky koalicion vë në pikëpyetje çdo skenar të tyre për të ardhur apo të qëndruar në pushtet. Poli i tretë, i cili pritet të përbëhet nga Fryma e Re Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, jo vetëm mund të diktojë qeverisjen pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, por mund t’u imponohet dy partive të mëdha që tani. Konkretisht, kreu i LSI, Ilir Meta dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, mund të diktojnë rregullat e lojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi përfaqësohen në këto komision me dy anëtarë.
Ndonëse nuk përbëjnë dot shumicë, LSI dhe PBDNJ do të kenë rol vendimtar për marrjen e vendimeve me një shumicë të cilësuar në KQZ. Po ashtu, Dule dhe Meta do të kenë dy nga shtatë anëtarët në të gjitha nivelet e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, qoftë atë të votimit apo ato të numërimit të votave. Gjithsesi rëndësia e Polit të Qendrës nuk konsiston në KQZ, por tek pesha në elektorat. Nisur nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, Poli i tretë, shkon drejt zgjedhjeve të 23 Qershorit, me 200 mijë vota të sigurta apo me më shumë se 15 mandate deputetësh. Sipas të dhënave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Lëvizja Socialiste për Integrim, në zgjedhjet lokale të 8 maji ka marrë në rang kombëtar 117 707 vota, përthyer në përqindje 7,49 përqind. Ndërkaq, po sipas të dhënave të KQZ, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në zgjedhjet lokale të 8 maji ka marrë në rang kombëtar 40.710 vota, përthyer në përqindje 2,59% përqind. Nga ana tjetër, sipas sondazheve, Fryma e Re Demokratike e kryesuar nga Bamir Topi, merr mbi 50 mijë vota në rang kombëtar, duke llogaritur edhe pjesën që do vjedhin dy partitë e mëdha.
Trazohet Berisha
Lëvizjet e Ilir Metës për t’u larguar nga koalicioni qeverisës në muajin prill si dhe për të projektuar një koalicion më vete parazgjedhor jashtë ombrellës së PD-PS, kanë tensionuar kryeministrin Berisha. Pasi tentoi t’i bënte presion me dosje dhe ta joshte për të qëndruar në koalicion, kryeministri Berisha ka humbur çdo shpresë. Disa ditë më parë, Berisha e kërcënoi hapur Metën duke thënë se se kush kalonte në krahun e Edi Ramës, ishte fundërrinë dhe e kishte vendin në Lanë. Ndërkaq, pasi ka mësuar për negociatat për krijimin e Polit të Djathtë, mësohet se Berisha e ka mallkuar Metën nëpër korridoret e partisë. Për të mbushur gropën që do t’i lërë Meta, Berisha bleu Nard Ndokën me një psot ministri, ndërsa po josh edhe Dash Shehin. Por, gjithsesi, largimi i Metës i garanton Berishës në çdo rrethanë daljen në pension politik pas 23 Qershorit.
Lëvizjet e Metës
Rreth Polit të Qendrës priten të rreshtohen parti të tjera të vogla të sa majtës ekstreme. Disa parti të komuniste nuk ndjehen komode me Partinë Socialiste, pasi Rama ende nuk është çliruar nga kompleksi i Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, Meta ka kërkuar hapur që të rivlerësohet figura e Enver Hoxhës dhe roli i tij në fitoren e luftës. Në këtë kuadër, Meta pritet të tërheqë rreth koalicionit të tij disa parti të së majtës ekstreme. Nuk dihet ende për rreshtimin e PDIU, meqenëse Dule ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e një koalicioni, nëse në të bën pjesë edhe PDIU. Adriatik Doçi