Kriza në Maqedoni ka lënë nën hije problemet esenciale, më të cilat përballen qytetarët.
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvendosja e vëmendjes nga problemet reale, me të cilat përballet shteti, rëndom ndodh në vendet ku nuk ka demokraci ose më saktësisht mungon sendërtimi i institucioneve mbi vlerat demokratike.
Sociologu nga Tetova, Hasan Jashari, konsideron se në Maqedoni, jo rrallëherë, krijohen situata të krizës për të “fshehur” problemet reale të qytetarëve, për të cilat udhëheqësit politikë nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje tanimë një kohë të gjatë. Sipas tij, bëhet fjalë për standardin e ulët jetësor dhe papunësinë.
“Jam i mendimit se elitat politike dhe partitë politike, këtë strategji e përdorin me qëllim që të vijnë deri te vota dhe nuk merren me çështjet ekzistenciale. Gjatë kohës së zgjedhjeve, ato në vazhdimësi i manipulojnë zgjedhësit, gjoja se ka krizë politike. Për këtë qëllim, politikë-bërësit janë ata që tensionojnë marrëdhëniet ndërnacionale. Dhe, kur nuk ka sukses në tensionimin e marrëdhënieve ndërnacionale, tensionohen marrëdhëniet ndërpartiake”, konsideron Jashari.
Nga organizata qytetare “AMAN”, thonë se në pamundësi që në këto zgjedhje vendore të flasin për kërkesat e qytetarëve, partitë politike më lehtë e kanë të ofrojnë zgjidhje, të cilat nuk duken askund.
Ekspertët thonë se në kushtet kur papunësia në Maqedoni arrin mbi 30% , trysnia ndaj administratës është më se evidente dhe, nga ana tjetër, mediat në masë të konsiderueshme kontrollohen nga pushteti, është më se reale mungesa e masës kritike. (INA)