Shqiptarët në maqedoni vazhdojnë të përjetojnë një periudhë shumë të vështirë të diskriminimit në aspektin kombëtar, e shoquruar me etapa dhe epizode të errëta që shoqërohet me një pushtim klasik “pushtetar’, i cili rezulton me degradim substancial shumëdimensional të trungut shoqëror, kombëtar dhe familjar shqiptar, i manifestuar në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme degraduese.
Pushtimi nga pushteti aktual, sado që të duket i pamundur, është strategjik, i planifikuar, permanent, ndërsa me vite të tëra po realizohet në mënyrë shumë perfide, gati nga të gjithë institucionet shtetërore, nëpërmjet “instalimeve” shqiptare të kontrolluara lehtësisht, por me pasoja shqetësuese për vet popullin shqiptar. Pushtimi së pari vjen nga “lidershipi” pushtetar shqiptar, i cili ka ngërthyer në vete cdo mundësi, për të zgjedhur, kontrolluar dhe dirigjuar funksionarët e tyre që drejtojnë institucionet e ndryshme, që për pasoj ka mosarritjen e rezultateve të dobishme për shqiptarët, respektivisht dëmtimin e interesit të përbashkët prosperues shqiptarë në maqedoni, me të gjithë potencialin negativ të mundëshëm që të njëjtit e posedojnë.
Më pastaj, “pushtimi” i vërtetë realizohet nëpërmjet të gjithë institucioneve shtetërore, shumicës së mediumeve, por edhe individëve impaktiv shoqëror, me mjete dhe metoda të lloj-llojshme perfide dhe shumë të rrezikshme, me efekte nënshtruese dhe afatgjate për popullin e dezorientuar shqiptar. Kështu pra, në qoftë se në njërën anë garnitura politike antishqiptare në krye me Nikolla Gruevskin, pa hezitim dhe vazhdimisht i diskriminon, i reh, i burgos dhe i vret shqiptarët, në anën tjetër pushtetarët e “pushtuar” shqiptarë, me vetëdije ose pa të, janë duke e bërë punën e shërbyesve të paguar dhe ç’moralizuar kombëtarisht, për ta dëmtuar, dobësuar dhe shkatërruar popullin e tyre në përmasa gjithëpërfshirëse dhe dimensione kohore afatgjate.
Për 5-6 vitet e kaluara qeverisjeje, të punësohen diku rreth 20-30 mijë maqedonas të afërt me pushtetin, ndërsa te shqiptarët që janë mbi 30 %, ky numër të arrij vetëm në 500-600, prej të cilëve një numër i madh i tyre vetëm figurojnë nëpër listat e rrogave, nuk është asgjë tjetër përvec se një diskriminim që realizohet, nëpërmjet të “pushtimit” të atyre shqiptarëve që duhet të “kolliten” në emër të legjitimitetit të fituar nga populli i tyre. Investimet me qindra- miliona euro, për projekte antishqiptare sic është “Shkupi 2014”, por edhe ndarja e planifikuar antishqiptare e buxhetit që demotivon, diskriminon dhe dëmton shqiptarët në të gjithë sferat e jetës, nuk është gjë tjetër përveç se një tendencë për nënshtrim dhe pushtim socio-ekonomik të shqiptarëve, i cili duhet të rezultoj me pranimin e pozitës inferiore dhe të parëndësishme të tyre, në këtë kuazi shtet. Përvetësimi dhe kontrollimi i shumicës së mediumeve, krijimi i opinioneve kuazi-pozitive propaganduese nga institute manipuluese politikbërëse si dhe shoqata dhe organizata të ndryshme të drejtuara nga persona të afërt me pushtetin (të pushtetit), është një veprim pushtues i hapësirës mediatike, i sektorit civil, por edhe i ngulfatjes së kapaciteteve intelektuale dhe analistëve kritik antipushtetar. Instalimi nëpër institucione të larta arsimore, shkencore (nëse mund të thuhet) dhe kulturore, të individëve me potencial dhe energji negative shqiptare, poashtu është një “pushtim” klasik pushtetar i trurit të ri potencial shqiptar, i cili duhet të nxjer në pah rezultatin e paaftësisë udhëheqëse shqiptare dhe mediokritetin intelektual, arsimor, shkencor dhe kulturor të gjeneratave të tëra të shkolluara shqiptare.
Pa dyshim se “pushtimi” i dirigjuar dhe koordinuar pushtetar vepron në të gjithe sferat e mundshme shoqërore shqiptare gjë që edhe ka dhënë efektet e veta rënuese, por një gjë është e sigurt se cdo pushtimi dhe cdo pushteti, herët ose vonë i vjen fundi. Ky fund shpesh herë për pushtuesit dhe pushtetarët ka qenë tragjik, sic ishte rasti me: Miloseviçin, Huseinin apo Gadafin. Mirëpo çmimin për t’i larguar dhe zhdukur ata dhe këta pushtetarë pushtues, vazhdimisht populli e ka paguar dhe e paguan shumë shtrenjtë!/Tetovasot.com