RTV Zëri · Kryefaqja

Opozita insiston për zgjedhje parlamentare

2013-01-17 · Arkivi historik RTVZIK

Opozita maqedonase ka theksuar se është këmbëngulëse në kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pako me ato lokale në Maqedoni. 

Kjo është theksuar mbrëmë nga lideri i opozitës dhe LSDM-së, Branko Cërvenkovski në protestën e vazhdueshme të opozitës që u mbajt mbrëmë në Strumicë.

“Kthim në Parlament nuk ka, dalja e vetme nga kjo krizë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, edhe ato zgjedhje të drejta dhe demokratike. Këto ditë po zhvillohen ngjarje që do të përcaktojnë të ardhmen e Maqedonisë. Ne nuk do të tërhiqemi nga beteja jonë”, ka theksuar Cërvenkovski.

Sipas tij, në Maqedoni po mbizotëron dhe po sundon një regjim, ku populli për shtatë vite ka heshtur dhe ka duruar, nga presionet dhe gënjeshtrat e këtij pushteti. Në tubimin në Strumicë, komunë që drejtohet nga opozita kanë marrë pjesë mbi 15 mijë protestues.