RTV Zëri · Kryefaqja

Shqiptarët e Luginës kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së

2013-01-12 · Arkivi historik RTVZIK

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës vendosi sot kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së dhe përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet Prishtinë – Beograd.

Këshilltarët e tri komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc kanë dalur sot me një Deklaratë Politike në të cilën kanë bërë të qartë kërkesat dhe nevojën për zgjidhjen e problemeve dhe çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Më poshtë vijon edhe Deklarata e plotë politike e firmosur nga kryesuesit  Jonuz Musliu, Hajredin Hyda dhe Ramiz Latifi.

1. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë dënon gjuhën e kërcënimit dhe të urrejtjes së krerëve shtetëror të Republikës së Serbisë lidhur me zhvillimet politike dhe shoqërore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë;

2. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë mbron të drejtën e shqiptarëve për simbolet që shprehin identitetin kombëtar shqiptar dhe kundërshton çdo mënyrë të dhunshme të largimit të simboleve kombëtare, përfshirë lapidarët e dëshmorëve të kombit.

3. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë konsideron si provokim të rëndë ngritjen e monumenteve përkujtuese të pjesëtarëve të dyshuar për krime ndaj popullatës shqiptare, si dhe kërkon largimin e tyre nga vendbanimet që provokojnë shqiptarët.

4. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë rikonfirmon zotimin e plotë për jetësimin e lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive sipas standardeve unike rajonale.

5. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë shpreh rikonfirmimin e vullnetit te tij te plotë për nevojën e zgjidhjes paqësore dhe politike të çështjes së Luginës së Preshevës;

6. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë fton OKB-në, NATO-n, OSBE-në, Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian që te inkurajojnë Qeverinë e Republikës së Serbisë për dialog me përfaqësuesit legjitim politik të Luginës së Preshevës për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës;

7. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë kërkon nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë që çështjen e Luginës së Preshevës ta shtroi në institucionet ndërkombëtare.

8. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë fton Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës që të ndikojnë mbi autoritet e Republikës së Serbisë si dhe të nxisin ato për nisjen e një procesi dialogu me përfaqësuesit legjitim politik të Luginës së Preshevës për harmonizimin dhe zhvillimin e politikave kombëtare lidhur me çështjen e Luginës së Preshevës;

9. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë fton Qeverinë e Republikës së Serbisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës që ta kyçin zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës sipas parimit të reciprocitetit, në bisedime të cilat po zhvillohen në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesës së lartë të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton.

10. Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë fton spektrin politik shqiptar të Luginës së Preshevës, që konform situatës së krijuar politike dhe të sigurisë, që të marrin masa në rishqyrtimin e bashkëpunimit me organet shtetërore, sidomos në ndërmarrjen e masave për unifikimin e veprimeve politike, në funksionimin e institucioneve në të gjitha nivelet. (R.Demiri/INA)