RTV Zëri · Kryefaqja

Bamir Topi: Berishën e ka kapur paniku, ndaj bën deklarata të papërgjegjshme

2013-01-12 · Arkivi historik RTVZIK

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, flet për TV Klan

Na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet parlamentare. A ka menduar FRD me kë do të bashkohet në zgjedhjet e ardhshme?

Besoj se ka pasur deklarime të vazhdueshme qoftë në program dhe në takime të rëndësishme me simpatizantë dhe zgjedhës: Fryma e Re Demokratike përjashton në mënyrë ekskluzive koalicionin me dy partitë e vjetra, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Natyrisht si forcë e moderuar që jemi, nuk përjashtojmë koalicione të tjera, megjithëse është ende herët për të folur për koalicionet e mundshme por një gjë është e qartë: dy partitë e vjetra janë përgjegjëse për ndryshimet kushtetuese të realizuara pikërisht nga dy kryetarët e tyre si dhe për  realizimin e kodit zgjedhor i cili tenton te shkojë drejt interesave të PS e PD.

Nga pozicioni juaj, a mund t’i jepni një përgjigje thirrjes së Edi Ramës në Twitter për të bërë koalicion. Është kategorike që ju nuk do i përgjigjeni pozitivisht?

Kjo deklaratë natyrisht është në funksion të kohës kur është bërë. Fakti që FRD ka deklaruar që nuk do të bëjë asnjë lloj koalicioni me këto dy parti, i bën të pavlefshme të gjitha ftesat që vijnë qoftë edhe një ditë më mbrapa. Kjo është kategorike. Është kategorike jo vetëm përsa i përket aspektit formal, por ka dhe arsye të tjera të thella thelbësore që do të thotë se Fryma e Re Demokratike është një forcë e qendrës së djathtë dhe nuk bën asnjë lloj aliazhi me një forcë të majtë. Nga ana tjetër ne kemi parë jo më larg se dje një kryeministër, i cili i drejtohet partive të majta për të bërë koalicion të gjerë, ndërkohë që është një koalicion i denatyruar qysh në djep. Ne kemi arsye të forta që nuk bëjmë dot koalicion me Partinë Demokratike.

Kryeministri, sipas mendimit tone, është në fazën e konsumimit të pushtetit të tij, i cili është i mbushur sipas nesh me  momente mjaft dëshpëruese për elektoratin e djathtë në radhë të parë, por edhe për gjithë shqiptarët. Një mision, i cili praktikisht konsiderohet i dështuar. Shohim panik të qartë dhe me afrimin e zgjedhjeve vëmë re tentativën për të vulgarizuar më shumë fjalorin. Ne jemi një forcë e re politike, po konsolidohemi dhe qëllimi ynë i vërtetë është koalicioni me qytetarët.

Deklarata e kryeministrit Berisha dje në mbledhjen e kryesisë së PD-së se e vetmja rrugë për FRD-në është të bëjë koalicion me Edi Ramën. Si e vlerësoni atë?

Gjëja e fundit që mund të bëj në këtë botë, është që të dëgjoj këshillat e një kryeministri të dështuar. Unë e njoh nga afër dhe atij sa më shumë i afrohet paniku aq më shumë bën deklarata të papërgjegjshme.

Zoti Rama në konferencën e tij në Twitter ju ka vlerësuar si një burrë të mirë, por si një politikan edhe pse i vjetër në arenën politike jeni i mbërthyer nga kompleksi i virgjërisë. Çfarë kompleksi është ky zoti Topi?

Duhet të pyesni zotin Rama. Të jeni të sigurt që unë e njoh shumë mirë fjalorin në tërësinë e vet, fjalorin madje e kam shumë të pasur dhe të gjerë. Fakti që dy krerët e partive të vjetra e kanë vulgarizuar, tregon se janë në dëshpërim të thellë. Fryma e Re Demokratike do të jemi një force qeverisëse sipas sondazheve e cila në vendimmarrje do të kontribuojë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për realizimin e të cilit dy forcat e vjetra dështuan plotësisht. FRD do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve ekonomike, sociale dhe atyre që lidhen me pronat dhe të përndjekurit. Tentativa për të realizuar koalicion në të majtë dhe të djathtë është një tentativë për të fshehur dështimin.

Duke qenë se ju përjashtuat dy partitë kryesore, a është i mundshëm një koalicion me LSI dhe AK?

Ne nuk përjashtojmë asnjë aleancë me të tjerët. Do të ketë një vendimmarrje, e cila do i përkasë strukturave të partisë në një kohe tjetër.

Z.Topi jeni të bindur se do të keni aq vota sa të qeverisni vendin?

Ne mendojmë se kontakti nuk është nëpërmjet sondazheve të sajuara nga partitë e vjetra. Të gjitha sondazhet që ka FRD tregojnë se do të jetë një forcë në qeveri. Ne kemi kontakte direkte dhe mjaft të mira me qytetarët ndaj kemi të dhëna optimiste për të ardhmen e FRD-së