RTV Zëri · Kryefaqja

Burhan SEFERI-Mere njërin, përplase për tjetrin

2013-01-12 · Arkivi historik RTVZIK

Duket qartë se populli shqiptar në Maqedoni, gjendet në një udhëkryq shumë të keq, nga i cili nuk besoj se do të ketë rrugëdalje tjetër, pos shpartallimit të këtyre partive në skenë dhe ardhja e një gjenerata të re, me vizione të reja.

BDI-ja si parti politike, që nga viti 2002, ka dëshmuar se është parti leniniste, me ideologji anti-shqiptare, edhe pse motot e tyre çdoherë kanë qenë patriotike, kombëtare dhe nacionaliste. Vrasjet dhe burgosjet e shumta, e bënë që kjo parti të futet në një humnerë nga e cila vështirë që mund të dilet. Ende nuk munden të përgjigjen në shumë pyetje të cilat, tek populli gjenden në nënvetëdijen e tyre, se kush e vrau atë dhe atë, kush e burgosi atë dhe atë....

Rasti i fundit, i quajtur Monstër, dëshmoi se partia shqiptare në qeveri, nuk ka kapacitet për asgjë tjetër, pos për plaçkitjen e tenderave, gënjeshtrave dhe përrallave patriotike, nga të cilat, tash më, janë bërë pjesë e çdo fëmije, që dëshiron ta zë gjumi. Ende në kokën time sillet deklarata e papagallit të partisë, që tha se Haki Haziri është liruar, e pastaj nuk dihet se ku është...ndoshta ka ikur, përralla, nga të cilat u qesh i gjithë opinioni, dhe ja tash, ai gjendet në gjykatë, duke e treguar të vërtetën se kjo parti, së bashku me vëllanë e saj, të quajtur VMRO, i janë kërcënuar njeriut pa pasur asnjë fakt, të pranon diçka që nuk e ka bërë.

E pas gjithë kësaj, ende fytyra ua mban që të dalin në opinion dhe të japin deklarata qesharake, të cilat janë turp për popullin tonë, sepse ata si përfaqësues të popullit, vetëm tregojnë se ky popull, nuk paska njerëz më të mençur pos çobanëve që na përfaqësojnë në një vend ku nuk kanë fuqi as ta thonë atë që e mendojnë, e leje më të veprojnë...Kam bindje të thellë në zemrën time se populli shqiptarë ka njerëz të cilët vlejnë aq sa ka anëtarë vetë kjo parti, por ja që ata janë bojkotuar, apo kërcënuar, apo ndoshta lirohen....e nuk dihet ku gjenden...

Nga ana tjetër, kur populli gërditet nga kjo parti e pistë, mundohet që të gjen rrugëdalje në opozitë. Opozita është në një gjumë të thellë, për çdo ditë dëgjojmë deklarata të tyre, se ata do ta zgjedhin problemin me armiqtë e kombit, se ata do t’i nxjerrin shqiptarët nga ditët e zeza, nga fatkeqësia që i rroku, por, asnjëherë nuk na tregojnë se si do ta bëjnë atë, nuk kanë kurrfarë platforme bindëse, që do ta bindin popullin për përkrahje.

Populli, siç është parë muajt e fundit, zgjidhjen e vetme të problemit e sheh në rrugë, duke i sharë të gjithë, duke mos e përkrahur asnjërin, jo për diçka tjetër, por për shkak ruajtjes së dinjitetit njerëzor, nderit, nderë të cilin, e nënçmoi edhe partia shqiptare në qeveri, por edhe partia më e madhe shqiptare në opozitë, njëra parti i mori gratë me shamija me pranga, ndërsa tjetra gjuante në Xhaminë e Brodecit, u bë parti që përzihej edhe në institucionet fetare, etj.

Pas çdo bisede që hasim në rrugët tona, të pa asfaltuara dhe të pa ndriçuara, apo disa rrugë të ndriçuara para zgjedhjeve, kacafytemi mes vete duke e mbrojtur çdonjëri mendimin e tij se kjo parti është më e mirë, ky politikan është më i mirë, ky mendon më ndryshe etj, dhe pas çdo përfundimit të bisedës, pas harxhimit e të hollave në çajtore, të gjithë në tryezën e “zgjedhjes së problemit”, pasi që bëjnë hapin e parë për t’u ngritur nga vendi, qeshin dhe tallen me bisedën që e bënë, dhe të gjithë pajtohen se...të gjithë janë të njëjtë, mere njërin, përplase për tjetrin...