RTV Zëri · Kryefaqja

EULEX interesohet për Isa Mustafën për Fondin e 3 përqindshit

2013-01-12 · Arkivi historik RTVZIK

EULEX interesohet për Isa Mustafën për Fondin e 3 përqindshit

Ish-veprimtari i LDK-së me qëndrim në SHBA, Musa Daka ka mbërritur në Prishtinë për të dëshmuar mbi akuzat e tij të bëra kohë më parë lidhur me keqpërdorimet e Fondit të 3 për qindshit, para luftës së Kosovë, të organizuar nga ish- Qeveria e Bujar Bukoshit.Gazeta Express shkruan sot se për dy ditë rresht, një Prokurore e EULEX-it e ka pyetur atë për rolin e Isa Mustafës dhe të tjerëve në keqpërdorimin e këtyre mjeteve.

Në një bisedë për Express, Daka tregon se çfarë u tha europianëve dhe shpalos fakte të reja që, sipas tij, inkriminojnë Kryetarin e LDK’së.

“Foli, por nuk i besoi askush. Madje e quajtën edhe shpifës dhe njëri që nuk posedon fakte. Por, ndryshe nga politikanët, dikush duket se i ka marrë seriozisht pohimet e Musa Dakës, zyrtarit të dikurshëm të LDK’së i cili u bë i famshëm muaj më parë kur nxori dokumente dhe fotografi që, sipas tij, flasin për keqpërdorimet që ka bërë me paratë e popullit Isa Mustafa, ish-Ministri i Financave i Qeverisë në Ekzil dhe tani Kryetar i LDK’së dhe i Prishtinës”, ka shkruar sot gazeta, duke shtuar se Daka enkas për këtë çështje ka ardhur nga Nju Jorku.

Musa Daka tregon se është marrë në pyetje dy ditë rresht nga Prokurorja Maria Bamieh, të cilës në tavolinë ia ka lënë edhe krejt provat materiale që disponon.

“Jam ftuar më herët, por për shkaqe personale nuk arrita të vij, prandaj tash kur jam në Kosovë unë kam shkuar atje dhe kam dhënë krejt dëshminë time dhe i kam bashkangjitur edhe faktet që posedoj”, ka thënë Daka të premten për Gazetën Express. (INA)