RTV Zëri · Kryefaqja

Shtëpia e kulturës në Tetovë, pa ngrohje

2012-12-15 · Arkivi historik RTVZIK

Shtëpia e Kulturës në Tetovë, megjithë premtimin e ministrisë së Kulturës se këtë javë do të pajiset me lëndë djegëse, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kreu i shtëpisë së Kulturës Haki Fazliu alarmoi javë më parë ministrinë e Kulturës se ka çdo ditë aktivitete dhe se patjetër nevojitet lëndë djegëse për ngrohje, por një apel i tillë ra në vesh të shurdhër.

“Është e vërtetë se edhe gjatë kësaj jave nuk ka lëndë djegëse për nxehjen qendrore por ne jemi duke hartuar planin që të mos na dështojnë takimet e përcaktuara, sepse, teknika e re e montuar na lejon një mundësi të tillë, pra palët që do organizojnë duhet të na ndihmojnë në këtë rast që të mos na dështojnë projektet”, tha Haki Fazliu, drejtor i shtëpisë së kulturës Tetovë.

Fazliu shprehet se, zgjidhje do të përpiqet të gjejë zgjidhje përmes donacioneve nga organizatorët, edhe pse nuk dha shpresa se ata mund të sigurojnë lëndë djegëse për zhvillimin normal të aktiviteteve në Shtëpinë e Kulturës.

“Plani alternativ është që mjetet që do kontraktohen me palët, pra palët të sigurojnë derivatin me çka do sigurojmë kushte optimale për mbajtjen e programeve të planifikuara”, u shpreh Haki Fazliu, drejtor i shtëpisë së kulturës Tetovë.

Nga ana tjetër, sekretari shtetëror në Ministrinë e kulturës Muzafer Bislimi, përmes telefonit, deklaroi sot për ALSAT se Ministria e ka miratuar sot vendimin për lëshimin e lëndës djegëse, megjithatë duhen disa ditë që ajo ai të vihet në zbatim. Në këtë shtëpi kulture, të hënën pritet të mbahet edhe manifestimi i 17 vjetorit të USHT-së, i cili si duket do kalojë pa ngrohje, në temperaturat minus të këtyre ditëve. Bashkim Sulejmani - Alsat-M