Pas aktorit Nik Xhelilaj, një tjetër aktore shqiptare është në listën e 10 aktorëve më të mirë të Europës.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kuadër të “European Film Promotion”, ka nominuar aktoren nga Kosova, Arta Dobroshi, e cila është përfshirë në dhjetëshen më të mirë mes 30 konkurrentëve nga Europa.
“Aktorja Arta Dobroshi ka një pasuri njerëzore dhe ngrohtësie. Ndjeshmëria dhe zgjuarësia në fjalët e saj ndihen në ekranin e madh në minutën që ajo shfaqet. Një performancë e madhe”, është shprehur juria e “Shooting Stars” 2012.
Ceremonia e “Shooting Stars” do të mbahet në Berlinale nga 9-11 shkurt, 2013. Përveç Arta Dobroshit, mes 10 aktorëve më të mirë të rinj renditen Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka, Laura Birn nga Finlanda, Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Luca Marinelli nga Italia, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia dhe Carla Juri nga Zvicra. Programi “Shooting Stars” financohet nga Agjencia për Promovimin e Filmave Evropianë dhe u ofron fituesve mundësi promovimi, si takime me agjencitë audicionale në Berlinale apo vizita nëpër festivale të ndryshme në Evropë dhe në Hollywood.
Në moshën 17-vjeçare, Arta Dobroshi u kthye nga SHBA në vendlindjen e saj Kosovë për të studiuar katër vite me radhë aktrimin në Akademinë e Arteve në Prishtinë, dhe në vijim interpretoi në teatër në pjesë klasike. Pas disa prodhimeve të mëdha si “Syri Magjik” i Kujtim Çashkut apo “Trishtimi i zonjës Shnajder”, Arta tërhoqi vëmendjen e dy kineastëve belgë. Vëllezërit Dardenne i ofruan asaj rolin kryesor në filimin “Heshtja e Lornës”. Ky film e pati premierën në festivalin e 61-të në Kanë, ku aktorja shqiptare bashkë me argjentinasen Martina Gusman ishin favoritet kryesore për çminin e aktrimit.