RTV Zëri · Kryefaqja

Tragjedi në SHBA, dhjetëra fëmijë të vrarë

2012-12-14 · Arkivi historik RTVZIK

Disa të vrarë nga të shtënat në një shkollë në Konektikat, shumica e viktimave janë fëmijë të mitur. Ky është lajmi tronditës që vjen nga SHBA, ndërsa mbeten ende të paqarta rrethanat e tragjedisë. Numri rritet nga minuta në minutë, dyshohet se vrasësi ose vrasësit kanë asgjësuar një klasë të tërë me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi në një shkollë fillore të rajonit Newtown dhe të dhënat e para u bënë të ditur nga rrjete të mediave lokale.

Policia kishte marrë një mesazh se një person i armatosur kishte mbërritur në shkollën fillore.

''Në shkollën fillore 'Sandy Hook'’, të Newtown, në Konektikat, u regjistrua fillimisht një viktimë dhe shumë të plagosur si pasojë e një shkëmbimi të fortë zjarri në brendësi të ambienteve të ndërtesës'', njoftonte fillimisht rrjeti televiziv lokal që citohej nga CBS.

Pak minuta me pas, BBC duke cituar mediat lokale amerikane bën të ditur se të paktën disa persona janë vrarë nga të shtënat me armë në brendësi të shkollës. U konfirmua se drejtori dhe psikologu janë vrarë dhe pjesa tjetër e viktimave janë fëmijë të mitur.

Ndërsa informacionet mbi viktimat vijojnë të jenë kontradiktore. 3 persona konfirmohet se janë dërguar në spital në gjendje tepër të rëndë për jetën.

Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur 2 armë, ndërsa vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë. Nga të dhënat paraprake dyshohet si autor njëri prej prindërve që kishte fëmijën në këtë shkollë.

Rrjeti amerikan CBS po ashtu bënte të ditur se një prej viktimave ishte një prej personave të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit ndërkohë që një person tjetër është arratisur, por për momentin autoritetet lokale nuk e kanë konfirmuar ngjarjen.

Zona përreth institutit arsimor është izoluar dhe shkolla është evakuuar plotësisht.

Një dëshmitar në CNN tha se mund të kenë qenë mbi 100 të shtëna me armë.

Zjarrfikësit i kanë evakuuar fëmijët nga ndërtesa e shkollës duke i vënë në rresht dhe u kanë kërkuar të mbyllin sytë që të mos shohin skenat e tmerrshme të shokëve dhe miqve të vrarë me armë.