Sekretarja e Departamentit të Shtetit, Hillari Klinton tha javën e kaluar se Ballkani duhet të integrohet në BE. Vizita e Klintonit në rajon në fillim të nëntorit, riafirmoi qëndrim amerikan të vazhdimit të pranisë diplomatike në Ballkan, por duke lënë disa çështje nën drejtimin e BE-së dhe politikave rajonale të disa qendrave të cilat janë nën menaxhimin e Brukselit.
Për më tepër, Drejtoria Inteligjente Kombëtare e Amerikës, theksoi se pas dy dekadave, bota nuk do të jetë më unipolare, por do të karakterizohet nga rritja e fuqive të shteteve tjera, por megjithatë Amerika, do të mbajë statusin e “primus inter pares”. Kërcënimet e jashtme që prekin sigurinë kombëtare të Uashingtonit, mund të çojnë që pozicioni amerikan të ndryshojë, por duhet vënë në dukje se përgjatë historisë së Amerikës, çështjet ekonomike, krizat financiare, kanë ndikuar që politika amerikane, në faza të ndryshme të pësojë një farë izolimi për disa rajone të caktuara të botës. Por çfarë do të ndodhë me Ballkanin dhe shqiptarët në rast të një tërheqje amerikane nga Evropa apo të “rënies amerikane” në politikën botërore ?!
Amerika në politikën ballkanike dhe evropiane
Në këto raporte, Fuqitë Botërore në të kaluarën, ndërtuan strategji dhe përçanë kombet e Ballkanit, mbi baza të kartës së identitetit etnik. Austro-Hungaria, Prusia patën një farë mirëkuptimi për kërkesat shqiptare për autonomi apo pavarësi dhe vazhduan përkrahjen edhe më vonë gjatë vlimeve rajonale. Nuk vonoi shumë edhe Amerika, gjatë krizës evropiane dhe ballkanike 1919 - 1920 mbështeti shqiptarët në Konferencën e Parisit. Kjo politikë vazhdoi pas viti 1991,pas një ndërprerje mëse 50 vjeçare, ku amerikanët zbarkuan të parët në Ballkan, duke vazhduar marrëdhëniet diplomatike me Tiranën, duke ndalë dhunën serbe në Bosnjë dhe ndihmoi Kosovën, disa vite më vonë të çlirohet nga trupat serbe. Angazhimin amerikan ushtarak dhe diplomatik në Evropë, e shohim aty kah viti 1917, një vit para përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Dështimi evropian për të përballuar gjermanët në të dy luftërat, bënë që Amerika të pushtojë Evropën, duke u bërë një mbështetëse e fortë për shtetet evropiane të Evropës Perëndimore. Po ashtu konflikti ideologjik me Rusinë (BRSS) ndikoi që prania amerikane të ndjehet edhe në Ballkan, por duke lënë një zonë të zbrazët, që më vonë do të shërbejë si shkas për shpërthimin e konfliktit etnik dhe shkatërrimin e ish-Jugosllavisë. Por, kriza aktuale në BE, e ka bërë të paqartë edhe një herë ardhmërinë e vendeve të brishta të Ballkanit Perëndimorë. Dëshirat e këtyre shteteve janë që të anëtarësohen në BE, por historia ka treguar dhe po dëshmon se ky rajon e ka të vështirë të lëvizë drejt trendëve ndërkombëtare. Më shumë rajoni është zhytur në konflikte të brendshme dhe vetizolim, edhe atë si rezultat i vijave ndarëse etnike, fetare dhe ideologjike që e kanë karakterizuar Euro-Azinë, pra dhe Ballkanin. Në këto rrethana historike, zbarkimi amerikan në Ballkan pas vitit 1995, si duket e qetësoi gjendjen dhe krijoi kushtet për një ardhmëri më tjetër në krahasim me atë çfarë ofroi Perandoria Romake, Bizantiane dhe Osmane. Konfliktet ballkanike, që nga viti 1912 e deri më 2001, provuan se sa vështirë e kanë shtetet e Ballkanit të bashkëpunojnë dhe të integrohen në sistemin ndërkombëtarë të politikës botërore apo evropiane. Amerikanët pas vitit 1991, pra pas shkatërrimit të (BRSS)-së, mbetën fuqia e vetme në politikën ndërkombëtare, dhe ky status, bëri që Uashingtoni të veprojë lirshëm dhe të aprovojë një gjeopolitikë tjetër në Evropë dhe Ballkan. Amerikanët për dy dekada vepruan ndryshe me popujt të cilët nuk kishin aftësi ushtarake dhe ekonomike të projektojnë forcë. Në krahasim me evropianët të cilët që nga viti 1500 i shtypën etnitë të cilët nuk gëzonin ndonjë status në politikën evropiane dhe ballkanike, amerikanët u dhanë mundësinë këtyre ideve-projekteve kombëtare, të zhvilloheshin në një ekuacion të ri gjeopolitik, për të ndihmuar zgjerimin amerikan në Ballkan dhe Azi. Pra Uashingtoni zhvillonte politikë të marrëdhënieve speciale me këto shtete në krijim apo që kërkonin ngritje ekonomike dhe shtetërore. Amerikanët balancuan kërkesat maksimaliste që vinin nga grupet nacionaliste, me qëllimet e politikës amerikane, që kryesisht fokusohej në zbutjen e konflikteve , zbatimin e reformave demokratike dhe integrimin e rajonit në BE apo NATO. Aktualisht është e pa qartë, se si rezultat i krizës botërore, apo ndonjë ndryshimi eventual në politikën e jashtme amerikane, çfarë gjendje do ta përfshinte Ballkanin. Natyrisht ky vakum gjeopolitikë që ka ekzistuar që moti, do ta kthente zonën në një fushëbetejë në mes BE-së, Rusisë, Turqisë dhe Amerikës. Me zbarkimin e këtyre forcave, Ballkani (harta gjeografike) do të pësonte ndryshime radikale dhe njëkohësisht do të shkaktonte luhatje në baraspeshën në mes shqiptarëve dhe sllavëve, dhe me këtë do të krijonte një front tjetër më të gjerë shqiptaro-sllav, duke përfshirë këtu edhe aleatët euro-amerikan. Baraspesha në mes forcave do të lëkundej, dhe do të çonte rajonin në një situatë si para vitit 1878 apo do të sillte një gjendje që nuk do të ndryshonte si me atë të fillim shekullit të XX. Pra, këtë lëvizje të forcave, është duke e parandaluar prania amerikane në rajon dhe depërtimi i thellë amerikan, për disa dekada në sistemin politik të Evropës. Nacionalizmi evropian mund të ndryshojë çdo qasje graduale të integrimit të Ballkanit në BE. Edhe pse është mjaft i diskutueshëm anëtarësimi i shteteve të rajonit në këtë strukturë të dobësuar evropiane, Ballkani pa mbulesën amerikane do të kthehej në zona të interesit të Evropës së përçarë, Rusisë, Turqisë dhe së fundi të vetë shteteve ballkanike.
Depërtimi rus në Ballkan
Depërtimi rus në Ballkan është duke e bërë edhe më të paqëndrueshëm zhvillimin e gadishullit. Luftërat ruso-turke dhe ato evropiane, të shekujve të kaluar, veçse na japin fakte, se Kremlini, do të vazhdojë të angazhohet për këtë zonë, pra të përpjekjeve, për të influencuar mbi politikat e disa shtete ballkanike. Tani nëpërmes infrastrukturës energjetike-investimeve në Maqedoni, Serbi duke përjashtuar investimet në Evropën Qendrore dhe Lindore, Kremlini mundohet të ndikojë mbi këto qeveri. Si duket, Kremlini ka arritur t’i joshë këto shtete me dhënien e kredive dhe kalimit të linjave të gazit natyrorë nëpër këto territore (Serbi, Maqedoni). Përplasja me Amerikën bëhet në fushën e gjeopolitikës së energjisë, e jo të rikthimit apo konfrontimit klasik për gadishullin. Kjo gjendje nuk do të linte anësh Rusinë që duke e parë këtë zhvendosje amerikane, do të afrohej drejt zonës, me të gjitha kapacitetet ushtarake dhe ekonomike, duke shfrytëzuar linjat historike të komunikimit me shtetet sllave të rajonit (Kriza Lindore). Një argument më shumë, në Sërbi, gjatë viteve të fundit në qytetin Nish, në afërsi të territorit të banuar me shqiptarë, u ndërtua një qendër inteligjente ruse për të vëzhguar aktivitetet amerikane në Ballkan. Këtu duhet të theksohen projektet ruse të gazit dhe kredive dhënë këtyre shteteve të tipit lindorë. Ndoshta nuk përjashtohet mundësia e aktiviteteve ushtarake në rajon edhe kjo në të ardhmen mund të ndodhë, nëse vërtetë Uashingtoni, do të lëvizte drejt një ballafaqimi ushtarak-detar me Kinën dhe konfrontimi me Moskën do të ishte i detyruar i paevitueshëm për të mbrojtur investimin disa vjeçare në rajon. Është e paqartë se si e kanë kalkuluar amerikanët këtë interes në Ballkan dhe si do ta kapitalizonin këtë menaxhim disa vjeçare të tyre, të tipit të intervenimeve humanitare-ushtarake dhe organizimit të konferencave ndërkombëtare për të zgjidhur konfliktet të shkaktuara nga zgjidhjet e padrejta historike të Evropës dhe fuqive tjera. Deri tani përmendëm se çfarë Amerika po bën dhe si është duke e vëzhguar rajonin. Por çfarë në të vërtetë do të ndodhtë nëse Amerika, për shkak të problemeve të përmendura më lartë, do të vendosë që pas disa viteve, të përgatitet për një tërheqje graduale nga Ballkani, duke lënë në dorë shumë çështje, Evropës së fragmentua dhe Turqisë.
Shqiptarët dhe gjeostrategjia tjetër
Në kuadër të “rënies amerikane” dhe shfaqjes së forcave të errtë ballkanike, nuk vonoi shumë që të gjithë premtimet që i dhanë liderët e këtyre shteteve për një politikë stabile me shqiptarët, u humbën para dhe pas kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptarë. Nacionalizmi serb, maqedon dhe grek nxorën në sipërfaqe politikat e zymta të bashkëpunimit rajonal dhe shfaqjes në skenën politike ballkanike, të skemave të vjetra të dominimit mbi popujt jo sllav. Kur njëqind vite më parë Ballkani, tokat shqiptare u shkelën dhe filluan të administrohen nga po këto shtete fqinjë, shqiptarët, u përballën me një krizë të thellë të organizimit politiko-ushtarak. Kjo kishte të bënte me konfuzionin e përgjithshëm shqiptarë, që sundonte në atë kohë disa vite para shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe kryesisht kishte të bënte me orientimin strategjik të shqiptarëve në rajon. Ky reflektim u vërejt me depërtimin e thellë ushtarak dhe organizativ të Serbisë, Mal të Zi dhe Greqisë në kryengritjet shqiptare apo në qeveritë që u formoheshin shpejtë dhe që nuk qëndronin gjatë në skenën e acaruar politike të asaj kohe. Sot, këto marrëdhënie nuk kanë ndryshuar edhe përkundër stabilitetit që ka pësuar rajoni pas Marrëveshjes së Dejtonit, Kumanovës dhe Ohrit. Historikisht Ballkani, është ndikuar nga faktorët e jashtëm, pra nga gjeopolitika, që fshehurazi ka fragmentuar rajonin dhe ka thelluar ndasitë etnike dhe me këtë ka shtuar përplasjet e Fuqive Botërore dhe atyre evropianëve për dhe rreth rajonit. Shqiptarët para dhe pas vitit 1878-1912 -2012, si duket u vonuan në zgjimin kombëtarë për të formuar dhe artikuluar fortë kërkesat strategjike. Përveç anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, pavarësisë së Kosovës (nën vëzhgim ndërkombëtarë) pozitat e shqiptarëve nuk janë stabile. Ndasitë në lëvizjen shqiptare drejt Lindjes apo Perëndimit si atëherë dhe sot janë si paradigmë në të gjitha qeveritë shqiptare, të cilët nuk mund të dalin me një strategji të përbashkët kombëtare. Ky faktorë ka ndikuar që shqiptarët jashtë kufijve administrativë t’ju nënshtrohen politikave të qeverive të Shkupit, Podgoricës dhe Beogradit. Popullata e këtyre zonave është lënë nën manipulimin e forcave që kanë një legjitimitet të zbehtë kombëtarë. Historikisht në Ballkan, janë portretizuar liderë të dyshimtë, të cilët kanë pasur agjenda të caktuara politike dhe kanë zbatuar planet e shteteve ballkanike apo të ndonjë vendi tjetër evropian. Nuk është bërë e njohur deri më tani nëse shqiptarët a janë në kërkim të ndonjë gjeostrategjie tjetër.
Largimi amerikan nga Ballkani dhe pozita e shqiptarëve
Për më shumë, “tërheqja amerikane” do t’i linte shqiptarët në një pozitë jo të mirë,të cilët në fund të shekullit të XX krijuan një marrëdhënie speciale me Uashingtonin. Kufijtë në Evropë dhe në Ballkan kanë ndryshuar gjatë periudhave të ndryshme historike, dhe pse a nuk është e mundur që këto linja kufitare të ndryshojnë në të ardhmen?! A ishin interesat e Fuqive të Mëdha gjatë konflikteve ballkanike dhe evropiane të shekujve të kaluar që ndryshuan kufijtë dhe krijuan shtete të reja në Evropë dhe Ballkan?! Duke parë rajonin dhe sistemin ndërkombëtarë nga këto të dhëna historike, Ballkani do të ndryshojë edhe më shumë nga vetë kriza evropiane, që nuk ka lënë pa prekur politikat shtetërore-nacionaliste të Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë,të cilët duke parë këtë krizë janë duke ashpërsuar lëvizjet kundër shqiptarëve. Aleancat që lidhen aktualisht në rajon, të kujtojnë marrëveshjet kundër shqiptarëve para dhe pas pushtimit të Perandorisë Osmane të Ballkanit. Është e paqartë variabla se si do të vepronin shqiptarët në këtë vakum gjeopolitikë, pa ndihmën e amerikanëve. Ilirët- shqiptarët u ndanë në provinca nga Perandoria Romake, në vilajete nga Perandoria Osmane dhe së fundi pas vitit 1912-1913, u lanë nën pushtimet e huaja të shteteve fqinje. Kjo ndodhi sepse shqiptarët nuk kishin ndonjë sponsor të fuqishëm ndërkombëtarë ku vendosej për problemet e rajonit. Të dhënat nuk tregojnë se politika shqiptare po funksionon njëjtë në të dy anët e kufirit administrativ për të përballuar krizën eventuale që do të sillte kjo lëvizje amerikane në Evropë dhe Ballkan. Kosova dhe Shqipëria deri diku kanë bërë disa projekte të përbashkëta, por nuk ekziston ndonjë sistem unik i integrimit i të dhënave inteligjente, financiare etj. Infrastruktura e rrugëve automobilistike, hekurudhave, nuk është mjaft e zhvilluar për të ballafaquar këtë kërcënim fqinjësorë. Shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe Çamëri, përveç dekretit qeveritar të njoftuar nga Tirana të dhënies së shtetësisë për çdo shqiptarë, as që janë duke u përmendur në ndonjë sistem të përbashkët kombëtarë. Shqiptarët në këtë krizë post-amerikane do të kërkonin ndihmë nga evropianët, për të përballuar politikat e shteteve sllave, por sipas ngjarjeve historike kjo do ishte shumë vështirë të zbatohej, për shkak të dallimeve në Evropën e krizës së brendshme dhe të shpërndarë në pikëpamje të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Ballkani dhe Evropa, në këtë anarki post-amerikane, do të çonin gadishullin në një fazë që do të ndryshojë nga periudha, kur Austro-Hungaria, Gjermania, Rusia, Turqia u përleshën, për të fituar më shumë territore dhe kështu paralelisht sollën luftërat ballkanike dhe evropiane. Në këtë fazë mund do të shohim një rritje të dominimit turk në rajon, për shkak të lidhjeve historike të rajonit me këtë shtet dhe tendencave turke për tu rikthyer me politikat ekonomike dhe diplomacisë së quajtur “zero probleme me fqinjët”. Këtu duhet të kemi kujdes, nëse Turqia do të përdorë politikën e njëjtë të selektimit të miqve dhe armiqve, duke rreshtuar shpeshherë kundërshtarët e shqiptarëve në pozicione më të përshtatshme gjeopolitike. Ndërkohë Serbia, Mal i Zi, Maqedonia dhe Greqia do të zbatonin një koncept të njëjtë ndaj pjesës jo sllave të gadishullit. Pra këto shtete nuk kanë çfarë të ndryshojnë, kur është në pyetje pozicioni shqiptarë, dhe këtu është shtuar vetëm një aktor, Maqedonia. Këtë faktorë duhet trajtuar në mënyrë specifike, se si në këtë lojë të balancimit të forcave, Maqedonia, është duke dëmtuar shqiptarët dhe ndihmuar politikat që janë kontradiktore me atë çfarë amerikanët janë angazhuar me vite. Duket se çdo “rënie amerikane” në rajon do të pritej mirë nga këto shtete të lartpërmendura. Depërtimi serb në Maqedoni, në pjesën veriore të Kosovës, Bosnjë nuk tregon se kemi politikë kombëtare, që do t’i kundërshtonte këto forca. Forcat politike shqiptare nuk janë të angazhuara në drejtim të hartimit të një strategjie kombëtare, të mbushjes së vakuumit që do të krijohej poqese amerikanët do të tërhiqeshin. Tani për tani Shqipëria dhe Kosova kanë si përparësi integrimin në BE, kjo e fundit edhe në NATO, dhe thonë se fuqizimi-bashkimi kombëtarë do të arrihet në BE. Por, shqiptarët në shtetet tjera që administrohen nga pushtetet sllave nuk kanë fuqi që të kundërshtojnë këtë ide të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe liderët lokalë janë pajtuar me këtë situatë apo formë të bashkimit virtual. Por çfarë do të ndodhë nëse projekti drejt BE-së, së bashkuar do të dështonte apo vetë BE dhe Eurozona do të shkonin drejt kolapsit ?! Kur amerikanët do të ishin larguar nga rajoni, ideja për unitet në BE të ketë dështuar, Ballkani i fragmentuar dhe i sunduar nga forcat regresive, atëherë Rusia dhe Turqia do ta mbushin këtë vakum, duke angazhuar edhe aleatët lokalë. Por siç do herë ngel konstante variabla se si do të gjendeshin shqiptarët në këto rrethana përkrah politikave të qeverive nacionaliste ballkanike dhe duke i marrë parasysh këto dilema, si do të vepronin qeveritë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë?! Është e njohur pra se këto forca, do ta mprehin edhe më shumë Ballkanin dhe pozitën e shqiptarëve atje. Si do që të jetë largim apo prani e konsiderueshme amerikane në rajon, qeveritë shqiptare duhet të përgatiten për një trend apo –rregull të ri rajonal dhe ndërkombëtarë. Le të shpresojmë që Amerika, të vazhdojë të mbajë hegjemoninë në sistemin ndërkombëtarë dhe të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm ashtu si më parë në të gjitha qendrat e vendosjes dhe nuk do të vijë deri tek sistemi ndërkombëtarë që do të karakterizohej nga multipolariteti. Aktualisht Amerika, është fuqi e vetme që mund të projektojë forcë në të gjithë globin, ka një ekonomi më të madhe dhe gjeografi që nuk mund ta shohim në vendet tjera që pretendojnë ta kundërshtojnë apo konkurrojnë atë. Megjithatë rend i ri ndërkombëtarë me forca të reja, është krijuar edhe në të kaluarën, dhe këtu më së shumti e kanë pësuar kombet-popujt që nuk kanë pasur kapacitete që të përballojë këtë rregull apo të kundërshtojnë forcat rivale rajonale dhe globale. Së fundi në të ekuacion hynë të gjithë ata që jetojnë në Ballkan, pra edhe shqiptarët, të cilët përveç amerikanëve dhe deri diku gjermanëve, janë të rrethuar me kundërshtarë, të cilët historikisht kanë bërë përpjekje që të pushtojnë më shumë territore shqiptare. Ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare-sistemin, do ta prekin padyshim Ballkanin dhe shqiptarët. Njëkohësisht do të rriten rivalitetet rajonale dhe Fuqive të Mëdha për të gjitha problemet që ballkanasit do të ballafaqohen në të ardhmen. Së fundi, bota dhe politika ndërkombëtarë do të ishte me keq pa Amerikën si lider në të të gjitha çështjet dhe krizat botërore.
(Autori është master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Universiteti Webster, SHBA)