RTV Zëri · Kryefaqja

Ç’është dashuria?

2012-12-07 · Arkivi historik RTVZIK

Shumë njerëz e ngatërrojnë dashurinë me pasionin. Mund të ekzistojë pasion pa dashuri, sikurse dhe dashuri pa pasion. Pasioni është një instikt, një nevojë edhe fizike. Pasioni ka si synim ta lehtësojë një trup të cfilitur nga ndjenjat. Mund ta krahasojmë me urinë ose me etjen, që zhduken tërësisht kur hamë ose kur pimë.

Pasioni, shpesh është i tillë që nuk i dallon personat. Ndryshe është dashuria: ajo zgjedh gjithçka. Pasioni ngulitet te një grua e përcaktuar, duke i përjashtuar gratë e tjera. Synimi ndaj të cilit pritet pasioni i ynë duket indiferent, ndaj edhe disi i mërzitshëm dhe antipatik - menjëherë pasi plotësohet synimi i vet. Por një gjë e tillë nuk ndodh kurrë me njeriun (personin) që dashurojmë. Pasioni lind nga disa dhunti të caktuara të jashtme kryesisht trupore, kur nga njeriu të cilin e dashurojmë, kërkojmë veti dhe cilësi të tjera, kryesisht të brendshme, psikike dhe shpirtërore. Një grua mund të dashurojë një burrë, pa u ndihmuar aspak qoftë edhe kur është shuar ngopja lidhur me pasionin më të vogël për të. Ekzistojnë shumë bashkëshortë të moshuar, por edhe me moshë të mesme, që nuk e dashurojnë më njeri-tjetrin, por, megjithatë vijojnë të dashurohen me njomësi dhe thellë. Psikologët vërtetojnë, se dashurohemi kryesisht pas atij personi (burrë apo grua) që karakterizohet nga cilësitë, që do të dëshironim t’i kishim vetë. Meqenëse se cilësi të tilla shpesh nuk i zotërojmë, ndjejmë një farë dëshpërimi ndaj vetes. Kur ajo ndjenjë arrin në një farë shkalle të caktuar tensioni, atëherë jemi pjekur për të bërë dashuri. Me fjalë të tjera dashuria nuk është veçse një dëshirë e jona, e fortë, që synon t’i shtojmë personalitetit tonë edhe cilësitë që e ndjejmë se na nevojiten. Pra, kurrë nuk duhet përfillur si e rastit zgjedhja e jonë lidhur me dashurinë, me kusht që ajo drejtohet gjithmonë nga nevoja psihike më të thella. Ndërkaq, shpesh bëjmë gabime, gjersa ia arrijmë qëllimit të zgjidhim atë njeri që na përputhet realisht. Kjo ndodh sepse edhe ne vetë kemi pësuar zhgënjim lidhur me personalitetin tonë të vërtetë dhe lidhur me kërkesat tona të brendshme. Burrat bien në gabime të tillë më shpesh se gratë, sepse janë më pak realistë. Atë, në thellësinë e tyre, mbeten romantik e të pandreqshëm, kurse gratë, në këtë drejtim, janë më të kujdesshme. Pikërisht kjo është arsyeja që gratë parapëlqejnë të ashtuquajturit «burra që urrejnë gratë». Gratë veprojnë kështu jo të nisura nga kokfortësia e tyre, që të mposhtin kundërshtimin e tyre, por nga një pikëpamje logjike e caktuar. Ç’është e drejta, ata burra që i himnizojnë vazhdimisht gratë, duke i përfillur të dlira, të sjellshme dhe që nuk mund t’u afrohesh lehtë, janë pikërisht ata që mbeten zakonisht të pamartuar! Ky admirim i tejskajshëm ndaj grave fsheh në vetvete përpjekjen e tyre për t’iu shmangur lidhjes së vërtetë me një grua, sepse e kuptojmë, në intimitetin e tyre, se realiteti, sidoqoftë, do të jetë më i dobët se sa ideali i tyre. Dhe e kundërta: ata që i kritikojnë rëndë gratë dhe të metat e tyre, shpirtërisht janë të përgatitur për t’u dashuruar me vajzën e parë të bukur që do të ndeshin, e cila do të mund të vërtetojë me fakte, se nuk janë të bazuara akuzat që i bëhen seksit femëror. Duhet theksuar se një grua mund të dashurojë një burrë, madje edhe kur i kupton të metat dhe mungesat e tij. Kurse burri dashurohet, më vështirë me një grua, për të cilën mendon se nuk i përputhet idealeve të tij. Ndërkaq, ekzistojnë edhe gra «që dashurojnë me fanatazinë dhe parafytyrimin e tyre». Ato janë gra që thurin me fantazi shembëlltyra të dashnorit, të ndryshme nga realja. Psikologu amerikan doktor Raiku, përmend rastin e çuditshëm të një gruaje, e cila gjeti lumturinë, vetëm kur arriti të bluajë në fantazinë e saj se ajo vetë ishte e ndryshme, se qe shndërruar në një person tjetër. Ajo ishte një grua me moshë mesatare, e ve, që mbahej akoma si shumë e bukur dhe që ishte martuar përsëri me një burrë shumë më të ri në moshë. Me bashkëshortët jetonte edhe vajza nga martesa e saj e parë. Një mbrëmje, pas barrës, kur vajza u ngrit nga tryeza dhe shkoi drejt portës, nëna vuri re se burri i saj e shikonte me admirim. Një gjë e tillë e tronditi gruan aq shumë sa që atë natë qëndroi e ftohtë ndaj joshjeve erotike të burrit. Ditët e pastajme gruaja e bëri zakon të shikohej gjatë në pasqyrë duke hetuar me kujdes edhe rrudhat më të imta të fytyrës dhe të qafës. Shkurt nuk po i përgjigjej aspak dashurisë që tregonte burri ndaj saj. Një gjendje e tillë zgjati javë të tëra, gjersa një natë iu duk sikur gruaja që përqafonte burri nuk ishte ajo vetë, por vajza e saj. Për fat të mirë, me këtë ide jo të dëmshme (sepse e mbajti të fshehtë në mendjen e saj), më së fundi, dalëngadalë, mblodhi mendjen dhe provoi dashurinë e vërtetë në prehërin e burrit - i cili për fat të mirë nuk mori vesh asgjë nga ankthi që e kishte pushtuar gruan, për një kohë të gjatë.

Çfarë është dashuria juaj Në shumë raste ajo që ne e quajmë dashuri nuk është gjë tjetër përveçse një tërheqje intensive fizike. Kjo dukuri vihet re shpesh të të rejat, kur ato ndërmarrin hapat e parë në jetë. Fantazia e tyre, që në këtë moshë është e pakufi, përmbyll brenda vetes një oqean me pasione, të cilat, ndoshta, gjer dje ishin të papërcaktuar dhe të pakapshëm dhe nuk e gjenin rrugën për të shpëthyer. Pikërisht tani këta lloj pasionesh ndërgjegjësohen dhe përqëndrohen rreth një personi të caktuar, i cili shërbeu si epiqendra e tyre. E njëjta dukuri mund të vrojtohet edhe te një e re më e madhe në moshë, të cilën kërkimet sentimentale e kanë lodhur ose e kanë zhgënjyer. Vajza nga përvoja e saj, pavarësisht nga mosha, e dallon veten në kënaqësinë seksuale dhe ndoshta nuk kërkon asgjë tjetër përveç asaj. Si te njëri, ashtu dhe të tjetri rast, kemi të bëjmë me ethet e ndjenjave, të cilat, ngandonjëherë, janë shumë të forta. Ruhuni nga ky lloj i dashurisë. Ajo nuk ju çon shumë larg. Do të vijë një ditë që do të lodheni dhe atëhere do të zbuloni, por krejtësisht pa pritur, se njeriu që ju adhuroni, nuk paska qenë asgjë për ju. Në raste të tjera, zakoni që me të parë një të ri, krijoni përshtypjen se e dashuroni, është një ndjenjë e gabuar. Pse i shkuat në vendtakimin e parë që ai ju kërkoi? Nga u nisët? Nga padituria, nga kërshëria apo nga dëshira për të dalë jashtë guaskës tuaj dhe për t’u njohur me një burrë, apo thjesht për të vepruar sikurse veprojnë dhe gratë e tjera? Kështu padituria, nga kërshëria apo nga dëshira për të dalë jashtë guaskës tuaj dhe për t’u njohur me një burrë, apo thjesht për të vepruar sikurse veprojnë dhe gratë e tjera? Kështu, me kalimin e kohës, u mësuat ta shikoni dhe të rrini me ata burra dhe tani ju tmerron mendimi se mund të mos e shikoni më. Kjo është shndrruar tanimë në një nevojë të vogël, të cilën e ndjeni në mënyrë intensive, sidomos në orën që do të shkoni në vendtakimin. Pra, duhet menduar ndërkaq, se lidhjet që ju bashkojnë me të mund të kenë tërësisht karakter sipërfaqësor, sa e sa dashuri nuk janë të tilla ose përfundojnë kështu? Pra, në këto lloj lidhjesh dashurore, ajo që është karakteristike, është forca e zakonit, e shprehisë që formohet. Jashtë këtij lloj zakoni nuk ekziston asgjë tjetër. Nga ana tjetër duhet patur parasysh fakti, se ajo që ju tërheq ndaj një burri, nuk është vetë ai, por pozita e tij shoqërore, respekti që tregojnë të tjerët për të, pasuritë apo makina e tij, mjedisi në të cilin jeton... Te kjo kategori bën pjesë dashuria e daktilografistes së re ndaj shefit të saj, të resë shtatëmbëdhjetë vjeçare ndaj shkrimtarit të famshëm, i cili fare mirë do të mund të ishte babai ose edhe gjyshi i saj, ose për të riun nga një familje pasanike që ka motoçikletën më të shtrenjtë të markës më të famshme. Shkurt, në këto raste dashuroheni pas rrobave dhe jo pas atij që i ka veshur ato. Gjersa do të zgjasë kjo dashuri për rrobat e pamjen e jashtme, dhe jo për vetë njeriun, punët do të shkojnë mirë. Por, do të vijë një ditë që do të ndjeni nevojën që të zhvishni rrobat dhe të shikoni se çfarë fshihet prapa tyre. Dhe atëherë, ka shumë mundësi të pranoni një zhgënjim shumë të madh. Ekziston gjithashtu edhe dashuria-pasion. Te ky rast nuk kemi nevojë të mësoni se kush dhe çfarë përfaqëson i dashuri i juaj, sepse, ju, nëpërmjet dashurisë me pasion, e keni stolisur atë, në mënyrë paraprake, me të gjitha hiret dhe me gjithçka pozitive. Madje arrini gjer atje sa edhe të metat ti përfillni si pozitive. Pra, e keni hyjnizuar. Natyrisht edhe kjo lloj dashurie ka bukurinë e saj. Madje do të ishte lumturi e vërtetë, sikur ky «verbim» me të cilin trajtohet dashuria me pasion, të mund të ruhej në mënyrë të përjetshme. Por fatkeqësisht, në realitet nuk ndodh një gjë e tillë. Dashuria me pasion është ajo që mund ta shtyjë një të re të bëjë marrëzi shumë të mëdha, madje ta bëjë që të shkelë gjithçka me këmbë dhe të mos marrë parasysh asgjë. Por ja, që për fat të keq, një dashuri e tillë shuhet shpejt! Dashurisë me pasion i përkushtohet dhe merr pjesë e gjithë qenia jonë. E reja, duke u dashuruar nga forca e papërmbajtur e pasionit, nuk dashuron asgjë tjetër përveç asaj që ajo t’i përkasë absolutisht dhe pa kushte të dashurit të saj. Por ekziston dhe një lloj tjetër dashurie, ajo që e ka qendrën e saj, vetëm në fantazinë, në parafytyrimin. E reja e çmendur fund e krye nga pasioni i dashurisë, në asnjë mënyrë nuk ia arrin që ta kundrojë të dashurin e saj ashtu sikurse është në të vërtet, por ashtu siç e ka përfytyruar. Edhe sikur të ishte ndonjë tjetër, e njëjta gjë do të ndodhte: edhe atë do ta shikonte me sytë e fantazisë dhe jo ashtu sikurse është në të vërtetë. Mund të thuhet se një vajzë e tillë pothuajse nuk ka nevojë për asgjë. Ajo jeton me parafytyrimin ose fantazinë e saj, prandaj është dhe e lumtur. Sikurse dihet, shumë të reja dashurohen me disa burra derisa gjejnë burrin me të cilin martohen. S’ka asnjë dyshim se dashuria është bulevardi i madh që të shpie te martesa. Po nuk shërbeu si mjet për t’ia arritur këtij qëllimi, përgjithsisht ajo humbë vlerën. Në disa raste, dashuria e juaj, nuk ka asnjë shtyse tjetër përveç se t’i bëni shoqet t’ju kenë zili, ose nuk mund të jetë gjë tjetër, përveçse një kapriçio, që ka lindur nga një rastësi e fatit dhe që nesër, do të fiket, njëlloj po në mënyrë të papritur. Le të përqëndrohemi vetëm te këto forma të dashurisë dhe të mos kërkojmë të gjejmë të tjera. Të gjitha këto forma emërtohen Dashuri, por asnjëra prej tyre nuk përfaqëson dashurinë e madhe që ju ëndërroni. Ku mund ta gjeni këtë dashuri të madhe? Dashuria e madhe mbase nuk vjen aspak. Më kot mund ta kërkosh këtë lloj dashurie, nuk do ta gjesh asgjëkundi. Por kjo nuk duhet t’ju bëjë që të dëshpëroheni. Mjaftohuni me atë që ju ofron jeta. Nga ana tjetër, nuk duhet të shkaktoni zhgënjime të cilat janë gjithmonë të rrezikshme. Mund të jeni sa të doni tolerues ndaj të tjerëve. Por vetes nuk duhet t’i lejoni lëshime. Është mirë që të sqaroni dhe të sistemoni vetë ndjenjat tuaja, se sa ti lini ato t’ju tërheqin pas. Kufizoni, sidomos shfaqjet e entuziasmit dhe mos i emëroni dashuri flirtet e vogëla ose dashuriçkat e parëndësishme dhe sipërfaqësore, që ndonjëherë e ngrenë peshë shpirtin tuaj. Duhet ta ruani gjithmonë qetësinë. Dhe kështu, në një ditë, do të trokasë dashuria e madhe e do ta gjejë të hapur portën e zemrës tuaj.