RTV Zëri · Kryefaqja

Shtetësi për gjithë shqiptarët

2012-12-04 · Arkivi historik RTVZIK

Kryeministri shqiptar Sali Berisha nga Vlora sot njoftoi nismën për marrjen e shtetësisë shqiptare pa kushte për çdo shqiptar që dëshiron.

Sipas kryeministrit, kjo nismë nuk është për përfitime elektorale, por ka një qëllim për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që janë. 

“Vendimi më kryesor që merret është shtetësia shqiptare dhe përparësi në parlamentin shqiptar i ligjit i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare të çdo shqiptari kudo që ndodhet. Ky është mesazhi i 100-vjetorit dhe ky është i domosdoshëm dhe ne po i rikthejmë një të drejtë që kanë luftuar dhe që i është mohuar 100-vjet. Kombi është një, çdo shqiptar e meriton shtetësinë shqiptare. Këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme por  ky vendim të mos bëhet çështje e këtyre zgjedhjeve. Kush e merr si vendim elektoral bën gabimin të madh”, tha Berisha gjatë mbledhjes së tij qeveritare në Shtëpinë Muze të Vlorës, ku 100 vite më parë u shpallë pavarësia e shtetit shqiptar.

Kryeministri Berisha theksoi më tej se edhe pse shqiptarët jetojnë në 5 shtete ata janë të përkushtuar për projektin e integrimit europian si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer.

“Ky komb mbështet projektin e integrimit më shumë se çdo komb tjetër. Unë theksoj se të ndarë në disa shtete shqiptarët nuk mund ta konsiderojnë veten dhe njëri-tjetrin  përveçse vëllezër në kulturë, në identitet dhe ku është realitet më i padiskutueshëm. Ndaj dhe dalin një seri detyrash në mënyrë që të ecet me projektin. Të bashkuar me njëri-tjetrin, të bashkuar me Europën. Jam i bindur se kjo platformë i jep përgjigjen më të shkëlqyer çështjes shqiptare në Ballkan. Sepse askush nuk mund të mohojë se në një nga padrejtësisë më të mëdha të kohës shqiptarët u copëtuan në 5 shtete”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit, në këto 100 vite shqiptarët kanë shkruar edhe fatet më të ndritura të historisë së tyre. Pavarësisht vështirësive ata ngritën një shtet, shtet i cili u shndërrua në një burim të madh shprese për shqiptarët kudo që ndodheshin”, tha Berisha. Berisha tha se, ka një albanofolbi të shqiptarëve dhe do të zhduket nëpërmjet procesit të bashkimit të shqiptarëve dhe jo statuko-ve që e thellojnë albanofobinë. (INA)

09:10 - Qeveria shqiptare sot ka planifikuar mbajtjen e një mbledhje të saj në shtëpinë Muze të shpalljes së pavarësisë në Vlorë.

Organet e rendit kanë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për mbajtjen e saj, pas njoftimeve për protesta nga Aleanca Kuq e Zi dhe Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë, të cilat theksuan se kundërshtojnë ashpër këtë veprim të kryeministrit Berisha, për mbajtjen e mbledhjes. “Ne nuk lejojmë që kjo qeveri e Sali Babës me 40 hajdutë të mbajë mbledhje në shtëpinë muze, ku plaku i urtë i Vlorës mblodhi patriotët që kontribuan për pavarësinë e vendit”, kanë theksuar nga AK-ja.

Mbledhja e sotme do të zhvillohet në katin e dytë të ndërtesës, pikërisht në dhomën e Këshillit të Ministrave, ku kryeministri Berisha do të jetë në vendin e Ismail Qemalit.

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ka theksuar se se do ta presë kabinetin aktual qeveritar, por sipas tij, kjo qeveri nuk ka asgjë të përbashkët me atë të Ismail Qemalit para 100 vitesh. “Në atë shtëpi më 4 dhjetor të 1912 është bërë me të vërtetë mbledhja e parë e qeverisë së Ismail Qemalit, kanë qenë 12 ministra, por përpara se të kishin portofole ministrore ishin 12 patriotë shqiptarë që sakrifikuan gjithçka nga jeta, nga benefitet për ta bërë Shqipërinë. Ndërsa sot në atë vend për fat të keq do të ulen vetëm 16 a 17 portofole qeveriste që s’kanë asgjë të përbashkët me kontributet që ka dhënë qeveria e Ismail Qemalit”, ka thënë Gjika, duke shtuar se kryeministri duhet t’ju kërkojë falje nesër vlonjatëve për investimet e munguara në tetë vite, por edhe pse siç tha ai, donte t’i zbehte Vlorës festën e Pavarësisë, për ta zhvendosur në Tiranë. (GSH/INA)