RTV Zëri · Kryefaqja

Nderohen heronjtë dhe ish-kryeministrat e kombit në 20 vite

2012-11-21 · Arkivi historik RTVZIK

 100 vjetorin e Pavarësisë Kuvendi nderon ish Kryeministrat e 20 viteve të fundit, Liderin e Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, “Mandelën" e Shqipërisë, Arbnori, Gandin e Ballkanit, Rugova, Komandantin legjendar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Jashari

Në jubileun e 100 vjetorit të Pavarësië, Kuvendi i Shqipërisë nderon personalitete te politikes së Shqipërisë dhe të Kosovës, ku përfshihen Lider i Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991, Azem Hajdari, “Mandela" i Shqipërisë, Pjetër Arbnori, Lider i Lëvizjes Paqësore për Pavarësinë e Kosovës, Gandin e Ballkanit, Ibrahim Rugova, Komandanti legjendar, hero i Luftës Çlirimtare të popullit të Kosovës, Adem Jashari dhe ish Kryeministra të Shqipërisë në 20 vitet e fundit.

Në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli tha: "Jemi fatlum që jetojmë në 100 vjetorin e Pavarësisë.

Kur kthejmë kokën pas, kujtohemi që: Ne jemi brezi, që jetuam në 2 sisteme, ne diktaturën më të egër qe synonte te shkatërronte njeriun e të zëvendësonte kombin me ideologji fallco, idhuj te rrejshëm, jetuam në sistemin më shtypës e më mizor.

E që sot jetojmë ne sistemin e lirive dhe te vlerave universale. Jemi brezi, që ishim dëshmitarë të kapërcimit nga shekulli që lamë në shekullin e ri. Jemi dëshmitarë të kapërcimit të mijëvjeçarit të parë në të dytin.

20 vitet e fundit janë vitet e lirisë, janë vite të zgjedhjeve, janë vitet e tregut të lirë,vite të nderimit të besimeve fetare, të ndërtimit të Shqipërisë, të hapjes së saj, të ndryshimit të saj.

Këto janë 20 vitet tona, këto janë vlera e kontributi ynë në kurorën e shtetit shqiptar.

Këto janë fytyra e Shqipërisë sot, që ta gëzojnë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Atyre, që në 200 vjetorin e Pavarësisë do kujtojnë kontributin tonë për këtë vend.

Por Shqipëria nuk ka qene gjithmonë kështu.

Në 100 vitet e saj kombi jone i ka njohur të gjitha. Ka njohur gëzimet, hallet, ka njohur dhimbjet, ka njohur lotët, ka njohur plagët siç ka njohur mençurinë, ka njohur burrërinë, ka njohur sakrificën, ka njohur atdhedashurinë.

Në këtë 100 vjetor është detyra jone t’i kujtojmë të gjitha.

Të nderojmë të nderuarit, të mos harrojmë ata që për më shumë se gjysmë shekulli shtypën popullin e tyre, të falim e të mishërojmë ata që kane humb rrugën....... por duhet t’i kujtojmë.

E të ftojmë atë, që hidhërohet sa here që populli feston, se kurrë nuk është vone me kthy rrugë e të mos pengosh ëndrrën shekullore të këtij populli për të qene pjesë e Evropës.

Ne duhet të jemi bashkë në rrugën e Evropës.

Sot, këtu, përtej diferencave, përtej partive që i përkasim, ne jemi bashkë, jemi njëlloj, se jemi shqiptarë, për të nderuar historinë tonë, për të kremtu jubileun tonë.

Sot nderojmë ish kryeministrat e vendit tonë gjatë këtyre 20 viteve në Shqipëri.

Sot përkulemi me nderim për heronjtë e Kosovës, për Gandin e Ballkanit Ibrahim Rugova e për luftëtarin legjendar Adem Jashari.

Sot kujtojmë e nderojmë Mandelën Shqiptare Pjetër Abnorin dhe liderin e lëvizjes studentore Azem Hajdari

Në kuadrin e festimeve e të nderimeve për 100 vjetorin e pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë ka bërë disa ceremoni.

Kemi nderuar ngjarjet, vendet e personalitet e shquara të historisë shqiptare, shumë prej të cilave ishin fshirë nga ata që deshën të shkruajnë historinë.

Sot aktivitetin e kam disi të veçante se dua t’i jap mirënjohje ish kryeministrave të 20 viteve të fundit, se siç ka thënë njëri prej tyre ata janë pjesë e historisë."

Në këtë ceremoni për kontributin e tyre, iu dhurua botimi special i Kuvendit të Shqipërisë ”Aktet e themelimit të shtetit shqiptar” ;

Azem Hajdari (1963 – 1998)

Lider i Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991. Me një kontribut të veçantë në rrëzimin e regjimit komunist.

Disa herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë.

U bë i njohur në dhjetor 1990 kur doli në krye të Lëvizjes Studentore dhe qe një nga themeluesit dhe drejtuesit e PD. U zgjodh katër herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator të vitit 1997 u plagos në një atentat në sallën e parlamentit; në shtator 1998 u vra para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë. Kryetar i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Kishte një instinkt politik krejt të veçantë. U diplomua për filozofi në Universitetin e Tiranës.

Pjetër Arbnori (1935-2006)

Mandela i Shqipërisë, dy herë Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1992-1996, dhe 1996-1997. Veprimtar politik, shkrimtar. Ishte ndër nismëtarët për themelimin e një grupi ilegal social-demokrat gjatë kohës së komunizmit. Për këtë në vitin 1961 u arrestua dhe u dënua me vdekje. Më vonë dënimi iu kthye në 25 vjet burgim për t’u liruar nga burgu pas 28 vjetësh e 6 muajsh. Lirohet nga burgu pas ndryshimeve te viteve ‘90. Në janar 1990 mori pjesë në demonstratën antikomuniste në Shkodër dhe ishte një ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Anëtar i Forumeve drejtuese të Partisë Demokratike. U zgjodh disa herë deputet në Shkodër. Si deputet në vitet 1991-2001 dhe Kryetar i Kuvendit ka luajtur një rol me rëndësi për konsolidimin e demokracisë dhe për vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërparlamentar me shumë vende. Ka shkruar shumë libra dhe ka përkthyer shumë të tjerë.

Fatos Nano (1952).

Lider historik i së majtës. Katër herë Kryeministër.

Disa here Kryeministër i Shqipërisë. Lider historik i së majtës në Shqipëri, themelues dhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Bëri përpjekje për të reformuar Partinë e Punës në një parti të majtë europiane. Gjatë lidershipit të tij, Partia Socialiste, si rezultat i reformave u anëtarësua në familjen e partive të majta. U diplomua për ekonomi politike ne Universitetin e Tiranës në vitin 1974, punoi si ekonomist. Filloi karrierën politike në dhjetor të 1990, ku u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Në janar të vitit 1991 u caktua zëvendës kryeministër, në qeverinë e Adil Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991 u emërua Kryeministër i qeverisë tranzitore. Pas zgjedhjeve, me 31 mars 1991, Nano u caktua përsëri Kryeministër. Qeveria e tij nuk zgjati shumë, ai dha dorëheqjen pas pak javësh. Kongresi i 10-te i Partisë së Punës i mbajtur në qershor të të njëjtit vit, ndryshoi emrin nga Partia e Punës në Parti Socialiste, dhe zgjodhi Fatos Nanon si Kryetar të Partisë Socialiste me 12 qershor te vitit 1991. Pas daljes nga burgu, në vitin 1997 u zgjodh për të tretën herë Kryeministër. Në vitin 2003 zgjidhet për herë të katërt Kryeministër. Në 2005 Partia Socialiste humb zgjedhjet. Fatos Nano jep dorëheqjen si kryetar i saj. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1991-2009.

Ylli Bufi (1948-)

Deputet, ministër, nënkryetar Parlamenti, Kryeministër.

Ylli Bufi është një politikan shqiptar. Në qershor të vitit 1991 zgjidhet ministër i industrisë së lehtë dhe ushqimit. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në vitin 2009. Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë ne vitin 2005-2009, kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë. Anëtar i disa forumeve drejtuese të Partisë Socialiste shqiptare. Ministër ekonomie në vitin 1997. Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit, qeveri e formuar si rezultat i marrëveshjes midis forcave politike në vend, në maj të vitit 1991. Qeveri e Stabilitetit, ishte qeveri me bazë të gjerë dhe ku për herë të parë merrnin pjesë ministra të opozitës, Qeveria e Stabilitetit e nxori vendin nga izolimi i gjatë komunist, duke e bërë Shqipërinë anëtare të disa organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Doktor i shkencave inxhinierike.

Vilson Ahmeti (1951-)

Kryeministër i Shqipërisë në Qeverinë Teknike (1991-1992) dhe ministër në Qeverinë e Stabilitetit (1991). Qeveria Teknike me kryeministër Vilson Ahmeti, përgatit vendin drejt zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit të vitit 1992. Inxhinier mekanik. Në 1993 u tërhoq nga veprimtaria politike shtetërore.

Aleksandër Meksi (1939-)

Deputet, Nënkryetar Kuvendit, Kryeministër.

Dy herë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë në vitet 1992- 1996; pastaj 1996-1997. Është historian, Profesor.

Aleksandër Meksi ishte kryeministri i parë pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte Kryeministër, vendi bëri reforma të mëdha. Në dhjetor 1990 ishte bashkëthemelues i Partisë Demokratike, dhe një nga kontribuesit kryesorë për organizimin e Partisë dhe të programit të saj. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet (1991-2001) dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë (prill 1991 – prill 1992). Arkeolog, studiues.

Bashkim Fino (1962-)

Deputet, Ministër, Kryeministër.

Me marrëveshjen e marsit 1997 ndërmjet forcave politike ai u emërua nga Presidenti Sali Berisha Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (mars-korrik 1997). Është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë që prej vitit 1997. Ka qenë ministër, anëtar i disa prej kabineteve qeveritare të Partisë Socialiste deri në vitin 2005. Vazhdon të jetë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Ilir META (1970 - )

Deputet, ministër, Zëvendëskryeministër, dhe Kryeministër.

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës 1999 – 2002; Në dhjetor të vitit 1990 mori pjesë në Lëvizjen Studentore. Anëtar i Forumeve drejtuese të Partisë Socialiste, Kryetar i FRESSH-it. Në vitin 2003 u shkëput nga Partia Socialiste dhe në shtator 2004 themeloi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim ku u zgjodh Kryetar i saj. Pas vitit 2009 mori detyrën e Ministrit të Jashtëm, Ministër i Ekonomisë dhe Zëvendës Kryeministër. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992.

Pandeli Majko (1967- )

Deputet, ministër, dy herë Kryeministër.

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë në periudhën tetor 1998 – tetor 1999. Nga shkurti 2002 – korrik 2002 ishte përsëri Kryeministër. Pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990. Në vitet 1992-1995 ishte kryetar i Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESH). Anëtar i Forumeve drejtuese të Partisë Socialiste. Ministër i Mbrojtjes, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Deputet në të gjitha legjislaturat që nga viti 1992.

Ibrahim Rugova (1944-2006)

Lider i Lëvizjes Paqësore për Pavarësinë e Kosovës. Avokat i rezistencës paqësore. i mbiquajturi “Ghandi i Ballkanit”. i vlerësuar me çmimin Sakarov, i deklaruar “Hero i Kosovës”. Ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga viti 1992 deri në vitin 2000 dhe përsëri nga viti 2002 deri në 2006. Rugova hyri në politikë ne vitin 1989 dhe u bë lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si President, Rugova vazhdoi të mbështeste rrugën paqësore për pavarësi. Rugova për një kohë shumë të gjatë është mbështetur si rrallë kush nga populli shqiptar në Kosovë. Vdiq me 21 janar të vitit 2006. Babai dhe gjyshi i tij u vranë në vitin 1945 nga komunistët jugosllavë. Që në vitin 1968 mori pjesë në protestat e Kosovës. U diplomua në vitin 1971, studioi në Universitetin e Parisit, në vitin 1984 mori titullin Doktor. Punoi në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë.

Adem Jashari (1955 – 1988)

Themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar dhe komandant legjendar, hero i Luftës Çlirimtare të popullit të Kosovës. Mori pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe deri në 1989 qëndroi në ilegalitet, duke shpërndarë trakte që bënin thirrje për t’u hedhur në luftë. Në vitin 1990 organizoi grupet e para të armatosura të cilat filluan aksionet kundër policisë serbe. Gjatë viteve 1991-1998 policia serbe i rrethoi disa herë shtëpinë e tij deri sa në mars 1998, familja Jashari luftoi derisa u vranë që të gjithë 21 veta. Kulla e familjes së tij është shndërruar në muze dhe është kthyer në një vend homazhesh të përhershme.