RTV Zëri · Kryefaqja

Konferenca për Kosovën ul Berishën dhe Ramën

2012-11-19 · Arkivi historik RTVZIK

Konferenca e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ka ulur në një tryezë kryeministrin Sali Berisha dhe shefin e opozitës, Edi Rama, të cilët vlerësojnë rolin e Kosovës në themelimin e shtetit shqiptar. 

Pasi e vlerësoi rolin e Kosovës si vendimtar në mbrojtjen e idesë së bashkimit kombëtar, Kryeministri Berisha u largua nga konferenca në kohën që kryesocialisti Rama do mbante fjalën e tij.

Gjatë fjalës së tij në konferencën shkencore "Roli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar", ambasadori i Kosovës, Sylejman Selimi, theksoi e ky 100-vjetor nuk do të kishte kuptim pa pavarësinë e Kosovës. Ambasadori Selimi vlerësoi rolin e UÇK-së në Kosovë, duke i cilësuar aksionet e ushtrisë si shpresa e vetme që kishte populli në momente mjaft të vështira.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Kryeministri Berisha deklaroi se në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar nuk kishte si të mungonte një konferencë për rolin e Kosovës në historinë e kombit tonë. “Pa Kosovën kremtimet e 100-vjetorit do ishin të mangëta”, tha kryeministri në nisje.

Për kreun e qeverisë ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët të mësojnë të vërtetat historike ashtu siç janë, pasi në Shqipëri historia ka qenë e manipuluar dhe në Kosovë e ndaluar, siç tha Berisha.

“Roli i Kosovës në themelimin e shtetit shqiptar dhe në vazhdim ka qenë i madh. Në rast se i referohemi kohës së Kongresit të Berlinit do gjejmë se Kosova u shndërrua në djepin ku po zhvillohej dhe konsolidohej përpjekja kombëtare e shqiptarëve. Në lidhjen e Prizrenit ideali kombëtar i shqiptarëve, u shndërrua në idealin udhëheqës të tyre.

Në Kosovë u formësua ideja e Shqipërisë etnik, e shtetit shqiptar ku të gjithë shqiptarët ishin shumicë etnike, gjeografike. Ideja e Shqipërisë etnike, është ideja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, përgjigja më e shkëlqyer, më e drejtë e zgjidhjes së çështjes kombëtare e krijuar nga fqinjët grabitqarë. Ky komb me shtrirjen më të madhe gjeografike në Ballkan kishte mbetur i vetmi komb pa shtet, dhe lëvizjet më të mëdha të Kosovës, i dhanë përgjigjen e merituar qëndrimeve antishqiptare të Portës së Lartë dhe monarkive ballkanike”, tha Berisha.

Duke folur në konferencë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi rëndësinë që vështrimi nga e kaluara të na shërbejë për të ndërtuar të ardhmen.

“Kjo është një përpjekje e ndarë e historianëve nga njëra anë dhe e politikës nga ana tjetër. Kemi jo pak energji te konsumuara në drejtim të paditur, për shkak të politikaneve që përpiqen të rikshruajnë historinë dhe historianëve që përpiqen ta modelojnë ata sipas interesave politike. Në këtë moment kaq themelor për shtetin, siç është 100-vjetori ne duhet t’i referoheshim të ardhmes, si domosdoshmëri për të mos humbur kohë.”- u shpreh Rama.

Ndërsa nënvizoi nevojën e bashkëpunimit, në mënyrë që siç tha ai brezat që vijnë të mos trashëgojnë plagët e së kaluarës, Rama theksoi se lavdia e së shkuarës nuk mund të mbulojë dot boshllëqet e së ardhmes.

“Në këtë 100-vjetor e vetmja detyrë patriotike që kemi është që flamurin kombëtar ta kthejmë në politika dhe në ndërveprim me njëri-tjetrin, në mënyrë që gjeneratave që vijnë të mos u trashëgojmë plagët ende të hapura që thellohen si rezultat i çka kemi trashëguar nga e kaluara.”- vijoi Rama.

Sipas Ramës, sot Kosova dhe Shqipëria kanë mundësi që të krijojnë një strategji kombëtare, që kapërcen kufijtë, e cila do t’i shërbejë përballimit të sfidave që do vijojnë nga bashkimi i dy vendeve në BE.

“Nëse e shohim drejt bashkimin kombëtar, që do të ndodhë në BE, duhet të përgatitemi sot dhe të mos i lemë gjeneratës së re barrën e rëndë për të përballuar sfidat”- u shpreh kryesocialisti