RTV Zëri · Kryefaqja

XHELAL NEZIRI-Nëntori jubilar: Çfarë historie shkruajmë?

2012-11-05 · Arkivi historik RTVZIK

Të gjitha konfliktet dhe mosmarrëveshjet në Ballkan kanë gjenezë historike. Nëse lexon historitë e popujve të kësaj pjesë gjeografike të Evropës, jo që ka interpretime të ndryshme të ngjarjeve të mëdha historike, por mund të gjenden edhe glorifikime për ngjarje të paqena. Ballkani që moti ka qenë i ngatërruar në labirinthet e historisë dhe ende prodhon historira dhe mite. Apo, siç ka thënë Winston Churchill, Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë. Atë që nuk arrin ta bëjë është të ndërtojë të një të tashme dhe të ardhme, ashtu siç e ndërtuan gjermanët dhe francëzët në kuadër të Bashkimit Evropian (BE), duke tejkaluar mosmarrëveshjet e shtresuara nga tri luftërave të përgjakshme. Problemi qëndron te mungesa e guximit të ballafaqimit me vetveten, me krimet e bëra gjatë historisë dhe me kërkimin e faljes në shenjë pajtimi. Kremtimi i 100-vjetorit të fillimit të luftës së parë balkanike në periferi të Kumanovës mblodhi tërë kreun serb për të shënuar këtë datë me një program dhe ikonografi arkaike, folklorike dhe kryekëput jocivilizuese. Duke pasur parasysh krimet e dokumentuara ndaj shqiptarëve dhe joserbëve pas kësaj lufte, kërkimi i faljes në këtë manifestim do të ishte një akt evropian që hap perspektiva të reja për një të ardhme të përbashkët evropiane. Apo, në vend që të mohohet masakra e Srebrenicës në BiH, krerët serb duhet të kërkojnë falje nëse dëshirojnë të ndërtojnë ura të reja bashkëpunimi. Falje duhet kërkuar edhe për represionin dhe masakrat e kryera në Kosovë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me këtë shtet dhe realitet të ri në hartën evropiane.

Kthimi në histori i Serbisë do të mbajë peng tërë Ballkanin dhe perspektivat e qytetarëve që jetojnë aty. Frustrimi i krerëve serb me historinë e vonshme apo të hershme thellojnë hendeqet midis popujve në këtë hapësirë, bllokojnë integrimet euro-atlantike dhe ringjallin projektet e shteteve të mëdha etnike.

Në një ambient të këtillë të tensionimit politik dhe të sigurisë në rajon, politika zyrtare e Maqedonisë duket më shumë se e papërgjegjshme, bile edhe tragji-komike. Me konteste të hapura, që kanë burime historike, ky vend arriti të fitojë pavarësinë dhe perspektivën për t'u etabluar si një shtet modern ballkanik. Mosmarrëveshjet me Greqinë për emrin, me Bullgarinë për gjuhën dhe kulturën si dhe me Serbinë për kishën, kishin arritur të lihen anësh në këmbim të së ardhmes së përbashkët në familjen evropiane. Gjashtë vitet e fundit të politikës zyrtare në vend ishin rikthim në këto konteste, hapje të sërishme të të njëjtave dhe bllokim të vendit në proceset integruese dhe zhvillimore. Tentimi për rikthimin e identitetit maqedonas në antikë, me riemërtimet dhe ndërtimin e busteve e ndërtesave, solli veton greke në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008. Me intenzitet të sforcuar edhe Sofja zyrtare paralajmëron bllokadë për vendin për shkak të provokimeve me rikonstruktimin e ngjarjeve historike para 1945-ës, kur Maqedonia u shpall si republikë në federatën jugosllave. Ndërkaq, problemi i kishës me Serbinë pritet të marrë edhe dimensionin politik dhe historik. Porosia e festimit serb ne Kumanovë ishte i qartë: para 100-viteve s'ka pasur maqedonas, por vetëm serb që u çliruan nga perandoria osmane. Krerët serb e paraqitën këtë ngjarje si të rëndësishme për të dyja vendet. Kjo do të thotë se nocionet Serbi e Maqedoni, sipas krerëve serb, jane vetem gjeigrafike. Pra, Serbia fillon një politikë të re ndaj maqedonasve, të njëjtë me atë bullgare dhe greke, të cilat trajtojnë këtë etnitet sikur një pacient që është zgjuar nga koma me një amnezi totale.

Që absurdi të mos përfundojë këtu, kjo politikë shtetërore e Maqedonisë ka intensifikuar të hapë edhe një kontest tjetër historik: me Shqipërinë dhe shqiptarët. Enciklopedia, librat shkollorë të historisë dhe veprimet tjera të pamatura mbase mund të sjellin një situatë kur edhe Tirana zyrtare të përdorë të drejtën e vetos për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Edhe pse i vetmi vend dhe komb që ka pranuar Maqedoninë dhe maqedonasit ashtu siç janë deklaruar dhe deklarohen, politika e Shkupit zyrtar duket të ketë një qasje përçmuese ndaj këtij shteti fqinj.

Kthimi në të kaluarën është injorim i së tashmes. Vajtimet pas dështimeve në të kaluarën dhe tentimi per t'i përmirësuar ato në të tashmen janë vyrtyte të një individi apo shoqerie të dobët dhe qyqare. Mësimet nga e kaluara të bëjnë më të arsyeshëm vetëm nëse e ndërton të tashmen dhe të ardhmen pa gabimet e së shkuarës. E tashmja dhe e ardhmja janë shans për të shkruar një histori më të mirë sesa ajo ekzistuese. Individet apo popujt që konsumojnë vetëm histori janë të destinuar t'i takojnë së shkuares.

Në këtë kontekst e shoh edhe kremtimin e 100-vjetorit të shtetit dhe flamurit shqiptar. Gjatë këtij nëntori jubilar duhet të kihet parasysh realiteti në kuptimin e kohës dhe hapësirës aktuale, të një uniteti gjithkombëtar kompatibil me proceset integruese euro-atlantike dhe rrethanat aktuale gjeo-politike. Nëntori i 100-të nuk guxon të përshkohet nga tendencat bajraktariste politike apo lokaliste, duke debatuar nëse agjenda zyrtare e shënimit të kësaj kremteje favorizon më shumë Tiranën sesa Vlorën. Ky nëntor nuk duhet të shndërrohet as në një muaj të larjes së mëkateve kombëtare të njerëzve, që me ngjarjet dhe figurat historike tentojnë të mbulojnë lajthitjet dhe turpin e së tashmes. Kremtimi duhet të përshkohet me një imazh dhe përmbajtje evropiane, me ç'rast duhet të ketë një baraspeshë midis ngjarjeve historike që kanë ndodhur në 100-vitet e kaluara dhe vizionit për 100-vitet e ardhshme.