Ideja e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj se modeli i dy Gjermanive mund të përdoret për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është kundërshtuar nga LDK-ja, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për modele të tilla, raporton RTk-ja. Ndërkohë, PDK-ja konsideron se gjithçka duhet të bazohet në Kushtetutë, ndërsa AAK-ja thotë se është herët të flitet për një gjë të tillë.
Veriu i vendit dhe njohja nga Serbia shihen si dy problemet më të mëdha në raportet mes të dy shteteve. Ndër propozimet e përmendura në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është edhe modeli gjermano gjerman, i cili nga ministri i jashtëm Enver Hoxhaj konsiderohet se hapja e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë e Beograd, janë në funksion të këtij modeli. Megjithëkëtë shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci tha se Kosova ka Kushtetutën e vet e cila përcakton qartë se çfarë nuk mund të debatohet me Serbinë:
“Jetojmë në demokraci, mund të dëgjojmë ide nga më të ndryshmet, ajo që është më rëndësi është ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ajo për ne është jetike, duhet të mësohemi t’i respektojmë miqtë tanë, si SHBA-të dhe BE-në, dhe duhet të kemi besim të plotë sepse që nga Rambueja, Vjena, e deri më sot Kosova gjithnjë ka dalur e fituar, dhe në këtë rast ne do të dalim fitimtar dhe ne do të ecim drejtë BE-së” ,tha Grabovci.
Ndërsa Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se nuk ka arsye që të flasim për modele për zgjidhjen e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përderisa e kemi Kushtetutën:
Ne e kemi kushtetutën që ka buruar nga Pakoja e Ahtisarit, e kemi rregullimin kushteutes, dhe nuk shohim arsye që të zbulojmë modele, sepse del dikush nesër e na tregon për ndonjë model tjetër. Ne duhet të bëjmë përpjekje që shteti ynë të jetë funskional në tërë Kosovën, dhe Kosovës nuk I duhet edhe një bosnizim, por edhe me modelet që po thuani ju që ka thënë z. Hoxhaj.
Ardian Gjini nga AAK, nuk e përjashton këtë model por konsideron se është herët të flitet për ndonjë model, meqë jemi në fillim të procesit:
CUT: Mendoj se jemi herët në këtë proces, mendoj se do të ketë kohë që të vijmë deri te idetë se cili do të jetë modaliteti i njohjes së republikës së Kosovës dhe anasjelltas. Ne shpresojmë që kjo të ndodh sa më shpejtë dhe Kosova të jetë pjesë edhe e OKB, OSBE-, BE dhe gjithë organizmave ndërkombëtare, ku ka koncepte multilaterale të punës.
Ndryshe, është konstatim i mëhershëm se modeli i dy Gjermanive mund të përdoret në raportet Kosovë-Serbi dhe esenca e këtij propozimi është të mundësohet anëtarësimi Kosovës në OKB dhe BE pa pasur nevojë që të njihet nga Serbia.