RTV Zëri · Kryefaqja

Nisin ethet e anketave në Maqedoni

2012-11-05 · Arkivi historik RTVZIK

Në Maqedoni ditëve të fundit kanë nisur anketat dhe hulumtimet e ndryshme që masin dhe publikojnë rejtingun e partive politike dhe zhvillime të tjera.

Brenda tre ditëve të fundit janë publikuar tre anketa, të cilat nxjerrin rezultatet lidhur me rejtingun e partive politike.  Janë disa forume dhe organizata joqeveritare në Maqedoni që po zhvillojnë analizat dhe hulumtimin e opinionit publik, mirëpo këto organizata nuk gëzojnë besueshmërinë tek shumica e qytetarëve.

Partitë politike vazhdimisht kanë akuzuar institute dhe organizata të caktuara për lidhjet e tyre politike dhe partiake.

Anketat vijnë kryesisht nga partitë më të mëdha politike maqedonase, të cilat tashmë kanë përgaditur strategjitë e tyre për zgjedhjet e ardhshme lokale. Agjencia e lajmeve INA ka arritur të sigurojë informacione se për një sondazh politik partiak paguhen prej 5 mijë deri në 10 mijë euro. "është një shumë e tillë dhe se ne kemi komunikuar me një nga institutet , të cilët për këtë shërbim kanë kërkuar një shumë të caktuar parash", theksoi për INA, një burim nga partitë opozitare shqiptare.

Organizata Për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) me seli në Shkup vlerëson se sondazhet në Maqedoni nuk gëzojnë besimin tek qytetarët dhe se ato qartasi tregojnë porositësit dhe animet e caktuara në favor të një grupimi politik.

"Qytetarët tashmë janë të bombarduar nga sondazhe të tilla dhe ato po humbin besueshmërinë. Mirëpo ka një kategori të caktuar qytetarësh që akoma janë viktima dhe i besojnë këtyre sondazheve. Duhet një vetëdijësim më i lartë dhe debat me qytetarët për të kuptuar të vërtetën. Nevoja e domosdoshme është që të kemi institutite dhe organizata relevante ndërkombëtare për të matur opinionin e qytetarëve", theksojnë nga OBRIE, të cilët po kryejnë një studim mbi këtë çështje, për të informuar faktorët ndërkombëtarë.

Në të gjitha sondazhet politike gjatë viteve të fundit partitë shqiptare kanë pozicione të njejta dhe asnjëherë nuk është bërë një analizë e saktë për gjendjen e tillë të rejtingut të partive politike apo debate të nxitura nga partitë politike. (INA)