RTV Zëri · Kryefaqja

Të lodhur nga terrori psikologjik, ata mbyllin protestën 31-ditore

2012-10-23 · Arkivi historik RTVZIK

Berisha u takua me ministrin serb dhe jo me ne. Betohemi se lufta për kauzën tonë nuk do të mbarojë këtu

Ish të përndjekurit politikë i kanë dhënë fund grevës së urisë pas 31 ditësh. Ata nuk e kanë bërë të qartë, arsyen e ndërprerjes së grevës dhe u mjaftuan duke thënë se lufta për kauzën e tyre, nuk ka përfunduar, por do të vazhdojë në forma dhe rrugë të tjera. Lajmin për t’i dhënë fund sakrificës 1-mujorshe, grevistët e kanë bërë të ditur pasi kanë dëgjuar deklaratën e Kryeministrit Berisha, i cili deklaronte se greva është politike dhe se nuk kishte ndërmend që të negocionte me ish të përndjekurit politikë. Mungesa e sinjaleve pozitive, për nisjen e negociatave ndërmjet palëve ka bërë që grevistët të tërhiqen, ndonëse një ditë më parë ishin të vendosur, për ta ndjekur kauzën deri në vetëflijim. Greva është ndërprerë rreth orës 13:30, kur të gjithë grevistët dolën me radhë përpara kamerave, për të deklaruar mbylljen e grevës. Ata thanë se nuk mund ta vazhdonin iniciativën e ndërmarrë, sepse kanë përjetuar një terror psikologjik nga qeveria.

Lavdosh Beqo

Lavdosh Beqo, një prej gjashtë grevistëve të mbetur, tha se kauza e ish të përndjekurve politikë, nuk përfundon me tërheqjen e tyre nga greva. Ata do ta ndjekin edhe në ditët në vijim deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara gjatë procesit të zhvillimit të grevës së urisë. Beqo, shprehet mjaft i indinjuar për indiferentizmin e treguar nga Kryeministri Berisha. “Nuk ka Kryeministër në botë, që të rrethojë grevën në këtë mënyrë. Ky është një gjenocid që u bëhet të përndjekurve politikë. Ia arritëm qëllimit të grevës. Sensibilizuam të gjithë njerëzit, në mbarë vendin e më gjerë. Këtu nuk është shtruar problemi ynë, por i një popullsie. Institucionet nuk funksionojnë, duke nisur që nga Presidenti, e deri te Prokuroria e Përgjithshme. Qeveria nuk u ul që të negociojë dhe kjo është e dhimbshme. Gjithsesi, greva jonë bindi opinionin publik dhe ndërkombëtarët, se ish të përndjekurit politikë, po kërkojnë një premtim legjitim dhe asgjë më shumë. Ambasada franceze, ndonëse jam shqiptar, më ka kërkuar disa herë, që unë të shkëputem nga greva dhe të shkoj të kurohem atje. Mendoj se duhet t’i rikthehem jetës së atjeshme dhe shumë shpejt do të largohem nga Shqipëria”, është shprehur Beqo.

Afrim Biturku

Ndërkaq, grevisti nga Kavaja, Afrim Biturku, sqaroi se ndërprerja e grevës, nuk përkthehet në braktisje të kërkesave të tyre për dëmshpërblim. “Në mënyrë definitive, vendosëm që ta mbyllnim grevën, duke zbatuar deklaratën e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu ‘Zgjidh që të jetosh sot, për të fituar kauzën tënde’. Ndërprerja e grevës, nuk do të thotë se ne kemi hequr dorë. Jam i bindur që kjo maratonë do të vazhdojë dhe do të përhapet në të gjithë Shqipërinë, duke krijuar të tjera organizime, pa caktuar formën e protestimit. Ne arritëm më shumë se çfarë kërkonim. Arritëm që të sensibilizonim opinionin publik për mënyrën se si po trajtohen të përndjekurit politikë”, deklaroi Biturku.

Skënder Tufa

Koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa, është shprehur se vendimi është marrë nga vetë grevistët. Ai thotë se do të respektojë vendimin e tyre për ndërprerjen e grevës. “Unë nuk i paragjykoj grevistët, sepse ata kanë 31 ditë, grevë urie. Janë të lodhur dhe terrori psikologjik që ka ushtruar policia mbi ata, ka stimuluar marrjen e vendimit, për ndërprerjen e grevës. Gjithsesi, dua të deklaroj, se kjo është thjesht një betejë e humbur me Kryeministrin. Kjo nuk do të thotë se jemi dorëzuar nga lufta që i kemi shpallur qeverisë, për marrjen e dëmshpërblimeve”, tha Tufa.

Greva 31-ditore

Greva e ish të përndjekurve politikë nisi më 22 shtator, pranë zonës së quajtur “Komuna e Parisit”. Fillimisht, grevës iu bashkuan 24 protestues dhe dalëngadalë, numri i tyre u reduktua në 6 persona. Gjatë 31 ditëve, pranë zonës në të cilën zhvillohej greva, ka pasur zhvillime të rëndësishmes si: akuza, kundërakuza, tentativa për vetëflijime, arrestime, përplasje institucionale e të tjera. Grevistët pretendojnë se ndaj tyre, është ushtruar presion i madh psikologjik nga policia dhe qeveria. Tre prej tyre u dogjën me benzinë, duke tentuar vetëvrasjen, por pa ia arritur qëllimit, falë ndërhyrjes së shpejtë të uniformave blu. Në ditën e 31 të grevës, mbetën vetëm 6 grevistë. Ata vendosën që të tërhiqeshin në mënyrë të befasishme, prej gjendjes së rëndë shëndetësore dhe psikologjike. Por, në mbyllje të kësaj greve, të gjithë grevistët nuk kanë lënë pa përmendur Kryeministrin e vendit, duke i hedhur të gjitha akuzat mbi të. “Berisha u takua me ministrin serb dhe jo me ne. Betohemi se lufta për kauzën tonë nuk do të mbarojë me mbarimin e kësaj greve. Amanetet e bashkëvuajtësve tanë nuk treten. Nuk mund ta shtynim më tepër, jemi të vjetër, kemi 31 ditë nën terror psikologjik. Dikur në Burgun e Burrelit një ujë me sheqer na linin kur bënim grevë, ndërsa këta donin të na vdisnin në mënyrë të ngadaltë. Këtu nuk është problemi vetëm i yni, por i të gjithë popullit. Institucionet këtu nuk funksionojnë fare. Ne nuk kërkojmë gjë tjetër, veçse të zbatohet ligji”, u shprehën grevistët, duke u larguar nga çadra e improvizuar më 22 shtator në hyrje të rrugës “Komuna e Parisit”.

Zhvillimet

Gjatë 31 ditëve, pranë zonës në të cilën zhvillohej greva, ka pasur zhvillime të rëndësishmes si: akuza, kundërakuza, tentativa për vetëflijime, arrestime, përplasje institucionale e të tjera. Tre prej tyre u dogjën me benzinë, duke tentuar vetëvrasjen, por pa ia arritur qëllimit