Fitorja 1-0 e përfaqësueses së U-21 të Anglisë ndaj Serbisë në nuk i ka shuar polemikat dhe akuzat për ngjarjet e shëmtuara që ndodhën në stadiumin e Krusevac, kur përgjatë 90 minutave lojtarët me ngjyrë të formacionit të Stjuart Pirs u ofenduan me kore raciste nga tifozët vendas, cka solli degjenerimin e situatës deri në konfrontim fizik mes pjesëtarëve të të dyja skuadrave.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Federata Angleze kërkon nga UEFA marrjen e masave ndëshkimore për Federatën e Serbisë, duke kërcënuar se nuk do të pranojë që të dërgojë në të ardhmen në Serbi asnjë nga përfaqësueset e saj. Nga ana e saj, Federata Serbe e Futbollit ka hedhur poshtë pretendimet e homologes angleze për sjellje raciste të tifozëve, duke akuzuar drejtpërdrejt mbrojtësin Deni Rouz për provokim të kundërshtarëve.
Për ngjarjen në fjalë ka reaguar edhe ish-futbollisti i kombëtares angleze Pol Ins, djali I të cilit është pjesë e Shpresave të Anglisë dhe që u ofendua nga tifozët serbë. Sipas Ins, Serbia duhet të përjashtohet nga Europiani për të paktën 10 vitet e ardhshme. Anton Ferdinand, futbollisti i Quins Parc Rangers, komentoi me ironi në tëiter, nëse Blater do t’u kërkojë sërish që t’i japin dorën kundërshtarit.
Masa të ashpra kundër Serbisë kërkoi edhe kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherard, sipas të cilit lufta kundër racizmit është kthyer në pikën e nisjes.
"Ajo që ndodhi në Serbi na ka zhgënjyer shumë, pasi do të thotë se jemi kthyer në pikën e nisjes në luftën kundër racizmit, ndërkohë që mendonim se kishim bërë hapa para. Autoritetet duhet të marrin nën kontroll situatën, duke ndërhyrë me masa të ashpra, sepse mbetet e vetmja zgjidhje. Nuk ka më kohë për të pritur."