RTV Zëri · Kryefaqja

MPJ largon shqiptarë, punëson maqedonas

2012-10-18 · Arkivi historik RTVZIK

Tetëmbëdhjetë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), prej të cilëve tetë janë shqiptarë, janë transferuar në institucione të tjera. Transferi i tyre është mundësuar pasi atyre fillimisht u është ndryshuar statusi nga nëpunës shtetërore në nëpunës publikë, në bazë të një vendimi qeveritar, sipas të cilit nëpunësit publik, për dallim prej nëpunësve shtetërorë, mund të transferohen nga një institucion në tjetër pa pëlqimin e tyre.

Me largimin e tetë nëpunësve shtetëror ka rënë përqindja e shqiptarëve në MPJ, përqindje kjo që edhe më parë nuk i arrinte shifrat e parapara me Marrëveshjen e Ohrit. Përqindja e shqiptarëve në këtë ministri, bie edhe më tepër pasi në ndërkohë janë duke u punësuar vazhdimisht maqedonas. Aktualisht MPJ - ja ka tre konkurse të hapura për punësime.

Shqiptarët e punësuar në këtë ministri frikësohen se edhe ata mund të përfshihen nga “fshesa” e nisur në MPJ. “Asnjëri prej nesh nuk është i sigurt në këtë vend pune. Nga momenti në moment mund të na transferojnë në ndonjë institucion tjetër”, tha për “Lajm”, njëri prej të punësuarve në këtë institucion.

Ndërkaq, nga MPJ-ja, të mërkurën “Lajm” nuk mori përgjigje se pse transferohen nëpunës nga kjo ministri në institucione të tjera në të njëjtën kohë kur shpallen konkurse për punësime të reja. Zëdhënësi i kësaj ministrie Borçe Stamov kërkoi që pyetjen t’ia dërgojmë me email, megjithatë, gjatë gjithë ditës nga kjo ministri nuk erdhi asnjë përgjigj.

Po ashtu, të mërkurën nuk arritëm të marrim dot përgjigje se pse SIOFA lejon uljen e përqindjes së shqiptarëve në këtë institucion të rëndësishëm (MPJ) dhe largimin e nëpunësve që janë pranuar sipas Marrëveshjes së Ohrit. Edhe nga ky institucion sqarime do të japin në ditët në vazhdim.