RTV Zëri · Kryefaqja

Miratohet Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

2012-10-18 · Arkivi historik RTVZIK

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan pak çaste më parë me shumicë votash Rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Për të votuan 68 deputetë, nga 75 sa ishin të pranishëm, ndërkaq ishin kundër vetëm tre deputetë dhe katër abstenuan.

Rezoluta mori mbështetjen edhe të partive opozitare, LDK e AAK, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje pasi protestoi në Kuvend me një pano me mbishkrimin “Rezolutë për nënshtrimin ndaj Serbisë”, u largua nga salla në momentin e votimit.

Debati për këtë dokument u përshkua nga polemika të ashpra ndërmjet deputetëve, në veçanti të atyre të Vetëvendosjes.

Ndonëse edhe deputetë të LDK-së shfaqën rezerva ndaj nevojës për miratimin e një rezolute të tillë, votimi dëshmoi se ajo u votua edhe prej tyre.

Madje, deputeti Sabri Hamiti e vuri në pikëpyetje qoftë edhe pajtimin e subjektit të tij që të jetë pjesë e grupeve sponsoruese (kryetari që ndodhet në Bukuresht me asnjë fjalë nuk na ka njoftuar se është pajtuar – e kishte fjalën për Isa Mustafën), shkruan Koha Ditore.

Kryeministri Hashim Thaçi ndërkohë u bëri thirrje deputetëve që të jenë unikë në çështjet që janë në interes të vendit, teksa iu përgjigj atyre deputetëve që duke kundërshtuar rezolutën, thanë se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë.

“Edhe nëse kërkon Serbia falje për vrasjet në Kosovë, ajo kërkimfalje nuk mi shëron plagët mua dhe qytetarëve. Ajo do të përjetësohet, do të ketë reflektime. S’ka kërkimfalje që e shlynë gjenocidin e Serbisë në Kosovë. prandaj unë ju ftoj të punojmë bashkërisht siç kemi punuar deri më tash, sic kemi punuar në të kaluarën”, u shpreh Thaçi.

Deklaratat e tij erdhën pas kritikave të shumta, sidomos nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për rezolutën. Glauk Konjufca theksoi se me miratimin e kësaj rezolute po degradohet Kuvendi, sepse siç tha ai, Kuvendi e ka rezolutën për kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë me kthimin e personave të pagjetur. Ndërsa Albin Kurti tha se rezoluta i shkon në favor vetëm Serbisë.

“Përfundimisht normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do të përkthehet në normalizim të marrëdhënieve Serbi-BE me Kosovën gjithnjë e më anormale”, tha Kurti.

Ndërkaq deputetët e Vetëvendosjes ishin kundërshtar të vendosur të këtij dokumenti. Kur ajo u votua, dolën para foltore së Kuvendit me një transparent në të cilin shkruante “Rezolutë e nënshtrimit ndaj Serbisë”. Ndërkohë deputetët do të jenë në një pushim, për të vazhduar pasdite procedimin e pikëve të tjera të parapara me rendin e ditës.