Kryeministri në mbledhje qeverie vlerëson rritjen ekonomike
Aktivitetet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe financimi i tyre ishte çështja e parë e trajtuar në fjalën e Kryeministrit, Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Lidhur me një çështje të tillë, kreu i qeverisë vlerësoi maksimalisht vizitën e tij në Kosovë dhe pjesëmarrjen në kremtimet për 100 vjetorin.
Ndalur në një vizitë të tillë, Kryeministri i mëshoi faktit se duhet bërë gjithçka që Shqipëria dhe Kosova të jenë bashkë në Evropë. “Në Kosovë kisha një pritje vëllazërore. Falenderimet më miqësore për autoritetet e Kosovës, për këtë pritje. Theksoj se procesi i bashkimit kombëtar është një proces i pandalshëm. Copëtimet kanë mbajtur të ndarë shqiptarët. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen një, pasi energjia bashkuese e kombit është një vlerë e madhe. Jemi në vazhdimësi etnike dhe shumicë gjeografike etnike”, vuri në dukje Berisha. Në funksion të këtij qëllimi, që Shqipëri e Kosovë të jenë nesër bashkë në BE, kreu i ekzekutivit anonçoi dhe moton që do të çonte në realizimin e këtij qëllimi. “Bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Më këtë moto do të kemi një të ardhme të shkëlqyee”, deklaroi Berisha. Sipas tij, rikthimi i shtatores së Hasan Prishtinës në Shkup ishte një moment historik madhor dhe një vlerësim për një figurë të tillë. Gjithashtu në fjalën e tij në këtë mbledhje, Kryeministri Berisha u ndal dhe në zhvillimet ekonomike, ku veçoi si mjaft pozitive rritjen ekonomike në vend. “Në tremujorin e dytë patëm një rritje ekonomike 2.1 %, gjë që tregon se Shqipëria është rritur ekonomikisht”, nënvizoi Berisha.