Në ditën e 24 të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve politikë është mjaft e rënduar, por ata refuzojnë të shtrohen në spital. Mesditën e sotme, Vllasi Koçi ka shfaqur komplikacione në zemër, por megjithë këmbënguljen e mjekëve ai nuk ka pranuar të largohet nga mjediset e grevës. Bluzat e bardha kanë kërkuar që edhe grevisti Ramazan Spahiu të marrë trajtim të hospitalizuar për shkak të problemeve me frymëmarrjen, por nuk kanë mundur ta bindin. Kushtet aspak të favorshme atmosferike si dhe greva e gjatë ka rënduar së tepërmi gjendjen e grevistëve, por ata shprehen të vendosur të rezistojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike. Gjatë ditës së sotme nuk kanë munguar tensionet. Koordinatorët e grevës kanë tentuar të rifusin në grevë ish-grevistin Arif Beu, por nuk janë lejuar nga forcat e policisë. Ish-i përndjekuri ishte larguar nga greva dy ditë më parë për shkak të gjendjes shëndetësore të së bijës. “Vajza ime ndodhet në spital dhe unë duhet të kontaktoja me të, por tani nuk më lejojnë të rihyj në grevë”, tha Beu.
Pas përballjes me forcat e policisë, koordinatorët e grevës kanë paralajmëruar një tjetër grevë në një tjetër ambient me grevistë të rinj.
Ora 20:00- Grevisti Vllasi Koçi dërgohet me urgjencë për në spital
Gjendja shëndetësore e grevistit të urisë, Vllasi Koçi, është rënduar gjatë orëve të mbrëmjes dhe ai është dërguar me urgjencë për në QSUT. Gjatë mesditës ai kishte shfaqur komplikacione në zemër, por nuk kishte pranuar të largohej nga mjediset e grevës për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar. Në mbrëmje, gjendja e tij është agravuar dhe një autoambulancë e ka transportuar për në urgjencë.
Nga 25 grevistët e fillimit aktualisht tani po e vazhdojnë grevën e urisë vetëm 7 ish- të dënuar politikë.
16:30-Tufa: Berisha ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, mund ta pësojë si Gedafi
Skënder Tufa ka reaguar pas akuzave që kryeministri Sali Berisha lëshoi në drejtim të tij gjatë mbledhjes së grupit kuvendor. Tufa i ka cilësuar shpifje deklaratat e Berishës, ndërkohë që ka thënë se ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, që ka dënuar Hysen Shoshorin. Sipas Tufës, Berisha është një skizofren që duhet të largohet nga drejtimi i vendit, ndryshe do të ketë fatin e Gedafit.
“Ti je bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. E ka thënë Hysen Shoshori. Nuk do të them se ti je bashkëpunëtor i UDB-së, siç ka thënë ZP-ja apo Penicilina, apo je personi që je shtruar si psikopat, sepse nuk kam prova. Por do të them që je një skizofren që ke mbytur politikën shqiptare. Duhet të largohesh, sepse mund ta pësosh si Gedafi. Më ke hequr bukën e gojës, më ke bërë presion, por këtu nuk shtrohet çështja e Skënder Tufës, pasi do ta shtrojmë një herë tjetër. Ti si komunist i vjetër po i lë të vdesin grevistët, ne jemi zëri i vërtetë i demokracisë. Largohu dhe lëre këtë vend të qetë”, ka thënë Tufa.
Berisha e akuzoi këtë të fundit si një kriminel ordiner, që është marrë me trafik femrash dhe se për disa vite me radhë ka pasur një bordello në mes të kryeqytetit.
13:00 Berisha: Greva politike, drejtohet nga një kriminel ordiner
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar grevën e urisë së ish të përndjekurve si tërësisht politike. Sipas Berishës, ai ka bërë shumë për këtë shtresë të popullsisë ndërkohë që gjatë mandatit të tij ka dhënë një dëmshpërblim të madh dhe ka vënë 2200 apartamente në dispozicion të tyre.
Shefi i Qeverisë theksoi se dëmshpërblimi i kësaj kategorie është bërë në përputhje me ligjin dhe se qeveria ka bërë gati edhe këstin e dytë, ndërsa sipas tij Partia Socialistë nuk ka bërë asgjë për ta. “Greva është e organizuar nga një grup i vogël njerëzisht dhe drejtohet nga një kriminel ordiner”, u shpreh Berisha, duke iu referuar koordinatorit të grevës, Skënder Tufa ndaj të cilit lëshoi një mal me akuza. 11:00 – Ish-të përndjekurit, tubim para Kuvendit: Nuk tërhiqemi nga kërkesat tona
Rreth orës 11:00, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, ka nisur tubimi i ish-të përndjekurve para Kuvendit.
Koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa ka bërë thirrje që t’u jepet një zgjidhje kërkesave të ish-të përndjekurve, të cilët në ditën e 24 të grevës shfaqin një gjendje tejet të rënduar shëndetësore. Ai ka denoncuar indiferencën e institucioneve publike dhe komuniteteve fetare ndaj këtyre njerëzve që janë duke u sakrifikuar për të drejtat e tyre.
“Duam zgjidhje ligjore, nuk duam politizimin e çështjes sonë. Duam vetëm zbatimin e këtij ligji, që është miratuar në këtë Kuvend”, tha ai.
Ndërkohë koordinatori tjetër i kësaj greve, Asllan Patrioti i drejtoi një thirrje kryeministrit të vendit që të mos qëndrojë akoma indiferent përballë gjendjes së këtyre njerëzve, të cilët sipas tij e kanë mbajtur në pushtet për kaq vjet, ndërsa theksoi se vota e ish-të përndjekurve nuk do të jetë më për të në zgjedhjet e 2013.
Gjatë tubimit të sotëm u njoftua edhe rikthimi në grevë i ish-të përndjekurit politik Arif Beu, i cili la tendën e grevës dy ditë më parë për shkak të një problemi familjar, pasi siç shpreh vetë kishte vajzën sëmurë me zemër. Ai i ka bërë thirrje policisë që të mos pengojnë rikthimin e tij në grevën e urisë.
9:30 – Dita e 24 e grevë së urisë, përkeqësohet së tepërmi shëndeti i ish-të përndjekurve
Ndërsa greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë ka hyrë sot në ditën e 24 të saj, gjendja e atyre pak grevistëve që kanë mbetur të ngujuar në çadrat e improvizuara pranë ‘Komunës së Parisit’ është përkeqësuar së tepërmi.
Disa prej ish-të burgosurve, me gjithë refuzimin për të pranuar ndihmë mjekësore, janë detyruar të shtrohen në spital për shkak të rëndimit së tepërmi të gjendjes së tyre shëndetësore. Ndërkohë, situata është paraqitur edhe më problematike dy ditët e fundit, për shkak të reshjeve të shiut, të cilat kanë bërë qe dyshekët dhe rrobat me të cilat mbulohen grevistët brenda tendës të lagen duke e vështirësuar situatën e tyre.
Ndërkohë, koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa ka dhënë alarmin SOS për gjendjen e rënduar të grevistëve, ndërsa ka kërkuar edhe ndihmën e komuniteteve fetare për të përmirësuar disi kushtet ku grevistët janë duke zhvilluar grevën, duke qenë se gjithçka brenda tendave të tyre është lagur nga shiu. Tufa i ka bërë sërish thirrje qeverisë që të ulet në negociata me grevistët, të cilët sipas tij janë në gjendje shumë të rënduar shëndetësore, ndërsa ka shprehur edhe një herë vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund kërkesave të tyre më se të ligjshme.
15 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)