TIRANË- Dy ditë pasi u vetëdogj me benzinë në qendër të Pogradecit, Gëzim Hamiti dhe bashkëshortja e tij rrëfejnë për 'NEWS 24' se arsyeja që e çoi në këtë akt të rëndë nuk është pushimi nga puna siç u raportua fillimisht në media, por fakti që bashkëshorti i saj si ish-i përndjekur politik nuk ka marrë ende dëshmpërblimin e plotë për vitet e burgut ’86 –’90.
“Kam ardhur për të mbështetur bashkëvuajtësit e mi”, arrin të shqiptojë Gëzim Hamiti i shtruar në repartin e djegieve në QSUT për 'News 24'.
“Ai u dogj për arsye se është ish- i burgosur politik dhe është në përkrahje të ish- të përndjekurve politikë që janë në grevë. I përkrah ata, por nuk e lejuan të hyjnë në grevë në Pogradec me kryetarin e shoqatës së të përndjekurve dhe ai u vetëdogj para bashkisë. Ne me Bashkinë Pogradec nuk kemi asnjë lloj problemi, as me kryetarin. Dua të përgënjeshtroj lajmin që u dha se është pushuar nga puna, pasi nuk është i vërtetë. Ai ka qënë në burg në vitet 1986-1990, ka qënë dhe i internuar”,- shprehet bashkëshortja e Hamitit.
I shtruar në repartin e djegieve në QSUT, Gëzim Hamiti shprehet se ka dashur disa herë të bëhet pjesë e grevës, por nuk e kanë lejuar. Ai shton se Gjergj Ndrecën dhe Lirak Bejkon i ka miq.
Gëzim Hamiti, 47-vjeçari, i cili u vetëdogj me benzinë dy ditë më parë në qendër të Pogradecit sqaron për 'News 24' se aktin e ndërrmori si ish-i burgosur politik dhe në mbështetje të kauzës së grevistëve në Tiranë. (e.m/NEWS24/BalkanWeb)