Pesë shtete të Bashkimit Evropian kërkojnë që për Maqedoninë dhe Serbinë të rikthehet regjimi i vizave. Pas Gjermanisë, edhe Belgjika, Luksemburgu, Suedia dhe Holanda kanë kërkuar që për qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë të rikthehet regjimi i vizave, për shkak të rritjes ekstreme të numrit të azilkërkuesve dy muajt e fundit nga këto dy vende. Sipas paralajmërimeve, kërkesa për kthimin e vizave duhet të shqyrtohet në Samitin e ministrave të punëve të brendshme dhe atyre të drejtësisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që do të mbahet më 25 tetor. Këshilli i ministrave të vendeve të BE-së, vitin e kaluar miratoi masa të jashtëzakonshme, me të cilat Komisionit Evropian i dha mundësi përkohësisht të pezullojë regjimin pa viza, nëse atë e kërkon ndonjë vend anëtar i BE-së. Edhe pse paralajmërimi për kthimin e mundshëm të regjimit të vizave është bërë publik prej disa ditësh, autoritetet në vend, ende nuk komentojnë këto paralajmërime apo masat që kanë ndërmarrë institucionet vendore për të parandaluar fluksin e madh të azilkërkuesve nga Maqedonia. Nga ana tjetër kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ka thënë se qytetarët e Serbisë nuk janë fajtorë për kthimin e mundshëm të regjimit të vizave.
“Kthimi i vizave do të ishte dënim për qytetarët e Serbisë të cilët nuk janë fajtorë për këtë situatë. Shtrohet pyetja çfarë mund të bëjë shteti! Them se shteti duhet të punojë për zhvillimin e rajoneve ku jetojnë romët. Kjo qëndron edhe në konkluzionet tona. Ne do të donim që kjo të ndodhë menjëherë, por një gjë e tillë nuk është e mundur. Mendoj se zhvillimi i rajoneve të tilla do të ndodhë në dekadat në vijim. Nëse vendet anëtare të BE-së, apo disa prej tyre mbeten të vendosur në qëndrimet e tyre, kjo do të linte pasoja serioze në raportet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian”, tha Ivica Daçiç, kryeministër i Serbisë.
Dukuria e shpërnguljes së qytetarëve nga Maqedonia drejt vendeve të Bashkimit Evropian u përhap në fund të vitit 2009 dhe fillim të vitit 2010, pas liberalizimit të vizave. Vendet e BE-së të cilat ishin më të prekura nga azilkërkuesit janë Belgjika, Gjermania, Suedia, Holanda.Shkëlzen Aqifi