Qerim Pllana Një prej personaliteteve më të njohura dhe më të shquara shqiptare, që lë gjurmë të pashlyera në të gjitha periudhat e historisë sonë kombëtare, pas Gjergj Kastriot Skënderbeut, pa dyshim është Ismail Qemail Vlora, 1844 -1919. Më 1 prill 1913, Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë Provizore të Vlorës, me një delegacion me Isë Boletinin, Luigj Gurakuqin etj., u nisën për udhëtim në Evropë, që të bisedonin me Fuqitë e Mëdha; në Romë,Vjenë, Paris, Londër, (Itali, Austro-Hungari, Francë dhe Britani të Madhe) mbi çështjen e sovranitetit, kufijve dhe integritetin e Shqipërisë të sapolindur.
Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi etj., si deputetë në parlamentin turk e dinin se për t`u ndarë nga Perandoria, Shqipërisë si çdo populli dhe shteti i nevojitet territori, popullsia, kufijtë e caktuar në shtrirjen reale etnike dhe gjuhësore, më në fund sovraniteti dhe integriteti politik, ekonomik dhe ai gjeostrategjik. Prandaj, pikërisht për çështje të kufijve, sovranitetit dhe integritetit të vendit, ata me Isë Boletinin u nisën drejtë Evropës, duke shpresuar më në fund se Shqipërisë do t`i pranohej të paktën hapësira territoriale gjuhësore prej 62 mijë kilometra katrorë. Pra, atje ku në fakt shtriheshin dhe luftonin shqiptarët për pavarësi, sovranitet dhe integritet. Por Konferenca e Ambasadorëve në Londra (I) (.), Shqipërisë i pranon vetëm 28.000 kilometër katrorë nga hapësira para vitit 1878 e shtrirë në 102.000, të tkurrur në 92.000, pastaj me L. Ballkanike 1913 në 62.000, respektivisht në 28.000 kilometra katrorë në vitin 1913!!! Në Kuvendin solemn të Vlorës, Kosovën se përfaqësonin të gjithë delegatët, sepse, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe Sahit Hoxha, pas Kuvendit të Shkupit, u zunë rob nga ushtria serbe dhe u dërguan në burgun e Kalemekdanit në Beograd. Mu në kohën e shpalljes së pavarësisë, në të cilin akt solemn nga Kosova merrnin pjesë, Sali Gjuka, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica. Isa Boletini erdhi një ditë më vonesë në Vlorë. Sepse edhe ai u pengua nga forcat serbo-malazeze, kur u formua Qeveria e parë Provizore shqiptare në Vlorë më 29 nëntor 1912. Në të cilën u zgjodhën: Dom N. Kaçorri nënkryetar, Myfi Bej Libohova, ministër i Brendshëm, Gjeneral Mehmet Pashë Deralla ministër Lufte, Abdi Bej Toptani ministër i financave, Dr. Petro Poga ministër i drejtësisë, Dr. Luigj Gurakuqi ministër i Arsimit, Mitat Frashri ministër i Punëve të Jashtme, Pandeli Cole ministër i Bujqësisë dhe Lef Nosi ministër Post-Telegrafi. Në qeverinë Provizore, po të ishin prezentë të burgosurit në Serbi, të paktën Hasan Prishtina do ta zinte një vend në ndonjërën nga ministritë, mbase të Drejtësisë, apo diku tjetër në qeverinë provizore... Pas shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë, mendohej se vendit do t`i pranohej sovraniteti, integriteti dhe kufijtë, së paku në hapësirën prej 62.000 kilometra katrorë. Fatkeqësisht pas pavarësisë, në Shqipëri filloi një luftë e rrezikshme fraksioniste mes grupeve rivale për pushtet dhe copëzim të Shqipërisë. Situata ishte mjaft e nderë dhe që u shkonte për shtat si qarqeve të brendshme reaksionare pro-turke dhe pro-sllave e greke, në veçanti marrëdhënieve acaruese ndërkombëtare në Evropë, në prag të Luftës së Parë Botërore imperialiste. Më 17 dhjetor 1912, në Londër u mblodh Konferenca e Ambasadorëve me punë të jashtme, të cilën e kryesonte Eduard Grej. Në seancën e parë, konferenca vendosi që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit dhe në mbështetje të propozimit rus dhe italian, që synonin të përkufizonin edhe më shumë mundësinë e mbizotërimit (si tani siç është duke vepruar Rusia me disa aleatë të saj ndaj Kosovës), asokohe ndikimit austro-hungarez nën garancinë dhe kontrollin ekzekutiv të gjashtë fuqive të mëdha! Konferenca ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë të studionin dhe t`u propozonin fuqive të mëdha projektin mbi organizimin e shtetit autonom shqiptar. (Shih, Historia e Popullit Shqiptar dy, faqe 365). Reaksioni i ashpër në Shqipëri para, gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë Në Shqipëri, Esat Pashë Toptani, Prenk Bib Doda, Dervish bej Biçakçiu, Kristaç Zografi, Haxhi Qamili e të tjerë, me veprimet e tyre reaksionare e vunë në rrezik tërësinë tokësore, duke shkaktuar çrregullime dhe rrëmujë në të gjithë vendin. Nuk ishin vetëm këta që i prishnin punë dhe rrezikonin qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë. Kishte dhe të tjerë, ndonëse u ishin besuar ofiqe të larta në shtetin e ri, si udhëheqësit aktualë sot në hapësirën shqiptare, Tiranë, Shkup, Prishtinë. Atëherë prej vetë I. Qemalit, të cilët kur ua donte interesi i tyre klasor - personal, i hidhnin gjemba nëpër këmbë të gjorit Plak, që ta pengonin në punën e tij të domosdoshme dhe shumë të shenjtë për mbrojtjen dhe krijimin e Shqipërisë reale...! Prandaj, në rrethana të tilla krize të brendshme rajonale dhe ndërkombëtare, Ismail Qemali me një delegacion, në të cilin gjendeshin patriotë të shquar, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi e të tjerë, morën udhë për në Evropë, Romë, Vjenë, Paris dhe Londër, më 1 prill të vitit 1913, drejt Fuqive të Mëdha, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës dhe Anglisë. “Çfarë punë titanike e zotësie të rrallë duhej të kishte që t`i përballoje këto kërcënime që i turreshin dhe i thureshin Shqipërisë nga të katër anët”, do të thoshte Skënder Luarasi, autor i bibliografisë më të saktë të Ismail Qemal Be Vlorës, në “Kujtimet”, për Plakun e Detit dhe kiametit. Vlen të theksohet se sa e dobishme ka qenë në rrethana të tilla zotësia, përvoja dhe urtësia e Plakut të Vlorës, i cili u përpoq të shfrytëzonte të gjitha kontradiktat në atë shumësi armiqësish të Shqipërisë, duke i zbuluar dhe demaskuar intrigat e tyre djallëzore, për të përfituar ç`mund të përfitohej asokohe, duke udhëtuar vetë në Londër, Romë, Vjenë, Paris në atë moshë të shtyrë të pleqërisë së tretë. Dhe më 1 prill 1913, Ismali Qemali u nis për udhëtim të gjatë e të mundimshëm, por pjesërisht të suksesshëm. Ishte kohë tepër e vështirë, sepse ushtria greke kishte bllokuar edhe vetë Vlorën, duke u shtrirë nga Llogaraja në Tepelenë gjer në Skrapar e Gorë. Ushtria serbe kishte zbritur deri në Elbasan dhe Durrës, duke vrarë, djegur e masakruar, kurse ajo turke nën komandën e Xhavit Pashës, i cili katër vjet më parë e kishte djegur dhe e kishte mbytur Kosovën në gjak dhe zjarr. E shpartalluar dhe e ndjekur nga ushtritë aleate ballkanike serbe, bullgare, malazeze, këmba këmbës po e rrezikonte kryeqytetin e qeverisë provizore të Shqipërisë, Vlorën heroike. Delegacioni shqiptar ishte i fundit që mbërrini në Londër. Qendrat e Fuqive të Evropës, Plakun e Detit dhe të kiametit nuk e pritën fare mirë! Sepse apetitet e tyre të mëdha në prag të Luftës së Parë Botërore, u shprehën me krijimin dhe interesin e blloqeve imperialiste Lindore, Qendrore dhe Perëndimore, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë Cariste, të cilat përgatitnin okupime të reja drejt Mesdheut dhe Gadishullit Ballkanik. Por as shtetet fqinje s`do të rrinin duar kryq. Interesi i të gjithëve ndeshej sidomos në Ballkanin e trazuar në përgjithësi, në tokat shqiptare në veçanti, Evropë dhe në botë në përgjithësi... Ja se si shprehet Ismail Qemali: “Të sigurt për drejtësinë dhe kërkesat tona, pritëm me besim të plotë vendimin e Konferencës së Fuqive. Por simpatia që më treguan për misionin tim, qe i vetmi ngushëllim për zemrën e thyer të Shqipërisë, kur mësuam vendimin e Konferencës së Londrës I”, (sot Brukseli dhe Londra e kanë borxh shqiptarëve përmirësimin e gabimit tragjik, për të organizuar Konferencën II, (vërejtje e autorit)! Duke përmirësuar shkeljet historike ndaj një populli të ndarë në dy pjesë, duke mundësuar ribashkimin e copëtimit të tokave nga ajo Konferencë tragjike për kombin shqiptar. Kështu, vazhdon I. Qemali: “Të zhytur përsëri në depresionin e thellë, tek shihnim të errësuar të ardhmen e vendit tonë të rilindur, na ngushëllonin vetëm duke na thënë se jemi bërë kurban për interesat e përgjithshme të Evropës”. Mbase kjo logjikë evropiane vazhdon dhe sot! Shqiptarët prapë jenë kurban më shumë se sa për Evropën!? “I pajtuar me fatin po jo i dëshpëruar, u ktheva në Shqipëri i frymëzuar vetëm nga shpresa që rrethana më të favorshme në të ardhmen do t`i japin rastin Shqipërisë të realizonte dëshirat e saja legjitime”! Por, jo veç Kosovës për të cilën mund t`i “rrëfejmë te varri i të madhit I. Qemali”, e cila u çlirua me gjakun e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve, madje dhe ajo, jo e tëra e pabashkuar akoma me vendin amë! Akoma asgjë s`është kthyer në vendin e vet. Sepse, Evropa po vazhdon të njëjtin avaz me shqiptarët në Ballkan, i nderuari hero Ismail Qemal!!! Madje Kosova sundohet nga dy-tri palë pushtetesh, dhjetra parti pozitë-opozitë, të cilat kryejnë vetëm shërbim-urdhrash të faktorit ndërkombëtar, me pranim-ndalimin e ribashkimit madje as Kosovë-Shqipëri-shqiptarët në Maqedoni. Këtë, çdo ditë e pohojnë vetë politikanët shqiptarë në Tiranë, Shkup dhe në Prishtinë...! Në një kohë kur vetë ekzistenca e shtetit shqiptar ishte në rrezik, Mufid Libahova, ministër i Punëve të Brendshme (kur Ismail Qemali propozoi Luigj Gurakuqin në komisionin ndërkombëtar të kontrollit), i ofenduar në qibrën e beut që u krahasua me një “harbut”, nuk diti të përdorte argument me diagnozë se sa t`i tregonte Ismail Qemalit letrën: “Ju ftoj Lartësinë Tuaj të ndiqni rrugën e ndërgjegjes e të njerëzisë, të na paguani borxhet që na detyroheni me dëftesa e pa dëftesa”! Kjo letër e përfaqësuesit të bejlerëve në Qeverinë Provizore, tregon më së miri sesa e zhveshur ka qenë kjo klasë feudale nga idealet patriotike, pra që s’ishte veçse pseudo-patriotike dhe tejet antikombëtare, dhe se sa të vështirë e pati Ismail Qemali punën, ku rreth tij kishte aq shumë nga këta tipa të pakarakter! Çështja e Kosovës aktualisht është e ngjashme... Kosova pas pavarësisë 17 shkurt 2010-2012 përjeton akte të tilla politike! Duke hequr paralele me kohën kur u fol, pra aktualitetin sot, sa shumë ngjajnë aq më shumë përputhën situatat në (albanidën) e politikanëve aktualë, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë ilire!? Pra raste thuajse identike me periudhën kur u shpall dhe pas saj, pavarësia 100-vjeçare, me ngjarjet në këto dy dekada në Shqipëri, Kosovë dhe në “Iliridë”. Rrethanat janë tipike si ato në Bruksel me sjelljet e ndërkombëtarëve, duke mohuar bashkimin kombëtar, thjeshtë në bashkëpunim me vendorët, shkelin mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve për fatin e nëpërkëmbur të lirisë, drejtësisë ndërkombëtare për barazi, liri dhe vëllazëri, që nga Revolucioni Borgjez Francez, Komuna e Parisit dhe një varg marrëveshjesh ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Në Librin, “Kujtime” të Ismail Qemal Vlora, Skënder Luarasi, në f. q. 92 mes tjerash, I. Qemali do të shprehej: “Në qoftë se Qeveria Provizore e Shqipërisë, e cila për 11 muajsh është përpjekur në vështirësi të panumërta, ka mundur të mbajë rregullën dhe qetësinë relative, në një vend të trazuar nga të gjithë anët prej armiqsh, që janë betuar ta prishin atë, ajo nuk e kërkon për vete meritën që në fakt i përket vetëm patriotizmit dhe shpirtit paqedashës të popullit shqiptar..., edhe pse kjo gjendje nuk mund të vazhdojë përgjithmonë pa u ndeshur në vështirësi të pakapërcyeshme”...! Mendohet në copëtimin e mëtejmë të atdheut ose e kundërta!? Qeveritë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup (pjesa shqiptare), sot luftën e pakapërcyeshme e kanë me korrupsionin, politikën e parenditur mes tyre, pa programe zhvillimi ekonomik, sidomos politik, pa një gjuhë të përbashkët, por “kundër bashkimit-ribashkimit”, mu siç u sugjeron BE. “Nuk ka ndarje, nuk ka bashkim, ruhen kufijtë politikë, për çudi ata të një bote të rrënuar komuniste-socialiste, okupuese dhe kolonialiste tiranike, pastaj hapet kutia e pandorës”, dhe thashetheme, demagogji e intriga të tjera! Sepse për këtë janë pajtuar pikërisht udhëheqësit aktualë politikë, shqiptarët me ndërkombëtarët. Vendorët kanë përfituar një shpërblim për të mbajtur pushtet dy-tre-palë, qoftë më vjedhje votash, shkelje ligjesh, abuzim me pronën e shtetit etj. Këtë më në fund e tha vetë kuvendari, z. Jakup Krasniqi, me të shpërtheu z. Fatmir Limaj, në Shqipëri me ditë të tëra s`ndalet deputeti më aktiv mbase në Ballkan, z. Erion Braçe. Për të reflektuar kurrë s`është vonë, por dëmet që i bëhen atdheut janë të pariparueshme! Dy strofat e një polifonie popullore i kushtohen I. Qemal Vlorës: “Plak i Detit dhe i kiametit”: (I) (II) “Plak i gjorë e plak i mjerë, Iku ditë e iku natë; Ku do vejë - e ku do bjerë? I mungonte bukë e thatë, Nëpër erë e nëpër shira Edhe buka i mungonte, Nëpër pellgje me shëllira... Vetëm zemra i vëlonte”. Ismail Qemali u detyrua publikisht të shprehte pakënaqësinë e qeverisë provizore, drejt veprimeve të komisionit që e gjymtonin pavarësinë kombëtare. “Qëllimi i Evropës nuk mund të ketë shkak vetëm të mirën tonë” (deklaroi I. Qemali, më 22 tetor 1913 para një mitingu në Vlorë). Por një kontroll sado i zbutur dhe i zbukuruar të quhet, duke qenë se vjen prej mendimit, që ka bota për pamundësinë e shqiptarëve të qeverisin vetë, na jep ndjenjën se s`janë fort të kënaqshme për shqiptarin që do lumturinë morale të Shqipërisë”! Me fjalë të tjera, bota nuk rrotullohet vetëm dhe vetëm rreth nesh! Prandaj, duhet menduar esëll se ç`jemi duke vepruar me politikën e vetëkënaqësisë, sikur i kemi disa albanida, dy-tri “shtete shqiptare”?! Në realitet s`e kemi dhe një të vetmin shtet sovran, të bashkuar dhe të unifikuar, të zhvilluar, duke u mbështetur në pasuritë ideale të Tokës, në të cilën jetojmë, por ato të mira të mëmës natyrë nuk i gëzojmë, bash për faje të politikës aktuale fodulle, luftës vetëm për pushtet e jo për sovranin dhe për shtet, sovranitet dhe integrim, por për (ç’integrim)! Rroftë pavarësia të cilën në rrethana mbinjerëzore e arriti heroi i popullit Ismail Qemali me sovranin dhe patriotët, pas shtetit shqiptar të Gj. Kastriotit, më 1443-1468. Por jo shtetin si të tillë, pa sovranitet, pa integritet në hapësirën natyrale shqiptare. Një komb një shtet, flamur, gjuhë, himn, stemë histori dhe gjeografi të folmes në këtë nën-qiell dhe hapësirë. Mbi këto dete, fusha, male, lumenj, fshatra e qytete, mrekulli të veta të mbijetesës...! *Urime të përzemërta pavarësia, bashkimi, sovraniteti dhe integritet kombëtar shqiptar! Urime 100-vjetori i pavarësisë!