RTV Zëri · Kryefaqja

Maqedonasit përfitojnë nga miliardat e mërgimtarëve shqiptarë

2012-10-08 · Arkivi historik RTVZIK

Përveç asaj që mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë, paratë e mërgimtarëve shqiptarë përdoren për të ndërtuar projekte mono-etnike siç është ai i Shkupit 2014. Sipas të dhënave të BPM në shtatë muajt e parë të vitit nëpërmjet mërgimtarëve kanë hyrë në Maqedoni 897, 4 milionë euro

Po të mos ishin mërgimtarët shqiptar, ekonomia e Maqedonisë do të kishte falimentuar me kohë. Megjithatë përveç asaj që mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë, paratë e mërgimtarëve shqiptarë përdoren për të ndërtuar projekte mono-etnike siç është ai i Shkupit 2014. Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë në shtatë muajt e parë të vitit nëpërmjet mërgimtarëve kanë hyrë në Maqedoni 897, 4 milionë euro, shifër kjo që përputhet me të dhënat e ekspertëve shqiptarë të dhënë për 12 vjet rresht, por që nuk publikohej nga ky institucion.

Eksperti i çështjeve ekonomike, akademik, Abdulmenaf Bexheti thotë për “Lajm”  se 25 për qind e parave që sjellin mërgimtarët hyjnë direkt në buxhetin e shtetit. “Prej parave të mërgimtarëve në mënyrë direkte përfitojnë familjarët e tyre, ndërsa në mënyrë të zhdrejtë përfiton edhe shteti. Në mënyrë indirekte gjithsesi se më paratë e tyre ndërtohen edhe projekte mono-etnike siç është ai i Shkupit 2014”, thotë Bexheti, duke shtuar se 50 –të për qind e parave që paguajnë mërgimtarët për çdo litër benzinë shkon tek buxheti i shtetit. Ai sqaron se 25 për qind e një miliardë dollarëve që sjellin mërgimtarët direkt hyjnë në buxhetin e shtetit nëpërmjet tatimeve, nëpërmjet pagesës së TVSh-së, deri edhe nëpërmjet dasmave, ndërsa në disa raste kjo përqindje është edhe më e lartë, siç është rasti me benzinën. “Ka 12 vjet që ne po e promovojmë këtë, ndërsa Banka Popullore e Maqedonisë dy vitet e fundit ka nisur që të publikojë të ardhurat e mërgimtarëve, të cilat përputhen me të dhënat që i jepnim ne më mënyrë të argumentuar dhe shkencore”, thotë ai.

Pas të dhënave të Bankës Popullore ka reaguar edhe deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Izet Zeqiri, i cili thotë se duhet kërkuar përgjegjësi prej Qeverisë. “Çfarë bën Maqedonia për diasporën shqiptare, e cila mbush buxhetin e Maqedonisë. Prej projekteve kapitale që kishte paraparë Maqedonia asnjë projekt nuk është për shqiptarët. Tani jemi në muajin e 10-të dhe akoma nuk është realizuar asnjëri prej projekteve të premtuara për shqiptarët”, thotë Zeqiri, duke shtuar se projekti ku derdhen më shumë para akoma është ai i Shkupit 2014.