RTV Zëri · Kryefaqja

Braçe mesazh Berishës: Vetëm po më vrave do më ndalësh së thëni të vërtetën

2012-10-05 · Arkivi historik RTVZIK

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, i cili prej ditësh ka vënë në qendër të akuzave të tij ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, ka reaguar ndaj kërcënimit të kryeministrit Berisha. Kreu i qeverisë e quajti Braçen, edhe pse nuk iu referua me emër, trafikant. Berisha theksoi se këto akuza bëhen “për avokati të grupeve që iu djeg kjo tregti e ligjshëm”.

“Këtyre shokëve me rekorde trafikantësh, këtyre ju djeg shumë tregtia transparente sepse kanë histori të lyerjes dhe përlyerjes në trafiqe të përfolura dhe denoncuara jo të pakta dhe trafiqe të shumëllojta, kjo është e vërteta”, tha Berisha duke shtuar se “ata të cilët botojnë dokumente të klasifikuara do përgjigjen para ligjit”.

Ndaj kësaj deklarate Braçe shkruan në profilin e tij në “Facebook”, se i ka dërguar një mesazh Berishës me këtë tekst:

"Sapo i çova këtë mesazh Sali Berishës:

Kryeministër, jam Erjon Braçe!

U bë e disata herë që ju personalisht merreni me mua dhe për fat të keq aludoni për lidhje kriminale të miat. Keni 8 vjet që hetoni në mënyrë të ligjshme, por më shumë të paligjshme për mua, deri në urdhërimin e hapjes së tre palë arkivave, nga ato të Sigurimit të Shtetit, deri tek ato të Policisë Kriminale e më gjerë, nga koha e komunizmit deri në ditët e tua.

S’ke gjetur gjë.

Unë vetë i jam drejtuar Prokurorisë për akuzat e tua dhe tani disponoj vendime të Prokurorisë, si dhe shkresa të zyrtarëve të policisë që ti kontrollon, që referojnë pastërti absolute për mua.

Po e përsëris, të zyrtarëve të tu!

Meqë tani s’jam më 23 vjeç, moshë kur hyra në Kuvend përmes rrahjes barbare të njerëzve të tu, por 41 vjeç, duke kaluar përmes një sërë veprimesh kriminale të pushtetit tënd ndaj meje, ka ardhur koha që ta ndalësh këtë fushatë të ndyrë!

Atë që sapo the e mora për kërcënim të hapur ndaj jetës sime dhe familjes sime. Ti do të më burgosësh! Bëje.

Unë këtu do jem. Por mos shpif më. Është turp të shpifësh. Unë kurrë nuk kam thënë që kam dokumente sekrete. Kam thënë me plot gojën që kam dokumente tregtare dhe urdhra publike.

Asnjë, po asnjë fare nga ato që kam publikuar, nuk ka sigël të tillë Asnjë. Deklarimi yt kundër këtij fakti është i rëndë. Ti ose s’di gjë, ose po falsifikon për të kërcënuar jetën time. Por, më e rënda është që ti që deri sot po heshtje, tani po mbron veprime abuzive, deri kriminale të ministrit të Mbrojtjes.

Është zgjedhja jote.

Mua përballë me ke dhe nuk iki e nuk hesht. Vetëm po më vrave do më ndalësh së thëni të vërtetën. Kaq”./Shekulli