Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ibrahim Sulejmani nga Tetova është gjetur i vdekur sot në mëngjes në burgun e Shtipit. Sipas informatave të para, vdekja ka qenë natyrore dhe nuk janë vërejtur gjurma të dhunës në trupin e pa jetë të 39 vjeçarit Ibrahim Sulejmanit. Nga Ministria e Drejtësisë njoftojnë se kanë angazhuar shërbimet kompetente që të hetojnë arsyet dhe rrethanat në të cilat Ibrahim Sulejmani humbi jetën. “Informacionet fillestare dëshmojnë që asnjë shenjë dhunë nuk është gjetur në trupin e të ndjerit dhe rezulton që vdekja është si pasojë e shkaqeve natyrore. Megjithatë, edhe përskaj informacioneve fillestare së bëhet fjalë për vdekje natyrore, ministri Bexheti përsëri angazhoi të gjitha shërbimet kompetente që të shqyrtojnë çdo dilemë që mund të ekzistojë në opinionin publik dhe tek familja e të ndjerit për arsyet e vdekjes”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë. Ibrahim Sulejmani vuante dënimin me burg prej 15 vjetëve, ndërsa në burgun e Shtipit ka qëndruar 4 vjet e gjysmë. Ai ishte dënuar për vepra që kishin të bënin me krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001, ndërsa me interpretimin autentik të Ligjit për amnisti në Kuvend Ibrahim Sulejamni priste lirimin e tij. Nga Ministria e Drejtësisë njoftojnë se në vitin 2011 Gjykata e Tetovës ka sjellë vendimin për lirimin e tij nga akuza për krimet e luftës dhe në procedure e sipër ka qenë ndarja e veçantë e veprave tjera penale.‘Ministria e Drejtësisë informon që tashmë i ndjeri Ibrahim Sulejmani është liruar nga akuzat për Krime Lufte në përputhje me Ligjin për Amnisti dhe interpretimin autentik të po këtij Ligji nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në bazë të vendimit Gjykatës së Tetovës të marrë më 9 shtator të vitit 2011. Me kërkesë të të ndjerit, veprat tjera penale të tij i janë bashkangjitur në një aktakuzë me akuzën për Krime Lufte dhe procedura ka qenë në vijim për ndarjen e veçantë të veprave penale të të ndjerit”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë. TV Alsat që pas interpretimit autentik të Ligjit për amnisti, pati alarmuar opinionin se personi i vetëm që vuan dënim për veprat e kryera në konfliktin e vitit 2001, ka qenë Ibrahim Sulejmani. Shkëlzen Aqifi
2012-10-03 · Arkivi historik RTVZIK