Grupi parlamentar i LSDM-së nesër pritet të dorëzojë në Kuvend kërkesën për votëbesim të Qeverisë Gruevski ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, për këtë për kërkesën e LSDM deputetët duhet të debatojnë të premten. Mocionin e votëbesimit të Qeverisë e paralajmëroi lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski në tubimin me qytetarët e Manastirit. Ai tha se nisma për votëbesimin e Qeverisë ka për qëllim të zhveshë lojërat e partnerëve të koalicionit qeveritarë VMRO DPMNE e BDI, të cilët sipas tij, po luajnë në një kartë të rrezikshme duke tensionuar marrëdhëniet ndëretnike në vend. Partnerët e koalicionit sot nuk deshën të flasin për këtë kërkesë të opozitës. Nga BDI-ja e Ahmetit thonë se presin të shohin arsyetimin e kërkesës për votëbesim dhe më pas do të bëjnë publike qëndrimin e tyre. Ndërsa në selinë e BDI-së në Reçicë sot qëndroi ambasadori amerikan Poll Uollers, për takim me kryetarin e BDI-së Ahmeti. Në mbështetje të iniciativës së LSDM-së i pari doli sot kryetari i RDK-së Rufi Osmani. “RDK-ja në parlamentin e Maqedonisë do të përkrahë këtë iniciativë, sepse ne veprojmë nga pozicionet opozitare dhe mendoj se është rasti i fundit që kjo lojë tragji-komike që në këtë rast udhëhiqet në parlament me një marrëveshje paraprake mes VMRO-së dhe BDI-së të përfundon dhe ato të marrin një qëndrim të qartë, të votojnë ligjin për branitellat dhe të hedhin si të tillë dhe të përfundojnë me një maltretim permanent që janë duke u bërë qytetarëve për një çështje për cilën ato kanë një marrëveshje paraprake“, tha Rufi Osmani, kryetar i RDK-së. Sipas rregullores së Kuvendit, për çështjen e parashtruar për votëbesimin e Qeverisë, kryetari i Kuvendit menjëherë thërret seancë. Ajo mbahet ditën e tretë nga dita e parashtrimit të çështjes së votëbesimit për Qeverinë. Të drejtë për arsyetimin e çështjes së votëbesimit të qeverisë ka një prej deputetëve që e kanë ngritur këtë çështje në kohëzgjatje prej më së shumti 30 minuta. Deputetët gjatë shqyrtimit mund të flasin më shumë herë në kohëzgjatje prej 15 minutave ndërsa koordinatorët e grupeve parlamentare mund të flasin 20 minuta. Kryetari i Qeverisë para votimit ka të drejtë të drejtohet në Kuvend. Nëse qeverisë i votohet mocioni, kryetari i qeverisë deri tek Kuvendi dorëzon dorëheqjen në afat prej 24 orëve nga votimi i mocionit. Për votimin e mocionit të qeverisë dhe për dorëheqjen e dorëzuar, kryetari i Kuvendit menjëherë e njofton presidentin e shtetit. Shkëlzen Aqifi
2012-10-01 · Arkivi historik RTVZIK