RTV Zëri · Kryefaqja

Qeveria thellohet në borxhe!

2012-09-24 · Arkivi historik RTVZIK

Qeveria do të marrë borxh të ri prej 250 milionë eurosh, para’ të cilat do të shpenzohen për financimin e deficitit buxhetor në vitin 2013. Me një pjesë të këtyre parave, për të cilat garanci do të jetë Banka Botërore, qeveria do të shlyej borxhin ndaj kompanive, ndërsa pjesën tjetër do ta ndajë për projekte infrastrukturore dhe kthim të euro-obligacioneve.

“Me paratë që do marrim me garanci nga Banka Botërore, pra Banka Botërore do të garantojë për Maqedoninë dhe ne do të tërheqim para prej bankave komerciale ndërkombëtare; do të financohet deficiti i buxhetit. Në këto suaza do të financohen të gjitha projektet e buxhetit siç janë ato infrastrukturore, projektet e mëdha kapitale. Do të financohet pagesa e borxhit shtetëror, si dhe rritja e pensioneve dhe shlyerja e borxheve ndaj kompanive”, tha Zoran Stavrevski, ministër i financave . Deficiti i buxhetit për këtë vit do të rritet për 1 për qind, dhe pritet të shkojë në 3.5 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Megjithatë, rishikim të buxhetit nuk do të ketë. “Nuk do të ketë ngarkesë shtesë me borxhe për këtë vit. Paratë e Bankës Botërore do të merren në janar të vitit të ardhshëm. Kemi para të mjaftueshme për të financuar buxhetin për këtë vit, aq sa ka nevojë”, u shpreh Zoran Stavrevski, ministër i financave. Për opozitën, ndonëse qeveria paralajmëron se në janarin e ardhshëm do të shlyej borxhin ndaj firmave, megjithatë nuk ofrohet mënyra sesi do të pengohet në të ardhmen grumbullimi i sërishëm i borxhit të shtetit ndaj ndërmarrjeve. Kthimin e borxhit ndaj kompanive, paralajmërimin e investimeve në energjetikë dhe infrastrukturë, dje personalisht e paralajmëroi edhe kryeministri Nikolla Gruevski para biznesmenëve. Menjëherë pas prezantimit nga ana e Gruevskit, u zbut edhe qëndrimi i ministrit të ekonomisë Valon Saraqini i cili të premten në deklaratë për Alsat M tha se në vend të projektit 2014 ishte dashur të ndërtoheshin rrugë. Megjithatë mbetet e hapur çështja nëse deklarata ishte dhënë për shkak të mungesës së koordinimit në qeveri, në relacionin VMRO-BDI gjatë marrjes së politikave ekonomike, apo është dhënë pa qëllim para votuesve të vet, si kuadër të krizës që mbizotëron në koalicion