Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka deklaruar se shqiptarët kanë pësuar humbje të mëdha politike dhe ekonomike 10 viteve të fundit. “Në këto momente është shumë vështirë të flasësh për situatën aktuale politike, për raportet mes nesh dhe partisë tjetër që është në pushtet, për politikën aktuale që bën qeveria për shkak se po të fillojë unë të rendisë dhe të flasë se sa keq jemi, kam shumë frikë se mund të dukem i bajatshëm për shkak se tashmë kjo është tërësisht e qartë. 10 vjetët e fundit le që s’kemi fituar asgjë por kemi humbur shumë. Të gjithë ata që do t’ju pyesin juve se çka kemi humbur, do t’ju përgjigjeni në mënyrë të sinqertë dhe do t’ju thoni: “shtini duart në xhepat tuaj dhe shihni si e keni gjendjen në krahasim me ekonominë përpara 10 vjetëve. Gjendja është shumë e keqe”, deklaroi Thaçi në Dibër, gjatë promovimit të kandidatit të saj për këtë komunë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ai ka nënvizuar se në shumë raste ka marrë sugjerime për të folur për çështjet ekonomike për shqiptarët në Maqedoni, mirëpo sipas tij, realiteti duhet të shihet qartë.
“Duhet të flasim pandërprerë për politikë sepse pa politikë s’ka ekonomi nëse dikush mendon se pa politikë të fuqishme, të fortë, pa parti të fortë shqiptarëve këtu, do të arrijë që ti bind të tjerët që do të na japin hisen tonë ekonomike është e kot dhe për këtë arsye në platformën tashmë kushtimisht të quajtur të “re” të PDSH, dy janë çështjet themelore që i kemi vendosur. Por shumë përpara është aspekti politikë vendimmarrja me konsensus, të tërësishëm, e plote, dhe më pastaj ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit. Kjo është rruga e vetme e cila çon drejt suksesit. Ju kujtohet, jo më larg se 2 vjet, kur ne e nxorëm këtë platformë shumë gazetarë, analistë më thonin mua kush do te pranojë juve që të diskutoni për këto punë dhe sot e shohim se si nëpërmjet meje si drejtues partie flet zëvendës ndihmës sekretari amerikan, flet Komisionari për zgjerim i BE-së z. Fyle, dhe flasin të gjitha partitë të cilat janë në Maqedoni. Kjo është rrugë vërtetë e vështirë por e drejtë edhe e vetmja që çon drejt zgjidhjes së problemit”, deklaroi Thaçi, duke kërkuar mbështetje për PDSH-në dhe kandidatët e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Kandidat i PDSH-së për kryetar të komunës së Dibrës Mexhit Dika deklaroi se do të angazhohet bashkë me këshilltarët që të ndërpritet kjo e keqe, kjo zymti dhe ky pesimizëm që i ka kapluar këtë qytet.
“Ne hapim një kapitull të rri me potencialet tona njerëzore dhe intelektuale, me vendosmërinë tonë për të bërë një Dibër më të mirë për jetesë. Ne ofrojmë vizionin tonë, vizionin e suksesit, ne jemi të gatshëm të përballemi me vështirësi dhe sfida, misioni jonë i përbashkët është për ta ruajtur rininë tonë në këtë qytet, për një arsim më të mirë, për një infrastrukturë më të mirë, për një zhvillim të komunës sonë, punësim të popullatës dhe komunikim mes komunave tjera shqiptare në Maqedoni dhe rajon”, deklaroi Mexhit Dika.