Është naivitet të besohet se Maqedonia në dhjetor do mund të marrë datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Kështu është shprehur komisionеri evropian Shtefan Fyle, i cili madje ka shtuar se është i rrezikshëm dhe jo real, koncepti që çështja e emrit të mbetet në fund, pas procesit të negociatave për anëtarësim në BE. “Fillimisht, e di se mundësia që të ruhet apo lihet për në fund të procesit çështja e emrit, është e vështirë nuk është reale. Të besohet se do të shkohet përpara dhe kur do të përmbushet gjithçka, pastaj t’i kthehemi çështjes së ermit, duke besuar se ashtu do të ishte më e lehtë, është një koncept i rrezikshëm dhe nuk do të ketë sukses. Gjithçka tjetër varet nga anëtarët e Unionit, nuk dua të paragjykoj çfarë do të ndodhë në dhjetor, do i kisha ulur pritjet këtu. Anëtaret e unionit janë të qarta rreth qëndrimit të tyre për sa i përket çështjes së emrit dhe çfarë duhet të bëhet..por do të ishte naive të besohet se ajo mund të ndodh, se mund të merren vendime pozitive, duke e parkuar çështjen e emrit diku në një parking të braktisur në fund të kësaj rrugë të gjatë”, tha Shtefan Fyle, komisionari evropian për zgjerim.
Fyle u shpreh gjithashtu se Bashkimin Evropian nuk do anëtare të reja të cilat kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët e tyre, pasi pikërisht marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore përbëjnë një nga kriteret bazë të Kopenhagës.“BE do anëtare të reja, por nuk do që problemet e tyre të importohen në Union. Në rastin me Shkupin dhe bisedimet e raundit të tretë të dialogut të nivelit të lartë, kjo ishte hera e parë që trajtojmë këtë kriter të rëndësishëm. Kjo i adresohet, kuptohet çështjes së emrit me Greqinë, por duhet të bëhen përpjekje që të përmirësohen marrëdhëniet me të gjithë fqinjët. Gjithnjë e më shpesh dëgjoj për kompleksivitetin e marrëdhënieve me Bullgarinë. Dëgjoj një numër të madh deklaratash nga përfaqësuesit bullgar të cilat kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit, kjo duhet të zgjidhet nga politikanët e të dyja palëve” , tha Shtefan Fyle, komisionari evropian për zgjerim.
Komisioneri evropian nga ana tjetër ka porositur partitë politikë që të ruajnë stabilitetin në shtet, ndërsa veprimet e tyre t’i bazojnë në parimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Fyle vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ndikonin në humbjen e dinamikës së zbatimit të agjendës evropiane në vend.“Fillimisht erdha këtu që t’i porosis partitë politike dhe partnerët e koalicionit se duhet të bëjnë gjithçka të mundur për të siguruar stabilitetin e shtetit, të bëjnë gjithçka që të shfrytëzojnë potencialin që ofron dialogu i nivelit të lartë, pasi nëse do ishte i vërtetë vendimi që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kamë frikë se do të humbet ajo dinamikë dhe kush e di për sa kohë do të jetë e humbur” , tha Shtefan Fyle, komisionari evropian për zgjerim.
Fyle inkurajoi vendin që të punojë sa më shumë deri në dhjetor, në drejtim të përmbushjes së reformave dhe të bëhet gjithçka për zgjidhjen e çështjes së emrit pasi, nuk është në interes të vendit dhe as rajonit që të mbetet përgjithmonë përpara dyerve të Bashkimi Evropian. Semra Jakupi