RTV Zëri · Kryefaqja

Thaçi: Shqiptarët nuk do të gjunjëzohen para maqedonasve

2012-09-23 · Arkivi historik RTVZIK

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi se shqiptarët në Maqedoni në dhjetë vitet e fundit po diskriminohen si asnjëherë më parë.“Këto  janë 10 vjetët më të këqija që i kanë kaluar shqiptarët e Maqedonisë prej vitit 2001 e deri tash. Sot ka shumë fakte, argumente që tregojnë se shqiptarët janë shumë keq, më keq se asnjëherë më parë”deklaroi  Thaçi. Ai tha se, partia shqiptare në pushtet ka dështuar në misionin e saj për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoni.

“Këta që janë në qeveri tashmë me gojë e me vesh pranojnë se kanë dështuar. Ju siguroj PDSH-ja, platforma e kësaj partie, udhëheqësit e kësaj partie do ti fitojnë zgjedhjet cilado qofshin lokale apo parlamentare dhe që është më e rëndësishme ne jemi të përgatitur për të zgjidh problemin e shqiptarëve në Maqedoni, si  në aspektin teorik, si në aspektin e përgatitjes politike që e kemi po edhe përgatitjes profesionale të njerëzve të cilat i kandidojmë para jush”, theksoi kreu i PDSH-së.

Sipas tij, qeverisja aktuale mbron vetëm identitetin maqedonas, ndërsa nënçmon shqiptarët etnik në këto troje.

“Ne vazhdojmë të nënçmohemi prej identitetit tonë, ne vazhdojmë që dëftesat të na jepen në gjuhë të huaj, ne vazhdojmë që flamurin të na e bastardojnë dhe ne vazhdojmë te ju lejojmë këtyre që tash të ngrisin edhe padi penale për përdorim të himnit kombëtar, kjo flet shumë drejtpërdrejtë për dorëzimin e atyre të cilët e morën mandatin ashtu si e morën. Megjithatë maqedonasit duhet të jenë të sigurt, sidomos kjo qeveri se harxhojnë kot energji, harxhojnë kotë mund, nuk ka shanca ti gjunjëzojnë shqiptarët. Vetëm do të gjunjëzojnë veten, do të shkatërrojnë popullin e vet dhe do ta shkatërrojnë këtë shtet", shtoi Thaçi.

Kreu i PDSH-së, u shpreh se partia të cilën e drejton ai do të fitojë betejën me maqedonasit në qoftë se merr mandatin nga populli shqiptar.

"Unë mendojë se ne, bashkërisht duke u angazhuar me një këmbëngulje maksimale do ti bindim edhe vëllezërit tonë të cilët janë afër dorëzimit, që janë shumë të dëshpëruar. Ju lutem u apeloni që të shikojnë rreth vetes të gjithë ata që menduan se e kanë zgjidhur problemin personal të tyre, shikoni sot, e kundërta ka ndodhur. Sllavët janë të tillë nëse nuk ja zen pritën në rrugë hynë në oborr, nëse nuk ja zen pritën në oborr hynë në shpi dhe më pastaj thotë haj të bëjmë marrëveshje dhe ta ndanë shtëpinë tënde në gjysmë. Për këtë arsye ju lus edhe njëherë, të angazhohemi maksimalisht. Mos i shikoni ata kundër kandidatët tanë, e di se e keni bindjen se ata janë më të paaftë dhe nuk kanë forcë. Forcën ua jep tjetërkush, maqedonasit dhe të gjithë armiqtë e shqiptarëve, të njëjtit që luftojnë me vite kundër PDSH-së dhe platformës sonë. Për këtë arsye kjo betejë do të jetë e rëndë dhe e vështirë. Jam i vetëdijshëm, po si gjithherë do të dalim tërësisht të pastër dhe të ndershëm edhe prej kësaj beteje, por këtë here besojë plotësisht edhe me ndihmën e Zotit do te dalim tërësisht edhe fitues".