RTV Zëri · Kryefaqja

Berisha i vendosur për plotësimin e rekomandimeve të BE

2012-09-21 · Arkivi historik RTVZIK

Kryeministri Berisha në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Internacionalen e Demokratëve të Qendrës që po zhvillohet në kryeqytetin e Italisë, Romë, me ftesë të kryeministrit italian Mario Monti mori pjesë në një drekë të shtruar në ambientet e Vila Pamphili për nder të kryeministrave të Shqipërisë, Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë, të cilët marrin pjesë në punimet e Internacionales. Gjatë drekës dhe bisedave të zhvilluara kryeministri Berisha i siguroi homologët e tij për vullnetin e palëkundur dhe angazhimin e plotë të tij dhe të qeverisë për të përmbushur të gjitha prioritetet e vëna nga Bashkimi Evropian dhe duke nënvizuar se ky integrim duhet të jetë i bazuar në meritë, përmbushja e këtyre prioriteteve është rruga më e mirë për konsolidimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, tregut dhe prosperitetit ekonomik të Shqipërisë. Dreka u parapri nga një takim i kryeministrave, ku mori pjesë dhe Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës dhe njëherësh organizatori i këtij aktiviteti zoti Per Ferdinando Casini. Kryeministri Berisha bisedoi me homologët e tij dhe ndau mendime në lidhje me zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri, krizën ekonomike në Evropë dhe rrugët e daljes prej saj. Kryeministri informoi bashkëbiseduesit në lidhjen e reformat e ndërmarra nga qeveria e tij në fushën politike, ekonomike e sociale duke theksuar përpjekjet për përmbushjen e detyrimeve të lëna nga Komisioni Evropian në kuadër të marrjes së statusit të vendit anëtar në BE.