RTV Zëri · Kryefaqja

Mungesa e rrymës bllokon terminalin doganor në Tetovë

2012-09-20 · Arkivi historik RTVZIK

Si rezultat i mungesës së energjisë elektrike, terminali doganor në Tetovë ka tre ditë që nuk punon.

Dhjetëra kamionë që bartin produkte bujqësore, kanë hyrë sot në ditën e katërt të pritjes për t’u doganuar dhe për t’u nisur drejt shteteve ku synojnë të bëjnë eksportin. Problemi është denoncuar nga Oda Ekonomike Veri-Perëndimore, kompanitë-anëtare të së cilës, janë në mesin e subjekteve që presin për t’u doganuar nga terminali në Tetovë. Nga Drejtoria e Doganave kanë sqaruar për Agjencinë e Lajmeve “Zhurnal” se mungesa e rrymës elektrike ka shkaktuar bllokimin e punës së terminalit. “Kjo ka qenë arsyeja që nuk punojnë terminalet. Qyteti i Tetovës nuk ka pasur rrymë dhe ne nuk mundemi të lidhemi me rrjetin. Jemi në dijeni se atje është bërë shumë tollovi dhe ka numër të madh personash që presin”, kanë sqaruar nga Dogana. Por, kryetari i Odës, Menderes Kuçi, ka theksuar në një bisedë telefonike se problemet me terminalin doganor në Tetovë janë thuajse të përditshme, ndërsa sqarimet me rrymën dhe rrjetin janë vetëm arsyetime. “Arsyeja e Doganave është se u bie sistemi, nuk kanë sistem të mirë, por kjo është një justifikim që e përdorin edhe Dogana Qendrore në Shkup nga shkaku se kanë problem me rrymën, por këtë problem nuk do ta zgjidhë as Oda Ekonomike as kompanitë por këtë problem duhet ta zgjidhë Dogana Qendrore, gjegjësisht drejtori i saj Vanço Kargov. Gjithashtu, ai duhet të marrë masa disiplinore për jo punën e të punësuarve atje, përndryshe mund të themi që shteti nuk punon, as odat ekonomike dhe hiç asgjë, vetëm ata janë në qejfin e tyre”, ka deklaruar Kuçi.