RTV Zëri · Kryefaqja

Kralev për emrat e shkollave në Çair: 'Hiqni tabelat'

2012-09-01 · Arkivi historik RTVZIK

Ministri i Arsimit Pançe Kralev, e ka cilësuar si të paligjshëm aktin e vendosjes së tabelave me emrat e ri të katër shkollave në Komunën e Çarit. Madje për Kralev komuna jo vetëm që ka shkelur ligjin por duke vepruar kështu po sillet në mënyrë të papërgjegjshme për sa i përket kompetencave që ka në fushën e arsimit. Numri një i Arsimit njoftoi se inspektorët e arsimit janë në terren për të konstatuar parregullsitë, ndërkaq paralajmëroi se gjoba do të vijojnë për gjithë ata që do të zbatojnë këtë akt joligjor.

“Komuna e Çairit nuk ka marrë pëlqim për të kryer riemërimin e shkollave e gjithë procedura është realizuar në mënyrë joligjore. Përveç asaj që disa herë e përsërisim se ky veprim është i joligjor, ky veprim gjithashtu dëshmon mungesën e përgjegjshmërisë së Komunës së Çairit kur bëhet fjalë për arsimin dhe kompetencat e saj tyre sa i përket arsimit...Inspektorët kanë dalë në terren, ata e konstatojnë situatën dhe ata do të shqiptojnë vendime adekuate drejtorëve, ku parashikohen edhe dënime të caktuara. Gjithashtu do t’u tërhiqet vëmendja që t’i heqin tabelat, do të thotë pas miratimit të këtyre vendimeve ka afate për veprime, do të shohim në varësi me veprimet që do t’i ndërmarrin drejtorët e shkollave se çfarë do të ndërmarrim më tej” , tha Pançe Kralev, Ministër i Arsimit

Ndërkaq i pyetur nga Alsat-M përse Ministria e Arsimit po zvarrit procedurën e miratimit të emrave të ri të shkollave në Çair, Kralev tha se bëhet fjalë për procedura që kërkojnë më shumë kohë dhe se në këtë rast Komuna e Çairit ka vështirësuar akoma më shumë situatën.

“Tani për tani është vështirë të bisedohet për periudha kohore kur Komuna ka ndërmarrë veprime të tilla..megjithatë procedurat për riemërim dhe ndryshimin e statuteve zgjasin nga disa muaj me qëllim që të shqyrtohen në detaje dokumentacionet dhe Ministria të dalë me vërejtje konkrete për miratimin apo mos miratimin e statuteve. Lënda duhej të shqyrtohej në periudhën në vazhdim por këto veprime të Komunës së Çairit nuk do ndihmojnë në këtë rast”, tha Pançe Kralev, Ministër i Arsimit

Ndërkaq autoritet e Komunës së Çarit një veprim të tillë e cilësojnë si ligjor dhe akuzojnë Ministrinë e Arsimit se pikërisht ajo nuk respekton ligjet duke mos përfillur kërkesën e tyre të parashtruar në vazhdimësi që nga viti 2007. Tre ditë përpara fillimit të vitit të ri shkollor, Komuna e Çairit vendosi tabelat me emrat e ri të katër shkollave fillore, “Hasan Prishtina”,  “Jashar Bej Shkupi”,  “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”, pasi shkollat disa muaj mbetën pa emra ndërsa prisnin miratimin e Ministrisë së Arsimit. Ndonëse vendimi për ndryshimin e emrave të shkollave ishte ndërmarrë më 26 janar në Këshillin e Komunës, Ministria e Aasimit akoma nuk e ka shqyrtuar këtë iniciativë të Çairit, të cilën tani e cilëson si të paligjshëm.  Semra Jakupi