RTV Zëri · Kryefaqja

Xhelal NEZIRI-Ndërkombëtarët si alibi

2012-09-14 · Arkivi historik RTVZIK

Partitë shqiptare përherë fshihen pas ndërkombëtarëve kur gjenden në situata të vështira politike. Kur duhet të marrin ndonjë vendim që shkon në favor të tyre personal, pra në drejtim të zgjatjes së ëndrrës në pushtet por që paraprakisht e dinë se do të reflektohet negativisht në rejtingun e tyre në opinion, atëherë kërkojnë takime me përfaqësuesit ndërkombëtar. I kërkojnë këto takime për t'u marrë mendim ndërkombëtarëve se çfarë duhet të bëjnë, kah duhet të lëvizin dhe si duhet të veprojnë. Thuajse i paguajnë ndërkombëtarët që të jenë këshilltarë të tyre politik. Kush e di se sa të mjerrë duken në sytë e diplomatëve të huaj këta politikanë që kanë gjoja parti politike serioze, por që s'mund të marrin as edhe një hap të guximshëm që në planin afatgjatë do të ishte dobiprurëse si për subjektin politik poashtu edhe për elektoratin që e përfaqësojnë.

Politikanët tanë i drejtohen faktorit ndërkombëtar vetëm kur u "laget bishti" në pushtet ngase e dinë se asnjë diplomat i huaj nuk do t'u thotë "po, lëshojeni qeverinë". Nuk do t'u thotë pasi hyrje-daljet në qeveri janë pjesë normale e demokracisë dhe e lojërave politike, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të prekin stabilitetin e rajonit. Mbase diplomatët, duke i parë në takim këta politikanë tonë, në vetvete përshpërisin "ah sa të mjerrë që janë", por ato nuk e kuptojnë se ky takim për pushtetarët shqiptar është një shkop magjik që plotëson dëshirat për të mbetur në pozicione të larta shtetërore. Ky manipulim me faktorin ndërkombëtar, që te shqiptarët nënkupton diplomatët amerikanë dhe europianë, mund të sjellë deri te zbehja graduale e simpative të pjesës më të madhe të opinionit ndaj këtyre shteteve.

Roli i përfaqësuesëve ndërkombëtar, përveç atij diplomatik, mund të karakterizohet edhe si lehtësues. Ato japin sugjerime se kah duhet të lëvizë vendi, cilat duhet të jenë përcaktimet strategjike dhe çfarë reformash duhet të zbatohen nga ana e institucioneve. Mund të jenë më të zëshëm dhe të involvohen më fuqishëm vetëm në rast të parandalimit të ndonjë konflikti të mundshëm, siç ishte ai i vitit 2001, kur shqiptarëve haptazi u bënin thirrje të mos përkrahin "ekstremistët shqiptarë". Ato mund t'i thonë një partie "qëndro në pushtet" vetëm nëse e vërejnë se ajo e ka humbur rrugën në oborr.

Më bëri të qeshem me zë kur lexova informacione që mbanin titullin "(Shtefan) Fyle shpëtoi qeverinë" apo "Amerikanët zbusin BDI-në". Të shpëtosh këtë qeveri do të thotë të pajtohesh me regresin që ky pushtet ka shkaktuar në planin ndëretnik me mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit, në sferën e gjyqësorit me partizimin e gjykatave, në segmentin e lirisë së shprehjes me kontrollin ndaj mediave, në rafshin ekonomik me papunësinë dhe varfërinë e skajshme... Nëse është e vërtetë se Fyle paska shpëtuar qeverinë VMRO-BDI atëherë duhet të kihet parasysh se beneficionet e këtij "shpëtimi" do t'i gëzojnë vetëm pushtetarët që ndajnë tenderë e asssesi qytetarët e këtij vendi, pjesa më e madhe e të cilëve në zgjedhjet e 2011-ës votuan kundër kësaj qeverie. Sa për titullin e dytë, mendoj se pushtetarët shqiptarë vetëm se janë "vetzbutur" kur janë takuar me amerikanët me qëllim që të ruajnë kolltuqet shtetërore.

Në tërë këtë fluks informacionesh që përshkoi kjo lojë e madhe me opinionin e orkestruar nga pushteti, më tragji-komik ishte informacioni se "zv/kryeministrja Teuta Arifi ka këmbëngulur BDI të mbetet në qeveri dhe të votojë ligjet në Parlament pasi do të jetë fajtore për raportin eventual negativ nga Komisioni Evropian", i cili pritet të publikohet muajin e ardhshëm. Pasi ta lexosh edhe këtë "spin" të liferuar nga shtabi i përbashkët për manipulimin e opinionit, nuk e di nëse të qeshet apo të qahet. Gjatë periudhës 2008-2011 ishte pikërisht Teuta Arifi më e zëshme në kritikat që "BDI të zgjedhë midis Nikolla Gruevskit dhe popullit shqiptar", kurse tash, para takimit me Fylen apo edhe me amerikanët, qenka "zbutur" fare. Ajo, përveç se personalisht që moti ka zgjedhur Gruevskin, tani po bëjka presion që tërë partia e saj të bëjë këtë zgjedhje.

Krizat brenda qeverive të koalicionit janë pjesë e demokracisë dhe zgjidhen me kompromise politike. Belgjika vitin e kaluar u përfshi nga një krizë qeveritare që zgjati gati një vit pasi valonët frengjishtfolës, që përbëjnë afër 20 për qind të popullësisë së përgjithëshme, kishin parashtruar kërkesa maksimale te partia fituese e shumicës fleminge që kishin të bëjnë me përdorimin e gjuhëve dhe buxhetin e shtetit. U ndërruan disa kryeministra dhe pas shumë taktizimeve u arrit deri te marrëveshja. As Belgjika nuk u shkatërrua, e as amerikanët dhe evropianët nuk u dhanë urdhër të prerë valonëve të pranojnë pozicionin inferior në pushtet dhe të qëndrojnë aty. Përderisa bëhet fjalë për luftë me mjete demokratike nuk mund të ndizet alarmi i intervenimit diplomatik ndërkombëtar.

Në rastin e Maqedonisë tani më është e qartë se ndërkombëtarët përdoren si alibi për pafuqinë politike të partisë shqiptare në pushtet, e cila me çdo kusht dëshiron të qëndrojë në pozicionet e saja inferiore. S'kanë çka bëjnë këtu as amerikanët e as evropianët përderisa kjo parti i fiton zgjedhjet radhazi