RTV Zëri · Kryefaqja

Dorëzohet BDI, do votojë çdo ligj, përveç branitellave

2012-09-12 · Arkivi historik RTVZIK

Pas bojkotit të djeshëm, deputetët e BDI-së kthehen në Kuvend, me paralajmërimin se do të votojnë ligjet e mbetura, por jo edhe ligjin e branitellave, për të cilin thonë se do ta parandalojnë me të gjitha mënyrat ligjore dhe rregulloren e Kuvendit. Kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi tha se BDI nuk do të lejojë të krijohet alibi e rreme se gjoja bllokimi i miratimit të ligjit për branitellat rrezikon integrimin e vendit. Xhaferi tha se grupi parlamentar i BDI-së kthehet në Kuvend për të votuar ligjet tjera të mbetura.

“Në emër të grupit parlamentar të BDI-së ju njoftoj që do të vazhdojmë që të votojmë për ligjet e mbetura në këtë seancë me ritheksim të veçantë se ne do të shfrytëzojmë çdo gjë që është e mundshme në rrugë institucionale të parandalojmë miratimin e Ligjit kontestues në fjalë dhe atë ne u sigurojmë qytetarëve", tha Talat Xhaferri, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së

Edhe përkundër këtij qëndrimi të grupit parlamentar të BDI-së, se do të votojnë ligjet e mbetura, deputetja e po këtij grupi parlamentar Ermira Mehmeti Devaja dy ditë më parë këmënguli se BDI do të votojë kundër të gjitha ligjeve që ishin në rend dite

“BDI do të votojë kundër të gjitha pikave të rendit të ditës, për shkak se në këtë rend të ditës gjendet edhe propozim ligji për pjesëtarët e forcave të sigurisë, për një çështje të thjeshtë dhe shumë elementare. Bëhet fjalë për principe, për parime”, tha Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së   më datë (10 shtator 2012)

Kthimi i deputetëve të BDI-së në Kuvend dhe ndryshimi i qëndrimit se tani do të votojnë ligjet tjera, ka shkaktuar reagime tek PDSH-ja opozitare

“Metoda e vetme për të bllokuar këtë ligj anti-shqiptar një nacional, të një anshëm është ta lëshoni Qeverinë, vetëm një metodë ka, metodat tjera ja i provuam, nga të gjitha po reteroheni, nga të gjithat po hiqni dorë dhe për çdo ditë e më tepër ne afrohemi drejt kohës kur ky ligj duhet të miratohet. Për atë lëshoni Qeverinë tani. Nëse e keni marrë ndonjë premtim, ndonjë kockë të hedhur nga ana e Gruevskit, ndonjë tender, nuk ja vlenë, për këtë metodë, për këtë kokë ulje që po bëni sot për cilën e pësojnë shqiptarët” , tha Imer Aliu,  koordinator i grupit parlamentar të PDSH-së.

“Ne ngelemi konsekuentë në falënderimin dhe mirënjohjen tonë ndaj jush si grup parlamentar që keni shprehur gatishmëri për të na mbështetur në betejën tonë etnike, jo politike, etnike shqiptare për të parandaluar ligjin. Ju z.Imer Aliu shumë mirë e dini si dhe opinioni se braktisja e Qeverisë nuk e parandalon një ligj për të cilin kemi paralajmërim se do të votohet etnikisht, uroj që mos të na drejtohemi më me këtë nivel përulës dhe ofendues sepse ky nivel dhe kjo qasje nuk i ndihmon kauzës tonë të përbashkët, që është të vazhdojmë betejën për ligjin” , tha Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së. 

“Mos na falënderoni për përkrahjen, nuk ju përkrahim ju si BDI, si deputetë të BDI-së, ju përkrahim si shqiptarë, këtë duhet ta keni të qartë, sot ju për ne nuk jeni as Talat Xhaferi deputet i BDI-së, thjesht është një Talat Xhaferri shqiptar, këtu është problemi. Përkrahja jonë do të vazhdojë deri sa ta vërejmë, a në fakt ne vetëm e vërejmë se nuk ka seriozitet në këtë qëndrim, mirëpo në aspektin e kohës dhe procedurës kur do ta vërejmë se po afrohet miratimi i ligjit dhe ju vazhdoni me këto referime, do tu gjuhemi në qafë dhe do të habiteni të gjithë, nuk do të lejojmë. Do të shihni pastaj se si bllokohet ky parlament, me tërë këtë foltore, me kryetar parlamenti, me këtë grup parlamentar, me ju dhe me gjithë këtë shtet antishqiptar”, tha Imer Aliu, koordinator i grupit parlamentar të PDSH-së.

Ndaj qëndrimit të grupit parlamentar të BDI-së për për tu kthyer në Kuvend dhe për të miratar ligjet e mbetura, ka reaguar deputeti i RDK-së Izet Zeqiri.

“Nuk e di se cila është arsyeja që ju lëshoni pe. Ndoshta ministrja për eurointegrime u ka dhënë porosi se duhet ta votoni se e ka shenjën e BE-së. Unë mendoj se kjo është një lojë, nëse ju dëshironi që ky ligj mos ta shohe dritën ashtu siç thoni ju, ju duhet ta bllokoni këtë seancë në të cilën shqyrtohet ligji i forcave të sigurisë“, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së 

Opozita maqedonase lëshoi punimet e Kuvendit dhe kërkojnë përgjigje nga mazhoranca se si do të sillen me 19 propozim ligjet e Qeverisë.

“A kanë ndërtuar qëndrim partnerët e koalicionit VMRO DPMNE dhe BDI për miratimin dhe mbështetjen e 19 ligjeve të mbetura, të propozuara nga Qeveria? Puna e pa ndërprerë dhe funksionimi i Kuvendit është gjithashtu kusht për integrimet euroatlantike të Maqedonisë. Përderisa opinioni nuk merr përgjigje precize dhe konkrete për këtë çështje, ne nuk do të hyjmë në sallën e Kuvendit”, tha Igor Ivanovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

“Ajo që grupet parlamentare për ligje të ndryshëm kanë qëndrime të ndryshme është normale në shtet.  Nuk është jonormale partitë të kenë qëndrime të ndryshme. Megjithatë ajo nuk është arsye e mjaftueshme që të bllokohet puna e Kuvendit në një mënyrë kaq të ashpër. LSDM-ja kur e pa që është tejkaluar një problem, në mënyrë artificiale pa arsyetime logjike krijon problem tjetër. A rezultati i asaj është se ligji i cili na nevojitet për të shkuar para drejtë euro-integrimeve do ët bllokohet plotësisht në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, tha Ilija Dimovski ,deputet i VMRO DPMNE-së.

Ndërsa sot është anuluar mbledhja e komisionit për punë dhe politikë sociale, ku debatohej mbi nevojën e miratimit të ligjit të branitellave. Seanca e ardhshme e këtij komisioni është caktuar për ditën e nesërme.