Debati për Ligjin e ri të “mbrojtësve†të Maqedonisë më më riktheu në mendje debatet e viteve të 90-ta në Parlamentin e Maqedonisë. Atëherë kur u soll kushtetuta që gjeneroi kriza, atëherë kur shqiptarët nuk konsultoheshin dhe nuk përfilleshin gjatë sjelljes së ligjeve dhe atëherë kur deputetet e PPD-së së atëhershme mbanin fjalime maratonike në Parlament për të dëshmuar pafuqinë e tyre politike. Deputetët e kësaj partie, edhe pse ishin në koalicionin qeverisës me LSDM-në, shpesh paraqiteshin në foltore duke u munduar të ndalojnë ndonjë projekt që vinte nga pushteti ku vet ato participonin. Më kujtohen fjalimet maratonike të deputetëve shqiptarë në atë kohë, paraqitje të cilat ngjallnin ndjenjën e inferioritetit te qytetarët shqiptarë për shkak të pozicionit defanziv në institucione. Kur ballafaqoheshin me kritika të ashpëra nëpër tubime edhe nga simpatizantë të tyre, politikanët e PPD-së kishin një alibi për pafuqinë e tyre politike: prioritet ka Kosova, Shqipëria është e dobët, Serbia është në kufi. Mbase edhe kishte logjikë kjo pasi Kosova ende ishte nën okupimin serb, Shqipëria vuante krizën e përgjithshme postkomuniste kurse Serbia ishte si një bishë e egër e Ballkanit, e ikur nga kafazi dhe e etur për gjak.
Sot po e shikojmë të njëjtin film. Deputetët e partisë shqiptare, të pafuqishëm në pushtetin ekezekutiv, me fjalime maratonike mundohen në Parlemant të ndalin një ligj nënçmues për shqiptarët. Në vitet e 90-ta ishte deputeti i atëhershëm i PPD-së që thyente rekorde me kohëzgjatjen e fjalimeve në Parlament, sot ai është deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
Është normale të shfrytëzohen të gjitha mjetet demokratike për të ndalur një ligj i cili, jo që ka prioritet zgjidhjen e statusit të pjesëmarrjes në luftën e 2001-shit të pjesëtarëve të forcave të sigurisë maqedonase, por që mëton të nënçmojë shqiptarët si etnitet. Dëshiron sërish të manifestojë dhe të forcojë superioritetin etnik, më shumë se në vitet e 90-ta, me qëllim që shqiptarëve të Maqedonia t'ua mbjellë në kokat e tyre imazhin e të pafuqishmit, i cili duhet të luajë rolin e lypësit të së drejtave. Ky debat është në kuadër të normave demokratike dhe luftës politike, duke respektuar mekanzmat që burojnë nga Kushtetuta e vendit, e ndryshuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001.
Por ka diçka këtu që i tollovit hesapet. Si duket janë ndërruar rolet pasi debati i këtillë, i ashpër nuk duhej të ishte për ndalimin e miratimit të ligjit të ri të "mbrojtësve" por për sjelljen e Ligjit për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Ligji i "mbrojtësve" u soll pa shumë pengesa në vitin 2002, me votat e partnerëve të atëhershëm të koalicionit LSDM dhe BDI. U soll pa shumë zhurmë në Parlament dhe opinionin publik. "Mbrojtësit" nga hyrja në fuqi e atij ligji gëzojnë beneficione në shkollim, punësim, në hapjen e bizneseve apo edhe në marrjen e pensioneve solide. Mbi të gjitha, ky ligj legjtimoi rolin e tyre në konfliktin e vitit 2001 si "mbrojtës" të Maqedonisë kurse ish-pjesëtarët e UÇK-së me inercion i shpalli si "fajtorë" për sulmet e kësaj Maqedonie ku jetojnë edhe pas 2001-shit. Nëse synimi i UÇK-së ishte ndryshime i Kushtetutës (Kumtesa nr.6), atëherë nuk ka logjikë shpërblimi me ligj i atyre që kanë mbrojtur një rregullim shtetëror të gabuar. Mirëpo, nëse shihet konflikti i 2001-shit si një luftë për ndarjen e Maqedonisë apo edhe për marrjen nën kontroll të shtetit në përgjithësi, atëherë mund të hetohet se kush ka rezultuar fitues e kush humbës.
Me futjen në procedurë parlamentare të Ligjit të ri për "mbrojtësit", duke mos respektuar frymën koncesuale të Marrëveshjes së Ohrit, VMRO-DPMNE lëshoi sinjal se pushteti ekzekutiv udhëhiqet eksluzivisht nga kjo parti, me ç'rast shpallet i vdekur koncepti multikulturor dhe multietnik dhe vuloset Maqedonia si shtet-komb. Me këtë suspendohet edhe fryma e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nënkupton koncenzus ndëretnik në udhëheqjen e shtetit, dhe e shndërron këtë dokument në gjenerator të sërishëm të krizave.
Tentimi i deputetëve shqiptarë për ndalimin e miratimit të këtij ligji ua betonon pozicionet defanzive të tyre në procesin e vendim-marrjes në shtet. Edhe nëse arrihet të ndalet sjellja e këtij ligji, atëherë duhet të përgatiten për mbrojtje nga ndonjë ligj tjetër etnocentrik, që mban llogari vetëm për interesat e një bashkësie etnike, vetëm për një grup të taksapaguesve, ndërkohë që eliminon interesin e njerëzve e një bashkësie tjetër etnike, që përbën më shumë se një çerek të popullsisë në vend. Pra, shqiptarët i vendos në një pozicion të një mileti nga i cili mund të mblidhet haraçi (tatimet) për t'ua plotësuar nevojat një mileti tjetër, atij superior dhe udhëheqës në shtet.
Tentimi i BDI-së për të ndalur këtë ligj nuk është gjë tjetër përveç se një tentim për të mbetur në qeveri. Ky dhe projekte tjera ligjore që vlerësohen si përjashtuese për shqiptarët mund të ndalen vetëm me një pozicionim të fuqishëm të faktorit politik në qeveri, pa marrë parasysh se cila parti do të përbëjë pushtetin, me çrast parimi i koncenzusit të ishte parim bazë i funksionimit të koalicionit. Kjo do të arrihej nëse BDI do të braktiste qeverinë në momentin kur VMRO-DPMNE, pa koncenzusin me partnerin shqiptar, e futi në procedurë parlamentare Ligjin e ri të mbrojtësve.
Tani, vetëm se mund të vazhdojmë të shohim filmin e reprizuar të viteve të 90-ta, kur shqiptarët mbronin disa të drejta minimale dhe nuk kishin hapësirë të marrin statusin që e meritojnë. Shqiptarët do të vazhdojnë të luajnë këtë rol mbrojtës, siç ishte rasti me Enciklopedinë, maqedonishten nga klasa e parë, Shkupi 2014, Ligji i natalitetit e kështu me radhë, përderisa nuk do të ndryshohet mendësia e tanishme që për ideal më të madh ka futjen në pushtet dhe pasurimin individual të pushtetarëve. Shqiptarët do të vazhdojnë të luajnë rolin e lypësit të së drejtave përderisa nuk ndryshojnë mendësinë e robit.