Altin Manallari----Zviceranët në alarm, “Swisspor-Arena” përgjysmë me shqiptarë------Është folur shumë prej javësh, por sot në mbrëmje gjithçka i lë vendin sfidës së madhe: Zvicër-Shqipëri. E shumëpritur për të gjithë. Më shumë se për aspektin futbollistik, bëri bujë për faktin se sot në impiantin e Lucernës do të jenë 29 shqiptarë, 24 të grumbulluar nga trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, dhe pesë nga ai i Zvicrës, Otmar Hitcfeld. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemali dhe Admir Mehmedi, të cilët luajnë për ngjyrat e kombëtares helvetike, janë pjesë e “kolonisë shqiptare” prej rreth 300 mijë shqiptarësh (emigrantë nga të gjitha trevat shqipfolëse), që ka “pushtuar” vendin në zemër të Europës. Zviceranët ndihen çuditshëm si asnjëherë tjetër, sepse ndoshta kurrë nuk ju ka ndodhur që në stadiumin e tyre të rrezikojnë të jenë në minorancë. Sipas zëdhënësit të federatës zvicerane, “impianti ‘Swisspor-Arena’ i Lucernës ka një kapacitet prej 15600 vendesh, ndërsa 6 mijë prej tyre do të jenë të tifozëve shqiptarë’. Por pritet që numri i mbështetësve të Shqipërisë të jetë akoma edhe më i madh, gjë që do të ngjyroste stadiumin në thuajse gjysmën e tij kuqezi dhe do të bënte Canën&Co. të ndiheshin si në shtëpi. Kjo sepse përballja Zvicër-Shqipëri nuk është vetëm një ndeshje futbolli. Fakti që shumica dërrmuese e tyre do të jenë shqiptarë nga Zvicra, njerëz me prejardhje nga Kosova e Maqedonia, nuk ka asnjë rëndësi. Mediat zvicerane tregojnë një lloj alarmi për atmosferën që do të krijohet në përballjen e rëndësishme dhe kërkojnë që Shaqiri me shokë të mos bien pre e provokimeve. Për sa i përket aspektit sportiv, Kombëtarja shqiptare u nis dhe paradite drejt Zvicrës dhe në momentin e zbritjes në aeroport, i priti një surprizë e bukur: një numër i konsiderueshëm tifozësh me flamuj kuqezi kishin pushtuar aeroportin për të përshëndetur jo Mesin apo Ronaldon, por yjet kuqezi. Ky ishte edhe konfirmimi i atmosferës që pritet të jetë sonte në ‘Swisspor-Arena’. Megjithatë, trajneri De Biazi u kërkoi lojtarëve që të ruajnë heshtjen për mediat, ashti siç kishte bërë në Tiranë para nisjes. Në orën 20:30 tekniku italian zhvilloi dhe stërvitjen e fundit me futbollistët e tij dhe tashmë e ka të qartë në kokën e tij 11-shen që do të zbresë në fushë ndaj Zvicrës, me shpresën minimale për një rezultat pozitiv. Edhe pse ai nuk ka preferuar ta bëjë publike për median, mendohet se nuk do të ketë shumë ndryshime në krahasim me atë që u përball me Qipron të premten në “Qemal Stafa”. Nuk ka dëmtime dhe të 24 lojtarët e grumbulluar janë të disponueshëm. Lëvizja kryesore besohet se do të jetë taktike. De Biazi mendon të luajë me skemën 4-2-3-1, pra vetëm me një sulmues të deklaruar dhe me një mur përpara mbrojtjes. Sipas të gjitha gjasave Bogdani do të udhëheqë në sulm, me Salihin, Sadikun e Çanin në stol. Hyka pritet të zërë vendin e tij në mesfushë. Në mbrojtje nuk do të ketë asnjë ndryshim, me Dallkun e Lilën nga krahët dhe Canën e Mavraj në qendër, ndërsa para tyre “muri” i mesfushës Ervin Bulku e Burim Kukeli. Bashkë me Hykën në mesfushë pritet të luajnë Emiliano Vila dhe Alban Meha. Synimi i Shqipërisë është të mos dalë pa pikë. “Countdown”-i ka filluar të dëgjohet…
Rivaliteti
Zvicra dhe Shqipëria sot nuk do të rivalizojnë vetëm në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit: Kush do të ketë më shumë? priten rreth 8 mijë kuqezinj