RTV Zëri · Kryefaqja

RDK: Zëvendësimi i flamujve në Çair, shou i BDI-së

2012-09-09 · Arkivi historik RTVZIK

Rilindja Demokratike Kombëtare ka kritikuar mënyrën e zëvendësimit të flamujve shqiptar në Çair në Ditën e Shënimit të Pavarësisë së Maqedonisë.‘RDK edhe një herë tërheq vëmendjen për nevojën e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të shqiptarëve dhe jo ndërmarrjen e veprimeve shterpë që nuk prodhojnë asnjë përfitim për shqiptarët, por keqpërdoren për të bërë zhurmë mashtruese nga ata që qëllim kryesor kanë përfitimin personal”, thuhet në reagimin e kësaj partie. ‘RDK shpreh qëndrimin e vet se është marrëzi dhe jo-seriozitet që vet ta propozosh dhe bashkë me VMRO-në ta miratosh ligjin për përmasa më të vogla të flamurit shqiptar në Maqedoni dhe pastaj të marrësh shkallët rrugëve të Çairit për t’i zëvendësuar flamujt e zvogëluar”, kritikon partia e Osmanit. Gjithashtu kjo parti kritikon edhe deklaratat e zyrtarëve të BDI-së rreth ndryshimit të Kushtetutës. ‘RDK është e habitur me papërgjegjësinë e deklaratave të përfaqësuesve të shqiptarëve në Qeveri, të cilët për dhjetë vite i kanë mashtruar shqiptarët duke ju thënë se me kushtetutën aktuale ata janë bërë të barabartë me maqedonasit, ndërsa tani thonë se do të kërkojnë ndryshimin e kushtetutës aktuale”, thuhet në fund të reagimit të RDK-së.