Të dhënat e migrimit të qytetarëve në Maqedoni janë shumë të varfëra, jo të sigurta, edhe të manipuluara. Numri i qytetarëve të Maqedonisë, të cilët në pesë dekadat e fundit e kanë lëshuar Maqedoninë dhe kanë migruar në Perëndim është shumë i madh. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta të regjistruara për numrin e qytetarëve të migruar nga Maqedonia, duke u bazuar në të dhëna të ndryshme zyrtare të pjesshme dhe studime të autorëve të ndryshëm. Numri i qytetarëve që e kanë lëshuar vendin është mbi gjysmë milioni. Në bazë të disa studimeve të bëra dhe të prezantuara në opinion dinamika e migrimit të qytetarëve që kanë lëshuar Maqedoni nga viti 1945 e deri më sot, paraqitet si vijon: prej vitit 1945 e deri më vitin 1961 numri i qytetarëve që kanë migruar ka qenë diku afër 170.000, prej vitit 1961-1971 afër 100.000 qytetar, prej vitit 1971-1981 kanë migruar afër 70.000 qytetar, prej vitit 1981-1994 kanë migruar 140.000, prej vitit 1994-1999 afër 50.000 qytetarë. Nga kjo dinamikë e migrimit numri i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë që kanë lëshuar vendin dhe kanë migruar jashtë vendit deri më sot është prej 525.000-540.000 njerëz. Përkundër kësaj dinamike të migrimit studimet ndryshme tregojnë se numri i qytetarëve të Maqedonisë që sot jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit janë nga 320.000 deri 350.000 qytetarë. Në shtetet evropiane janë mbi 170.000, edhe atë në 14 vendet evropiane në bazë të të dhënave të Këshillit të Evropës pjesa dërmuese e tyre janë në Gjermani, Zvicër, Itali, Danimarkë, Suedi, Austri, Francë, Belgjikë, Holandë etj. Qytetarët e Maqedonisë gjithashtu kanë migruar edhe në vendet tejoqeanike si në SHBA, Amerikën Veriore dhe Jugore, Australi, Kanada etj. Në bazë të një vlerësimi në këto vende jetojnë prej 150.000-180.000 qytetarë.
Shtegtimet ekonomike-kurbetçare në Maqedoni kanë qenë kryesisht ekonomike-sociale, te shqiptarët migrimet e rregullta apo të çrregullta janë bërë jo vetëm nën ndikimin rrethanave ekonomike dhe sociale, por edhe si rezultat i atyre historike-politike. Për këto shkaqe një numër i madh i qytetarëve shqiptarë e kanë leshur vendin dhe kanë migruar për t’u shpëtuar presioneve të ndryshme dhe për sigurimin e ekzistencës së familjeve të tyre. Në të gjitha dokumentet dhe studimet që prezantohen fshihet struktura e migracionit në bazë të përkatësisë nacionale. Në bazë të regjistrimit të vitit 1994 në Maqedoni struktura e migracionit paraqitet si vijon: maqedonas 62.6%, shqiptarë 29.6%, turq 3.2%, romë 2.2% dhe të përfshirë të tjerët. Por këto të dhëna nuk mund të jenë të sakta, sepse numri i diasporës shqiptare në Maqedoni është shumë më i madh sesa që paraqitet. Nëse analizohet migrimi vetëm prej vitit 1981, te maqedonasit dhe të tjerëve emigrimi ka qenë shumë më i vogël, madje me tendenca negative, përkundër tendencave rritëse të emigrimit të shqiptarëve, ku vetëm në këtë periudhë mbi 140.000 qytetarë e kanë lëshuar vendin. Numrin e migrimeve ekonomike kurbetçare të shqiptarëve sot e vërtetojnë edhe të dhënat nga regjistrimet e popullsisë në vendet ku jetojnë qytetarët tanë, p.sh nga mbi 60.000 të punësuar në Zvicër mbi 80% janë shqiptarë, më pak se 20% janë të tjerë (Les Sreangesrs en Suisse, Effectifs, decembre 1998 p.18) .
Roli i diasporës në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë
Diaspora ka pasur dhe ka një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit. Këtë e dëshmojnë të dhënat e shumave të mjeteve, të cilat qoftë nëpër kanalet bankare, qoftë nëpër kanale private hyjnë në Maqedoni. Nëse në bazë të kanaleve bankare hyjnë në Maqedoni 400.000 $, si transfere private nëpër rrugë private hyjnë katër deri pesë herë më shumë. Të gjitha këto mjete sot paraqesin një pozicion të mirë në bilancin e pagesave të Maqedonisë, si mjete devizore dhe transfere private të të ardhurave të punëtorëve tanë që punojnë në botën e jashtme.
Qytetarët që punojnë në diasporë kursimet i kthejnë në vendlindje, duke i shpenzuar për plotësimin e nevojave personale të veta dhe të anëtarëve të familjes, edhe atë për nevojat primare të detyrueshme (ushqim, veshmbathje), nevoja dytësore që janë më pak të nevojshme në krahasim me të parat dhe përmbushja e nevojave luksoze që paraqesin diçka të në krahasim me nevojat e dy grupeve paraprake. Një pjesë e mërgimtarëve kursimet i avancojnë në fondet kryesore të lëmenjve ekonomike, të cilët ndikojnë në potencialin prodhues të vendit, këto investime drejtpërdrejt ndikojnë në ngritjen e prodhimit të të mirave materiale. Investimet e këtiji lloji të diasporës janë faktor i vetëm i zhvillimit ekonomik, veprimtaritë investive ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e mirëqenies ekonomike të shqiptarëve dhe i japin bazë perspektivës ekonomike. Investimet e diasporës paraqesin faktorin më të rëndësishëm material që jo vetëm ndikojnë në zhvillimin ekonomik, por ato e kushtëzojnë dinamikën e zhvillimit ekonomik, sepse ndikojnë në ndryshimin e strukturës ekonomike dhe zhvillimin e forcave prodhuese.
Në kushtet e një krize ekzistenciale dhe papunësie të madhe që ekziston në Maqedoni, vetëm punëtorët që punojnë në botën e jashtme me ide, kapital të grumbulluar, mundësi financimi dhe përvoja të pjekura do të paraqesin bazë për zhvillimin ekonomik të vendit. Investimet e mërgimtarëve në vendlindje do të mundësonin jetësimin e vektorit më të rëndësishëm për orientimin ekonomik kah bizneset e vogla dhe të mesme që veprojnë në fushën e prodhimit të lehtë industrial, bujqësisë, tregtisë, shërbimeve, zejtarisë etj.
Diaspora shqiptare - faktor aktiv, diaspora maqedonase - faktor pasiv në investimet në vendlindje
Riintegrimi ekonomik me vendlindjen i punëtorëve që punojnë në botën e jashtme mbetet sfidë e kohës. Edhe pse mërgimtarët kanë pësuar lëndime serioze psikologjike si rezultat i problemeve ekonomike-sociale dhe atyre politike, përkundër këtyre lëndimeve kthehen në vendlindje dhe investojnë në veprimtari ekonomike dhe joekonomike. Mërgimtarët shqiptar të udhëhequr nga thënia e popullit “Më mirë në kashtën tënde, sesa në pambukun e huaj”, kanë pasur si qëllim formimin e një akumulimi fillestar, me të cilin do t’u krijohej perspektiva e sigurimit të punës në atdhe. Shumica dërmuese nuk e kanë arritur këtë qëllim për shkak të rritjes së shpenzimeve familjare, investimeve të dështuara në objekte joproduktive si shtëpi, blerje automobilash luksoze, investime në objekte të dështuara ekonomike pa ndonjë plan paraprak etj, por të gjitha këta e kanë efektin e vet në sferën e konsumit në vendlindje.
Shqiptarët që punojnë në botën e jashtme Maqedoninë e shohin si cakun më atraktiv për të investuar në projekte kapitale ekonomike, përkundër diasporës Maqedonase, e cila paraqitet faktor pasiv në avancimin e mjeteve financiare të kursyera në vendlindje. Mesazhi jonë do të ishte kthehuni, investoni në vendlindje që bizneset e vogla të rriten, të mëdhatë të shumohen, se vetëm kështu do të ngritet mirëqenia ekonomike. Ne kuptojmë se pasuria dhe varfëria rrugëtimin e kanë ndaras, por ta dini se sa më shumë që ato largohen, aq më shumë ne RREZIKOHEMI bashkërisht.
Diaspora Maqedonase sot paraqet një faktor pasiv në grumbullimin e kursimeve dhe investimin e tyre në vendlindje. Qytetarët maqedonas që punojnë dhe veprojnë në botën e jashtme nuk tregojnë interes për të investuar në trevat ku kanë jetuar dhe vepruar. Në bazë të të dhënave mbi strukturën e qytetarëve në bazë të komunave do të shohim se komunat që kanë më shumë mërgimtarë maqedonas nuk kanë investime nga diaspora ose ata janë të paktë. P.sh. qytetet si Manastiri ku në bazë të regjistrimit të vitit 1994 ka pasur mbi 36.690 qytetarë në botën e jashtme edhe atë në vendet evropiane 11% , kurse në vendet jashtëevropiane 89% nuk ka kthim dhe investime të diasporës si në Tetovë, ku sipas “regjistrimit ka 22.675 qytetarë” që punojnë në botën e jashtme, edhe atë në vendet evropiane 82.9%, kurse në vendet jashtë Evropës 14.1% . Ose marrim qytetin e Ohrit me 12.260 qytetarë që punojnë në botën e jashtme, 27.2% në vendet evropiane dhe 72.8 % në vendet tejoqeanike, në bazë të të dhënave aproksimative nuk ka investime të jashtme në krahasim me Strugën, ku në bazë të “regjistrimit ka 9838 qytetarë” në botën e jashtme edhe atë 68.4% në vendet evropiane dhe 31.6% në vendet tjera jashtë Evropës, ku investimet e diasporës janë më të mëdha. Nëse krahasojmë Prilepin me Kërçovën, Prilepi në bazë të të dhënave statistikore ka mbi 7871 qytetarë që punojnë në botën e jashtme, kurse Kërçova në bazë të të “dhënave statistikore ka afër 6127 qytetarë” që punojnë në botën e jashtme 72.4% në Evropë dhe 27.6% jashtë Evropës. Të dhënat flasin se kthimi i bashkatdhetarëve dhe investimi i tyre ne vendlindje është shumë më i madh i kërçovarëve sesa i qytetarëve nga Prilepi.
Edhe pse nuk ka studime serioze në këtë fushë nga observimet e përgjithshme dhe analizat globale tregojnë se diasporës maqedonase që punon në botën e jashtme iu është topitur ndjenja e nevojës së investimit produktiv në vendlindje, te ata o ekziston mungesa e perspektivës së kthimit në atdhe o nuk mund të gjejnë mundësin që t’i aktivizojnë paratë e fituara dhe eksperiencën e tyre. Në këtë drejtim ka probleme, a thua ekziston ndonjë kontradiktë midis përpjekjeve të vetë qytetarëve apo ekziston mospërfillja e formave të mundshme për nxitjen dhe aktivizimin e kursimeve të tyre nga vet shteti.
Kundërthëniet sa më të ashpërsuara, që i shkaktojnë krizat dhe konfliktet, sjellin homogjenizimin e kolektiviteteve sipas interesave dhe qëllimeve të njëjta. Në të gjitha krizat më e rënda është ajo e ekzistencës në të gjitha kuptimet. Duke u ngushtuar hapësira për nisma të reja në drejtim të rritjes së pasurisë materiale në Maqedoni është e domosdoshme hartimi i një programi të përgjithshëm, brenda së cilës do parashtroheshin edhe caqet strategjike për aktivizimin e mërgimtarëve që të kthehen me përvojën dhe me kapitalin e tyre të kursyer në vendlindje.
Këto programe do të përfshinin kurajimin, besimin dhe ngritjen e moralit të diasporës maqedonase që ato të motivohen për ta tejkaluar barrierën e ngurrimit të investimit të kapitalit të tyre në vendlindje, për arsye të pasigurisë dhe perspektivës si dhe strukturimi i mekanizmave që duhet të përdoren për të zgjedhur dilemat. Për mërgimtarët shqiptarë këto programe do të përfshinin edukim, konsulentë dhe asistencë për gjetjen e ideve të pjekura investive. Implementimin e këtij projekti apo kësaj përpjekje mund ta realizojë Agjencioni për Emigracion në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe ekspert vendor. Synim i këtij projekti do të ishte zhvillimi i njohjes dhe sensibiliteti i qytetarëve potencial me kapital të akumuluar dhe përgatitja e një liste me ide praktike investive që do të çojnë në thithjen e kapitalit të tyre dhe në gjetjen e shtigjeve të reja të investimit të tyre në sektor dhe degë me përparësi krahasuese në Maqedoni.
(Autori është prof. dr i ekonomisë dhe deputet i RDK-së)