RTV Zëri · Kryefaqja

Qëndrimet e Bardhyl Mahmutit ndaj Ali Ahmetit dhe Menduh Thacit

2012-05-31 · Arkivi historik RTVZIK

Shkruan :Bardhyl Mahmuti

-----------Letër të hapur Ali Ahmetit--------

Menduh Thaçi “e zbuloi ujin valë”!

“Shqiptarëve në Maqedoni u mungon liria”!

Letër të hapur Ali Ahmetit 

Ju, Zoti Ahmeti, ish Komandat i Përgjithshëm i ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në të gjitha fushatat njëpasnjëshme elektorale për pushtetin maqedonas, në cilësinë e Kryetarit të BDI-së “garantove se asnjë person i pafajshëm nuk do të pësojë nga proceset gjyqësore”…Madje fjala “GARANCI” dhe motoja “NE E MBAMË FJALËN!” përbënin shtyllat e propagandës të partisë që udhëhiqni Ju!Përkundër “garancive” që dhatë gjatë fushatave elektorale dhe ligjit për amnisti, mbi 2000 ish ushtarë të ish UÇK-së janë torturuar në hetuesinë e shtetit maqedonas, për të pranuar veprat penale të cilat nuk i kanë kryer! E Ju ishit në koalicionet e njëpasnjëshme qeveritare në Maqedoni!

Përkundër “garancive” që dhatë, qindra ish ushtarë të ish UÇK –së janë dënuar me dënime të rënda ndërsa dhjetëra të tjerë me burgim të përjetshëm! Të gjithë të akuzuar “për vepra kriminale” të cilat nuk i kanë kryer por janë detyruar përmes  torturave çnjerëzore të pranojnë fajësinë apo të ngarkojnë të tjerët për fajet që nuk i kanë bërë! E Ju ishit në koalicionet e njëpasnjëshme qeveritare në Maqedoni!

Ju, Zoti Ahmeti,  keni qenë në dijeni të plotë për të gjitha rastet! Dhe sa ishe në pushtet Ju heshtnit Zoti Ahmeti!

Përkundër fakteve dhe dëshmive të shumta për pafajësinë e të dënuarve për «Rastin Sopoti 1»

në vend të lirimit të tyre dhe mbajtjes së fjalës elektorale, gjatë bashkëqeverisjes suaj me VMRO-në u konstruktua edhe «Sopoti 2»!

Ju heshtët edhe kur Ramadan Bajrami deklaroi publikisht se dëshmitë e tij ishin konstruktuar nën tortura dhe presion të tmerrshëm!

Ju heshtët edhe kur ish ambasadori amerikan, z. Bigman deklaroi se hetimet e NATO-s kishin sjellë konkluzione se të dyshuarit ishin të pafajshëm!

Ju heshtët edhe kur ish Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, V. Buçkovski, deklaroi se shqiptarët jo vetëm në Maqedoni por në tërë rajonin e konsiderojnë NATO-n, dhe në veçanti SHBA-të si aleat të tyre dhe se prapa vendosjes së minës në fshatin Sopot mund të qëndrojnë shërbimet sekrete serbe!

Ju heshtët edhe pse e dinit se shqiptarë të pafajshëm, të torturuar barbarisht, vuajnë padrejtësisht dënimet me burg.

Ju, Zoti Ahmeti, kur jeni në pushtet heshtni! Vetëm në fushata elektorale, kur duhet të kërkohet vota e popullit Ju jeni shumë të zëshëm!

Ju ishit shumë të zëshëm edhe për Masakrën e Brodecit! Sepse nuk ishit në pushtet! Ju e dënuat dhunën e ushtruar ndaj fshatarëve të pafajshëm të fshatit Brodec dhe fushatën elektorale e artikuluat me premtimet se do t’i lironi të gjithë të burgosurit e pafajshëm shqiptarë!

Sapo erdhët në pushtet ndërruat diskursin! Ju publikisht garantuat nga pozita e Qeverisë së Maqedonisë se do të sigurohen procese të drejta gjyqësore të drejta dhe se asnjë person i pafajshëm nuk do të pësojë nga ky proces!

Asnjë shqiptar i arrestuar në fshatin Brodec nuk u lirua dhe qytetarët e arrestuar u dënuan me 190 vjet burg të rëndë! Ju heshtët dhe nuk e ngritët zërin!

Nga pozita e Qeverisë së Maqedonisë Ju garantuat se do të sigurohen procese të drejta gjyqësore të drejta dhe se asnjë person i pafajshëm nuk do të pësojë edhe në rastin e montuar gjyqësor kundër tre ish ushtarëve të ish UÇK-së, Ismail Aqemi, Bashkim Bajrami dhe njërit nga udhëheqësit e luftës, z. Harun Aliu (Komandant Kushtrimi)!

Ju heshtët kur u dënuan me burg të përjetshëm ! Ju heshtët sepse ishit pjesë e pushtetit!

Ju heshtët edhe kur Qeveria e Maqedonisë ekzekutoi në formën mafioze veprimtarët e shquar  të çështjes kombëtare Harun Aliu, Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala!

Ju heshtët sepse ishit pjesë e Qeverisë së Maqedonisë!

Ju, Zoti Ahmeti, heshtët edhe kur zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski arsyetoi policin maqedonas, Jakim Triunfovskin, se gjoja kishte vrarë nga pozitat e vetëmbrojtjes dy të rinj shqiptar Besnik Shehapin (26) dhe Imran Mehmedin (30) në Gostivar !

Ju heshtët edhe kur Ministria e Brendshme e qeverisë suaj, Gordana Jankullovska, deklaroi se « Deklarata e Kotevskit është nxjerrë nga konteksti dhe është interpretuar gabimisht !

Ju heshtët plot dy javëve edhe pse opinion publik shqiptar dhe më gjerë u revoltua nga aksioni i Monstrumëve të Qeverisë suaj që  terrorizoi popullsinë shqiptare dhe arrestimi i njerëzve të pafajshëm!

Revolta që shkaktoi deklarata e Ministres së Brendshme të qeverisë suaj, Gordana Jankullovska, e cila në cilësinë e hetueses, e polices që arreston, e prokurores që ngre aktakuzë dhe e gjyqtares që dënon lidhur me “ radikalistët islamik” që kanë luftuar edhe kundër NATO-s ju detyroi të prononcoheni pas dy javësh! Dhe si???

Në intervistën ekskluzive për televizionin shtetëror  MTV 2, Ju, Zoti Ahmeti, deklaruat se “ishit informuar nga partnerët e koalicionit se deklarata e Jankullovskës ishte nxjerrë nga konteksti…! dhe garantuat se asnjë i pafajshëm nuk do të pësojë në këtë proces gjyqësor ”

Deklarata Juaj për shfajësimin e Jankullovskës është neveritëse! Por ajo që është e rrezikshme në deklaratën tuaj lidhet me përgatitjen e terrenit që shqiptarët të cilët do të dënohen në këtë proces të montuar gjyqësor të pranohen nga opinioni publik si «fajtor»!

Zoti Ahmeti! Ju e dini fare mirë se përkundër faktit që Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar  me 12 dhjetor 1994 «Konventën kundër torturës, veprimeve dhe dënimeve mizore, trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese» realiteti dëshmon të kundërtën: shqiptarët rrihen, poshtërohen, çnjerëzohen, maltretohen, torturohen, dënohen, vriten dhe masakrohen me bekimin e autoriteteve politike të Shkupit!

Zoti Ahmeti! Ju e dini fare mirë se edhe në këto momente kur lexoni këtë letër të hapur hetuesia e Qeverisë së Maqedonisë torturon shqiptarët për t’i detyruar të pranojnë veprat që nuk i kanë bërë!

Opinionit publik shqiptar i kujtohet fare mirë kur në Emisionin «Rruga Drejtë» të TV Alsat-M deklaruat se “ Ja kemi dhënë fjalën Nikolla Gruevskit se nuk do t’i hapim këto çështje dhe ne nuk mund të bëhemi të pafytyrë me te!”

Po, Zoti Ahmeti! Këtu e keni dëshmuar veten! Je e mbani fjalën dhe nuk jeni të pafytyrë me ata që shtypin shqiptarët! Po me çfarë fytyre do të dilni të kërkoni edhe një herë mandatit e popullit shqiptar!

Zoti Ahmeti! Është momenti i fundit që të lëshoni Qeverinë antishqiptare të Maqedonisë dhe të bashkohemi të gjithë përreth një platforme të mirëfilltë për realizimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni! Të bashkohemi siç kërkuan ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane,  Komuniteti Shqiptaro-Amerikan dhe të gjitha shoqatat shqiptare në shtetet e demokracive perëndimore!

Vetëm një bashkim i përgjithshëm rreth një platforme unike do të hapte perspektivën për përfundimin e dhunës dhe heqjen e diskriminimit racial që regjimi terrorist i Maqedonisë ushtron ndaj shqiptarëve!

18.05.2012 Menduh Thaçi "e zbuloi ujin valë"! "Shqiptarëve nëMaqedoni u mungon liria"!

Z. Thaçi! Ju po trumbetoni se zbuluat ujin valë! Shqiptarët e dinë së në regjimin terrorist të Maqedonisë nuk kanë qenë asnjë herë të lirë por janë përvëluar në vazhdimësi! ...

Në forumin partiak të grave, kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaçi, shpalosi moton e « re » të PDSH-së dhe zbuloi se «Shqiptarëve në Maqedoni u mungon liria»!- Talljes së re publike që i bën ky person i vjetër i skenës politike të Maqedonisë i shkon për shtati sintagma ironike  shqiptare «E zbulove ujin valë!!!!»

Për ata që nuk kanë pasur rastin ta dëgjojnë më parë Kryetarin e PDSH-së se si flet kur nuk është pjesë e pushtetit të Maqedonisë, motot e “reja” partiake dhe deklaratat se kësaj radhe  Menduh Thaçi  “ju garanton shqiptarëve se do t’ju sjellë lirinë” mund t’i duken si shpalosje e një strategjie të re në interes të shqiptarëve!

Madje, z.Thaçin e dëgjojmë shpesh të pranojë gabimet e shumta që ka bërë kur ishte në pushtet si argat i qeverive të njëpasnjëshme që kanë aplikuar politikë antishqiptare. Pranimi publik i gabimeve të shumta mund t’i duket dikujt që nuk e njeh mirë Menduh Thaçi se gjoja ai flet sinqerisht dhe se gjoja nuk ka asnjë mision tjetër pos mbrojtjes së interesave kombëtare dhe t’ju sjellë lirinë shqiptarëve të Maqedonisë.

Përpiluesit e motos «Shqiptarëve në Maqedoni u mungon liria»! kanë shpresuar se duke u  përputhur me realitetin e rëndë të diskriminimit racial që përjetojnë shqiptarët nga regjimi terrorist i Maqedonisë njerëzit do të harrojnë se kush është Menduh Thaçi dhe do të harrojnë rolin e tij të argatit të devotshëm të pushteteve maqedonase në politikën e diskriminimit të shqiptarëve.

Duke dëgjuar për të qindtën herë  Kryetarin e PDSH-së i cili nga “pozita e opozitës” të ngre zërin kundër pozitës së mjerueshme politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni njerëzve u janë ngulitur thellë në vetëdijen e tyre premtimet e shumta bajate të këtij personi.

Po u rikujtoj atyre që shtiren se kanë harruar apo që përpiqen të lënë në harresë realitetet e hidhura të këtij personazhi negativ të skenës politike të Maqedonisë se në Konventën e PDSH-së për zgjedhjet e vitit 2006, kur PDSH-ja nuk ishte pjesë e pushtetit në Maqedoni, në mënyrë solemne z. Menduh Thaçi shpalos Platforma e Re të PDSH-së përmes të cilës ju drejtua popullit dhe rivales së saj BDI-së me këto fjalë:

« Ne ju garantojmë se

- për 60 ditë do të zyrtarizohet gjuha shqipe në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore;

- për 60 ditë do të sillet ligji për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare në gjithë territorin e shtetit;

- për 60 ditë do të sillet ligji për dëshmorët e kombit dhe invalidët e luftës;

- për 60 ditë do të bëhet kompensimi i plotë i dëmeve që shkaktoi konflikti i vitit 2001;

- do të ndërpresim plaçkitjen e pasurisë sonë dhe do të imponojmë ndarjen proporcionale të buxhetit të shtetit;

- për 60 ditë do të imponojmë rishqyrtimin e të gjitha proceseve të montuara gjyqësore dhe do të lirohen shqiptarët e  pafajshëm;

- për një afat maksimal një vjeçar do të realizojmë tërësisht Marrëveshjen e Ohrit;

- ne ju garantojmë siguri dhe nuk do të lejojmë që në zonat shqiptare të ketë ekzekutime klasike mafioze......

- U bëj një Apel të përgjithshëm që të demonstrojmë pjekuri të lartë nacionale dhe civilizuese! Të gjithë ata që do të mundohet ti manipulojnë zgjedhjet këtu, duhet të kenë parasysh se do ti mallkojë historia dhe pasojat e zgjedhjeve të parregullta në Maqedoni do të jenë fatale për pavarësinë e Kosovës!

- Unë, në emër të Kryesisë së partisë, të gjithë atyre që u kemi bërë dëm JU KËRKOJ FALJE PUBLIKE! Nëse dikush përpiqet të më arsyetoj se nuk e kam ditur se çka është bërë u them se funksioni im më detyron ta di! Në të ardhmen çdo gjë që mund të ndodh në dëm të shqiptarëve faturën do ta paguaj unë!

- Ju apeloj krerëve të BDI-së, të mos i frikësojnë njerëzit, të mos i frikësojnë funksionarët e tyre sepse nuk do të ketë hakmarrje dhe revanshizëm!

- Ne kemi punë që ditën e parë të qeverisjes, me partnerin maqedonas që ti zgjidhim hallet, problemet dhe çështjen shqiptare këtu! Nuk do të kemi kohë që të merremi me ta!.

- Partnerët maqedonas duhet ta dinë se pa realizim të drejtave kolektive të shqiptarëve, NATO, Unioni Evropian, janë vetëm ëndrra të maqedonasve...

- Ata duhet të vënë gishtin në mendje dhe të bëjnë marrëveshje me ne... Në të kundërtën përgjegjësia e luftës do të bie mbi ta!»

Kjo është fasada diskurseve e Kryetarit të PDSH-së kur ai është në “opozitë”! E kur erdhi në pushtet çka ndodhi me pozitën e popullit shqiptar që mi mungonte liria?

Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare;

Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u zyrtarizua gjuha shqipe; nuk u soll ligji për dëshmorët e kombit dhe invalidëve të luftës; nuk u bë asnjë investim në territoret me shumicë shqiptare; nuk u realizua Marrëveshja e Ohrit;

Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH me mijëra shqiptarë u torturuan në forma të ndryshme;

Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH, Karadaku, Pollogu dhe Malësia e Tetovës u përballën me format më të tmerrshme të terrorit shtetëror;

Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH, Terror në Tanushë, Terror dhe vrasje në Vaksincë, Terror dhe vrasje në Haraçinë, Terror dhe vrasje në Odri, Terror dhe vrasje në Tetovë, Masakër në Brodec...

Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH në vend të rishqyrtimit të proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimit të shqiptarëve që padrejtësisht mbahen në burgje, burgosje të reja dhe montime të reja të proceseve gjyqësore!

Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u bë kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga konflikti i vitit 2001 por u shtuan dëme të reja nga konfliktet e nxitura nga kjo diktaturë!

Nga të gjitha premtimet paraelektorale vetëm një premtim e mbajti Menduh Thaçi:

Ekzekutimet e shqiptarëve nuk u bënë vetëm në formën klasike mafioze por edhe në formën e terrorit shtetëror!

Të implikuar në krimet antishqiptare dhe nga frika se mund të shpërthente një revoltë e përgjithshme Mendu Thaçi, si pjesë e koalicionit antishqiptar, kërkonte shpëtim në anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, që ta forcojë ushtarakisht këtë shtet për të luftuar edhe më me forcë shqiptarët që kërkojnë liri në Maqedoni.

Tani ku legjitimiteti i pushtetit diktatorial VMRO-BDI është në rënie e sipër dhe kur gjithnjë e më tepër po spekulohet për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme Kryetari i PDSH-së “zbuloi” për të qindtën herë se «Shqiptarëve në Maqedoni u mungon liria»!“ dhe “ju garanton shqiptarëve se do t’ju sjellë lirinë”!

Z. Thaçi! Ju po trumbetoni se zbuluat ujin valë! Shqiptarët e dinë së në regjimin terrorist të Maqedonisë nuk kanë qenë asnjë herë të lirë por janë përvëluar në vazhdimësi! Fatkeqësisht edhe me ndihmën e shqiptarëve të dikurshëm të “ndershëm” komunistët autokrat dhe të atyre vasalëve të ri, të veshur me kostum demokrat !

Z. Thaçi! Po ju rikujtoj vetëm një angazhim që morët  publikisht në vitin 2006: Në të ardhmen çdo gjë që mund të ndodh në dëm të shqiptarëve faturën do ta paguaj unë!

Gjatë mandatit tënd të dytë qeveritarë 2006-2008 u bënë krime monstruoze kundër shqiptarëve! Është koha që të paguash faturën e hises që të takon në këto krime! Fatura më e lehtë për ty është që të LARGOHESH nga skena politike kombëtare!

Lufta për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarë në Maqedoni është luftë politike që kërkon mbështetje të fuqishme nga forcat e mirëfillta demokratike në Maqedoni, Ballkan, Evropë dhe SHBA. Ajo nuk mund t’i besohet personave që mbajnë mbi supet e veta një pjesë të dhunës antishqiptare!

29.05.12