10 armët e së ardhmes!
Luftërat do të ishin shumë më të lehta, për palën që do kishte në dispozicion armët perfekte. Këto janë armët e së ardhmes, robotë të armatosur që nuk vënë në rrezik jetën e ushtarëve, automatikë të lehtë si pupël, pushkë me saktësi që deri më sot nuk ka ekzistuar. Janë këto armët që janë në testim e sipër ose disa prej tyre dhe janë përdorur përgjithësisht në luftën në Irak. Revista elektronike “Askmen” ka kompozuar një listë të armëve më inteligjente e efikase që janë krijuar deri më sot.
Mitraloz “8 Megajoule Electromagnetic Railgun”
Prodhues: Marina amerikane
Kjo armë përbën hapin e parë të marinës amerikane për të krijuar një armë që mund të gjuajë me tetë herë shpejtësinë e zërit. Arma nuk përdor energji shpërthyese, por krijon një fushë elektromagnetike. Mitralozi i ri mund të shërbejë për t’u dhënë fund luftërave më shpejt se zakonisht duke shpërndarë një ngarkesë vdekjeprurëse të njëjtë me bombën atomike. Gjithashtu mund të mbrojë më shumë ushtarët duke qenë se arrin të mbulojë një sipërfaqe të madhe. Mendohet se këto do jenë në përdorim në vitin 2020.
Parzmore trupi lëkure “Dragon Skin”
Prodhues: “Pinnacle Armor”, SHBA
Parzmorja e forcave të armatosura amerikane është zakonisht i përbërë nga pllakëza qeramike dhe sa më shumë plumba të marrë në një vend aq më të mëdha janë gjasat që ajo të thyhet. Ndërsa “Dragon Skin” ka forcë e fleksibilitet dhe jo vetëm që përballon më shumë goditje, por gjithashtu mund të shpërndajë goditjen në një sipërfaqe më të madhe. Ky jelek anti-plumb u është nënshtruar testeve të panumërta me goditje nga të gjitha anët dhe ka dalë i padëmtuar, por me ca probleme të vogla. Aktualisht disa jelekë anti-plumb përdoren nga skuadrat speciale, por është vendosur të mos përdoren në luftë deri sa të mos ketë dyshime për cilësinë.
Predha “Metal Storm Stacked Projectiles”
Prodhues: “Metal Storm Technology”, Australi
Këto predha kombinojnë tytën me karikatorin. Kur shkelet këmba, impulset elektronike mbërrijnë tek plumbat duke i ndezur të gjithë ato me një shpejtësi të rrufeshme dhe me një shkallë prej 16 mijë xhirosh në sekondë. “Metal Storm” gjithashtu mund të modifikohet për lëshimin e granatave me një shkallë prej gjysmë milioni xhirosh në minutë. Kjo është arma automatike më e shpejtë në botë. “Metal Storm” është akoma në një fazë testimi dhe duhet të certifikohet për përdorim. Kjo armë gjithashtu do të bashkohet me “iRobot” për krijimin e një roboti të armatosur.
Bomba “CBU-97 Sensor Fused Air Deployed Bomb”
Prodhues: “U.S. Air Force”, SHBA
“CBU-97” është bomba më inteligjente e Forcave Ajrore. Ajo mund të kërkojë në një rreze prej rreth 500 metrash dhe mund të fshijë nga faqja e dheut një fushë beteje të mbushur me tanke, automjete dhe bunkerë. “CBU-97” është si një raketë hapësinore e lëshuar së prapthi. Çdo njësi përdor fuqinë e raketës dhe një parashutë të vogël që ndihmon për të rrotulluar aparaturat kërkuese që eksplorojnë vendin me anë të sensorëve me lazer. Bomba “CBU-97” është përdorur për herë të parë në mars të vitit 2003 gjatë pushtimit të Irakut.
“CheyTac Intervention M-200”
Prodhues: “CheyTac LLC.”, SHBA
Pushka “CheyTac Intervention M-200 (LRRS)” qëllon më larg se çdo armë tjetër deri më sot. Në qendër të kësaj arme ndodhet një sistem balistik, ku shpejtësia e erës, rezistenca dhe rrotullimi i tokës llogariten në goditjen e radhës. Kjo armë shërben për saktësinë që ka dhe një gjuajtje e saj është e barabartë me goditjen e sigurt të shënjestrës. Arma “CheyTac Intervention M-200” është një armë standarde për skuadrën e “Forcave Speciale Turke” dhe marinën e ushtrisë turke.
“SWORDS” Robot i armatosur
Prodhues: “TALON Robotics
at Foster-Miller”, SHBA
Imagjinoni një ushtar që nuk ha e që nuk fle. Ky është “Swords”, roboti i parë i armatosur, të cilin revista “Time” e cilësoi si “një prej shpikjeve më të rëndësishme të shekullit”. Ky robot mund të pajiset me gjithçka që prej mitralozit e deri tek hedhësit e raketave apo granatave. Roboti mund të ngjitet në shkallë, mund të zhytet nën ujë dhe të ecë nëpër borë, rërë e shkëmbinj. Mund të shohë në errësirë dhe është i pajisur me dy kamera zmadhuese. Në vitin 2007 janë përdorur tre robotë “Talon Swords” në misionet në Irak.
Avion “Boeing YAL-1 Airborne LaserBoeing”
Prodhues: “Boeing/U.S. Air Force”, SHBA
Avioni “Boeing YAL-1 Airborne Laser (ABL)” është i ndërtuar për t’i ndërprerë rrugën dhe për të qëlluar raketat me një lazër kimik oksigjeni e jodi (COIL) i montuar në hundën dhe mbulesën e sipërme të tij. Ky avion mund të godasë një raketë me shpejtësinë e dritës. Ky avion mund të godasë raketa me një shpejtësi më të madhe dhe të saktë se çdo armë anti-balistike. Ai mund të shkatërrojë raketat përpara se ato të dalin nga territori armik. Ky avion ka kryer fluturimin e parë të testit në vitin 2002 për të qenë gati në vitin 2008, por u shty për verifikime të mëtejshme.
“CornerShot”
Prodhues: “Corner Shot Holdings LLC”, Izrael
Pistoleta origjinale “CornerShot” është një pistoletë gjysmë automatike me një nyjë në qendër që lejon tytën të rrotullohet nga e majta në të djathtë, ndërkohë që doreza dhe këmbëza mbeten të palëvizshme. Kjo armë shfaqet tek filmi “Wanted” e përdorur nga Angelina Jolie. “CornerShot” ka avantazhi në situata pengmarrjeje. Ndërkohë që operativi mund të qëndrojë i sigurt pas një muri, arma mund të godasë nga një cep dhe armiqtë s’e kuptojnë se nga vijnë goditjet. Kjo armë është përdorur nga forcat speciale në 15 vende duke përfshirë këtu Izraelin dhe SHBA.
“Active Denial System”
Prodhues: Ushtria amerikane, SHBA
“Active Denial System (ADS)” shërben për të zhdukur armët e lehta. “ADS” përdor një rreze elektromagnetike të padukshme për të krijuar ndjesinë e djegies së lëkurës tek kundërshtarët, por që nuk është vdekjeprurëse. “ADS” shërben për të çorientuar, shpërqendruar dhe shpërbërë kampin armik duke përdorur një forcë, e cila nuk është vdekjeprurëse. Sidoqoftë ka akoma pikëpyetje për aplikimin e mundshëm si një armë torture dhe nëse nuk ka realisht efekte të mëvonshme mbi trupin e njeriut. “ADS” pritet të përdoret në Irak në fund të vitit 2008.
Mitralozi “TDI KRISS Super V XSMG Submachine”
Prodhues: “Transformational Defense Industries”, Zvicër
Ndërkohë që armët automatike kanë zmbrapsje të fortë, “TDI KRISS Super V XSMG Submachine” ka një sistem të rinovuar dhe mund të përdoret duke e mbajtur drejt dhe jo të mbështetur në shpatull, si armët e tjera të këtij lloji. Me sistemin që ka, kjo mund të kthehet në një armë lehtësisht të përdorshme dhe përdoruesit e saj mund të mbajnë edhe nëse janë në terrene të vështira. Në fushëbetejë nuk ka mundësi të dytë dhe kjo armë ka shpejtësinë dhe lehtësinë e duhur të përdorimit. Aktualisht “KRISS” është fazën finale të testimit.