Shefki OLLOMANI-ZGJOHU, NGRITU SHQIPËRI!
[highlight]ZGJOHU, NGRITU SHQIPËRI![/highlight]
Re të zeza të kanë mbuluar,
Diell e Hënë të kanë errësuar,
s’je në ëndërr,
por je zhgëndërr,
në terr të zi e në robëri,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Laku n’fyt po t’shtrëngon,
pranga trupin ta mundon,
okupimi po t’shkatërron,
armiqt sulen me egërsi,
me ushtri e me djallëzi,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Mjaft Ti fjete dhe u përgjume,
mjaft Ti ndejte e ngujume,
mjaft Ti prite ditë përditë,
flake terrin bëhe dritë,
ndize zjarrin nga një shkëndi,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Më dhemb zemra kur rënkon,
kur nga dhembjet Ti gjëmon
m’hapet goja e s’mund të flas,
jap kushtrim e po bërtas,
por askush nuk më dëgjon,
po askush nuk më beson
i gjithë trupi të është shkri,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Kam shumë zjarr e shumë dhimbje,
kam shumë mall e shumë dridhje,
kam shumë vuajtje e dashuri,
kam shumë dhembje e krenari,
kam shumë ankth e burrëri,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Shpatë e Damokleut të rrin mbi kokë,
”Pako” e ”Traktate” hartojnë me okë,
Rezoluta (1244) e 14 Pika,
gjithësecila më e mprehtë se thika,
trupin copa ta copëtojnë,
shpirt e zemër të dërrmojnë,
trojet Tua t’i pushtojnë,
marimangat thurrin robëri,
kameleonët endin tradhti,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Serbia jepë autonomi,
bota jepë gjysmëpavarësi,
ç’janë këto hile një dreq e di,
gjithçka janë veç jo liri,
të ka hy n’Kullë bajlozi i zi,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Janë ndryshkë armët mbi tavan,
pastro shpatë e jatagan,
dil në shesh dhe n’mejdan,
shpërthe vrullshëm si vullkan,
Ja vdekje – Ja liri,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Mos i le armët të ndryshken,
mos i le teshat të myken,
mos e le luftën në mes,
mos e le idealin t’vdesë,
mos harro - je Iliri,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Gjithë Kosova n’re të zeza,
nënat, motrat shamizeza,
frynë stuhia e shfrynë era,
lufta të troket te dera,
s’ka liri, s’ka pavarësi,
s’ka bashkim, as drejtësi,
rroki armët përsëri,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Zgjohu, ngritu del te dera,
se sërish po vjen pranvera,
se liria s’vjen çdo ditë,
flake terrin del në dritë,
del në dritë e në liri,
mos duro më tirani,
sllavo-grekë, as dredhi,
zgjohu, ngritu Shqipëri!
Nëntor 2007